Ballina Kulturë Tri cucat me dajre (Fragment nga satira groteske)

Tri cucat me dajre (Fragment nga satira groteske)

99
0

Nga Kalosh Celiku

SHKRIMTARI: Padyshim, patëm edhe përfitime “lirie” mes bërllokut para Shtëpisë si popull shqiptar, na i nxorri mbi ujë në sipërfaqe si kunguj Stambolli: rrufjanët, hajdutët, bozaxhinjtë, tollumbaxhinjtë, tatlixhinjtë, kulturofagët, dhe dudumët si “artistë” teknefesë, për në Evropë. Aspkak, e besushme për Ditën e Nesërme?!

CUCA BOHEME: “Besë”, nuk ka në politikë!…

SHKRIMTARI: Përçudi, pas publikimit të një shkrimi tim publicistik Droni “Bayraktar” i Erdoganit, të cilët i bleu Qeveria e Kosovës me kryeministrin Kurti, i cili tha, se: “Kosova, nuk është në rrezik”, pa trokitur hyri nga dritarja edhe Droni “Grerëza” në dhomën time të punës dhe gjumit. E hapi Laptopin mbi tavolinën e punës. Llambën mbi tavolinë. Tinëz, hyri nga dritarja në shkrimet e mia publicistike letrare dhe libra.

CUCA BOHEME: Edhe, e inçizoi me kamerë dhomën tënde me libra, piktura dhe fotografi mureve. Karikaturën e faqes parë të piktorit madh Adem Kastrati me lodra (tupana) te revista për humor dhe satirë “ZEKTHI”, që delë kur t’i teket. Ballinën e librit me karikatura: “Kali Trojës” nëpër “Bit-Pazar”, ilustruar me karikatura po nga i njëti piktor me pseudonimin Cun Geli. Gjelin kryengritës mbi kokë në shtrat nga piktori poradacas Koci. Dhe, doli te pikturat e mësuesit tim legjendar, Ramadan Ramadani – Ballazhi dhe karikaturat e piktorit Zeni Ballazhi.

SHKRIMTARI: Po. Në fund, i mori nga muret edhe disa fotografi të autorit të kësaj satire groteske nga Shkolla e mesme normale “Zef Lush Marku” në Shkup, dhe studimeve në Prishtinë. Edhe shkrimet e mia letrare dhe publicistike nga laptopi. Edhe, iku me materialet e “rrezikshme”, matanë Kopështit, për “kundërzbulim” armiqsor ndaj shtetit të “përbashkët”. Fat, që nuk lëshoi një “kashikarë” serbi me “shlihovicë” (raki kumbulle) në Shtëpi.

CUCA BOHEME: Ose, ato Dy “kashikarat” e tua me raki rrushi në çantë. Ose, të dëllinjave…

SHKRIMTARI: Jo, nuk i lëshoi në Dhomën time të punës me llambën e tavolinës nateditë mbi kokë! Popull i dalldisur, dhe i arratisur pas partive politike në pushtet me jetë Nate?! I braktisur Diskoklubeve të podrumeve me muzikë YU -jugosllave. Jo, asaj komuniste revolucionare, por të Ditës Sotshme neokomuniste trusakate partiake shoveniste. Aspak, me Jetë Dite. Edhe, atë: përderisa, Unë si shkrimtar bëjë Jetë Nate me xhindet e Pashterkëkuqes, dhe Hojdodoles pasmesnate që më hudhin duar më duar majë çative të shtëpive. Baxhave, për Dalje mbi Shtëpi çative në Qiell të hapur. Shelgjeve, majë Lisit midis Livadhit me çerdhen e lejlekëve të Babait. Dhe, më përshkojnë nëntë ditë e  nëntë net te “Dy lisat” e “Gurit Zi”, majë “Ҫuke” të m’i përzënë magjitë e Pashterkëkuqes dhe Hojdodoles.

CUCA BOHEME: Popull i lumtur me deklarata para kamerave televizive, gjatë kësaj sezone turistike: hanë mirë… Flejnë rehat… Gërhasin në gjumë për Liri… Pushojnë bukur… Nuk shohin ëndërra. Notojnë në det si shqiptarët. Edhe, pse: shpesh – herë edhe mbyten mes dallgëve në det.

SHKRIMTARI: Edhe, ende pa dalë Drita, pak para Agimit nga malet e Garanës të “Ҫelvjollcës”, më këthejnë mes Nanës dhe Babait në shtratin e Shelgut me kashtë, rrëzë “Ҫuke”. Dhe, jo me jetë Dite, por përsëri me jetë Nate. Edhe atë, cilin: Rrugaçin e Natës të diskoklubeve komuniste dhe neokomuniste, që i ka kaluar Netë – Ditët nën dëllinjat e “Parkut Grave”, në Shkup. Verë, e Dimër. Nuk ka pasur përsëgjalli Pranverë, as Verë. Vetëm dy stinë të vitit: Vjeshtë, dhe Dimër. E, gjatë studimeve përpara “Bozhurit” edhe në “Tauk Bahçe” dhe “Gërmi” në Prishtinë, duke e përcjellur Natën. Dhe, pritur Agimin. Diellin, me Dimër. Nuk e di pas vdekjes, a do të kem Dimër?! Apo, sipas hoxhallarëve do të digjem në Zjarrin e “Xhehnemit”?!

CUCA BOHEME: E pabesuesshme, si mundet populli shqiptar të përfundojë në këtë gjendje çmendurie dhe lumturie? Edhe, atë: Sot, kur si popull shqiptarë Nateditë na digjet zjarr mbi krye, në “ shtetin e përbashkët”?!

SHKRIMTARI: Popull, që Dje: i duartrokiste Robërisë. Sot, i duartroketë “Lirisë”?!…

CUCA BOHEME: Vite me radhë, jemi përpjekur të organizojmë një manifestim kulturor tradicional: Ditët e Humorit dhe Satirës, në Kërçovë: “XHA DERALLA”. Po, nuk e deshi Zoti deri në vitin 2003 t’ia hedhim themelet. Vendimin e morëm si Lidhje e Shkrimtarëve Shqiptar që në vitin 1999, në Shkup. Pse, e zgjodhëm si qytet mu Kërçovën? E zgjodhëm se, në Cërvicë të Kërçovës ka jetuar dhe vepruar njëri ndër humoristët dhe satiristët më të mëdhenj shqiptar në “Serbinë e Madhe”: Xha Deralla. Edhe, jeton edhe Sotekësaj Dite, në Maqedoninë e Veriut,  Republikën e Kosovës, edhe Shqipëri. Nesër, edhe në Shqipërinë Etnike.

SHKRIMTARI: Nastradin Hoxha, nuk dihet me siguri, a ka jetuar dhe n’çvend ka lindur si humorist dhe satirist botëror?! Dyshohet, se: është personalitet i trilluar nga krijimet e popujve të Ballkanit. Edhe, pse: humori dhe anekdotat e tia qarkullojnë gojë më gojë edhe sotekësajdite. Xha Deralla, ka vendlindje dhe krijime humoristike e satirike në gjirin e popullit shqiptar. Dy: në Kërçovë më shumë se në çdo qytet tjetër ka ende shkrimtarë pasardhës të Xha Derallës. Satiristë, që janë marrë dhe merren ende me humor dhe satirë. Publikimin e veprave satirike. Fatkeqësisht, që ende: një Xha Derallë, nuk e ka pasur dhe e ka ende Shqipëria. As, Kosova ta tejkalojë Nastradin Hoxhën. Po, e ka Sot: Maqedonia e Veriut.

CUCA BOHEME: Në vitin 1989 shpërtheu edhe Lufta e Kosovës. Probleme kombëtare, politike dhe vështirësi ekonomike, të cilat i përballonte në atë kohë me vështirësi Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar në IRJ të Maqedonisë. Përveçse me organizimin e jetës kulturore në IRJ të Maqedonisë, duheshte të merret edhe me strehimin e shqiptarëve kosovarë të dëbuar nga Trojet e tyre etnike në lokalet e saj edhe pa kushte minimale humanitare jetese, as për vete. Reagimeve me anë të kumtesave kundër dhunës ndaj shqiptarëve në mjetet e informacionit, dhe deri tek organizatat e ndryshme botërore. Përkrahjen, që i dha vite me radhë hapjes të Universitetit të Tetovës. Organizimin e manifestimit kulturor tradicional ndërkombëtar: “Ditët e Naimit për Kosovën” në Kampin e të dëbuarve kosovarë në Ҫegran (1999), dhe “Takime nën Rrap” (1997), që i kishte mbi shpinë. Vite më vonë, edhe Ditët e Humorit dhe Satirës: “XHA DERALLA”, në Kërçovë. Edhe atë dihet, në mes të dy zjarreve: nga njëra anë e “maqedonasve” për “identitet”, dhe nga ana tjetër e mashave politike shqiptare në pushtet, që i ngatërroheshin me vite nëpër këmbë. Themelmimin e Shoqatave dhe Klubeve të shkrimtarëve edhe nëpër katunde me pak shkrimtarë. Manifestimet e tyre kulturore artistike partiake, përderisa janë gjallë në pushtet.

SHKRIMTARI: Jorastësisht, popullit shqiptar vetëm në Shkup (kryeqytetin e Maqedonisë Veriut”, që përveç partive politike Shqiptare për çdo javë, i lindin vetëm për një shënim kulturor brenda një dite, plotë Shoqata të shkrimtareve, Klube të shkrimtarëve, manifestime kulturore – artistike, revista letrare dhe dy manifestime kulturore paralele brenda një dite: “Ditët e Naimit” 1997 – 2005. Universitetit “Nënë Tereza”, me një ekspozitë figurative politiko – fetare… Instituti Kulturor i shqiptarëve me qera pa shtëpi, duke shtegëtuar me paratë e popullit shqiptar, përveç Shkupit, edhe në Prishtinë, Tiranë dhe nëpër botë. Dihet, edhe të Dy – tri shoqatave të shkrimtarëve shqiptar, në Tetovë. Klube të shkrimarëve shqiptar edhe nëpër katunde. Dhe, Shoqtata të Shkrimtarëve me ABC -ja nga Shkupi. Aqsa, mezi e vidhte kulturën dhe Letërsinë Shqiptare sistemi Komunist. Sot, e vjedh haptas me të dyja duart para syve të popullit shqiptar sistemi Neokomunist maqedono – shqiptar. Nuk kemi problem me “maqedonasit”, serbët, grekët, bullgarët… Armiqtë historik. Problem kemi me Vetëveten: “shqiptarët” nëpër instuticionet e shtetit të “përbashkët” këmbetru në legen. Armikun më të mëdh historik të popullit shqiptar.

CUCA BOHEME: Fatkeqësi e Politikës Shqiptare?! Politikë, që nga Perandoria Osmane, serbe dhe jugosllave e udhëhequr nga Gjakova në Kosovë, dhe në Maqedoni, nga Dibra. Fatkeqësi kombëtare, që pas “ndryshimeve” demokratike politika shqiptare u la në duart e politikanëve të Podujevës dhe Tetovës nën nivelin e atyre politikanëve jugosllav, rrëzë Sharrit Plak?! Politikanë, jo profesionistë në Ditën e Sotshme, për Ditën e Nesërme. Shqiptarë, që në sistemin komunist e pushtuan Jugosllavinë me ëmbëlsira: boza, limunada, tatëlia, revani dhe tollumba turko – shqiptare. Burra e gra shqiptare. Mos e përzini politikën me arsimin, kulturën dhe letërsinë! Shkaku, se: partitë politike, çdo katër vite vijnë e shkojnë ngs pushteti. Edhe, ikin pa gjurmë, e nishan. E, arsimi, kultura dhe letërsia janë të përjetshme. Edhe, pas vdekjes.

SHKRIMTARI: Megjithatë, qëllimi  Lidhjes të Shkrimtarëve Shqiptar me Shtëpi në Shkup, dihej: Rruga për në “Baba Tomor”. Malin e Perëndive, ku Verë e Dimër pihet vera, lindë Poezia. Dhe, bëhet dashuri me Zanat e Malit te “MRIZI I ZANAVE” të Fishtës. Patjetër, gjallë ose i vdekur, duhet hipur në “Baba Tomor”. Malin e perëndive. Lufta jonë vazhdon me Penë.

CUCA BOHEME: Dhe, kështu nga viti në vit me sabotime politike – partiake, dhe ndërkëmbëza të trusakatëve partiak zvarritej, dhe shtyhej ky manifestim i veçantë kulturor – artistik të jetë tradicional mes popullit shqiptar. Nuk e donin vetë partitë politike shqiptare në pushtet. Nuk e donin, as ato “maqedonase”. Nuk e donte edhe Zoti me poezi erotike të hipin shqiptarët në “Baba Tomor”. E, ku më partitë politike të “ vëllazërim – bashkimit”. Hajdutë, brez pas brezi.

SHKRIMTARI: Në vitin 2001 plasi lufta edhe në IRJ të Maqedonisë. Edhe një vit humbje. Dhunë. Flakë. Frikë. Varfëri. Viti 2002, me probleme edhe më të mëdha politike dhe ekonomike. Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar, përsëri ballafaqohej me vështirësi të mëdha ekonimike e politike. E vazhdonte jetën mes dy zjarreve, si Lidhje e Shkrimtarëve Shqiptar gjoja si “paralele” në IRJ të Maqedonisë, (maqedonasëve dhe shqiptarëve), ku gati për çdo vit konkuronte në Ministrinë e Kulturës sipas konkursit të hapur me programin e vet vjetor. Në mes të tjerave edhe me këtë manifestim kulturor, Ditët e Humorit dhe Satirës: “XHA DERALLA”, në Kërçovë. Po, fatkeqësisht nuk ndihmohej ky manifstim kulturor i vetëm në IRJ të Maqedonisë, ku vetë një manifestim të këtillë nuk e kishin “maqedonasit”. E shi, sipas tyre e organizonin shqiptarët.

CUCA BOHEME: Vite me radhë u shpeshtuan sulmet politike partiake ndaj Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptar. U angazhuan edhe mashat shqiptare të partive politike partiake të strukura në Ministrinë e Kulturës pa vende pune e me rroga partiake partiake dhe honorare marramendëse në shtëpi. Projektet e Lidhjes të Shkrimtarëve Shqiptar, edhe pse ndihmoheshin me shuma materiale qesharake, përsëri paguheshin të cunguara dhe me vonesa të mëdha disavjeçare. Ose, nuk paguheshin fare.

SHKRIMTARI: Në fund, i përveshëm vetë mëngët deri në bërryla, dhe në vitin 2003 për herë të parë i shtimë themelet e Manifestimit të parë Kulturor: Ditët e Humorit dhe Satirës: “XHA DERALLA”, në Kërçovë. Erdhën shkrimtarë satiristë nga të katër anët e Atdheut. Edhe, Bota. Kërçova ato ditë kishte festë poetike. Pasardhësit, e Xha Derallës në mes të fshatit e shtruan edhe Sofrën poetike – satirike: “XHA DERALLA”. Poezitë e tyre i lexuan penat më të njohura të humorit dhe satirës mbarëkombëtare. Artisti i popullit kërçovar, Him Koça për disa çaste në mesin e kërçovarëve dhe fshatarëve i solli për herë të parë edhe vargjet satirike të poetit madh shqiptar, Ali Asllanit: “Hani, pini dhe rrëmbeni!…”

CUCA BOHEME: Dhe, ja pas kaq vitesh lufte me Penë dhe poezi për kulturën shqiptare, me forcat tona, ndihmën e miqëve poetë, në Kërçovë dhe mbështetjen minimale materiale të Ministrisë së Kulturës, pronarit të Hotelit “Kërçova”, dhe pronarit të Restorantit “Roma”, ky manifestim kulturor arriti të mbahet për herë të dytë dhe të shtatë në Kërçovë. Dhashtë Zoti, e vazhdon jetën. Nesër të jetë Tradicional Ndërkombëtar. Njëherit, të tubojë penat më të njohura të humorit dhe satirës nga të gjitha Trojet etnike shqiptare dhe Diaspora të shpërndarë nëpër botë si “Kashta e Kumbarës”, me të vetmin  qëllim: të bëhet tradicional dhe ndërkombëtar, të ketë jetë të gjatë, edhe më shumë se vetë humoristi dhe satiristi Xha Deralla, brez pas brezi në gjirin e popullit shqiptar. Edhe, Ringjalljen e tij në përmendore  te “Çifligu i Xha Derallës”, te “Përroni i Thanës”, ku zogjtë i kanë ndërtuar çerdhet shekullore pranë Burimeve malore në degët e dardhave gorrice, dhe për çdo pranverë ia thonë këngës mes atyre maleve.

SHKRIMTARI: Dhashtë Zoti, vitin tjetër që vjen (2024), në fshatin Cërvicë, vendlindjen e Xha Derallës e përurojmë edhe librin e tij me anekdota “XHA DERALLA”. Dhe, e zbulojmë përmendoren e tij te “Ureja”, në vendlindje. Vendin, e preferuar gjatë verës dhe Dimrit madh, para Portës të “Xha Mazllëmit” në Katund, ku rrinte para porte Plaku mjekërbardhë njëqindvjeçarë, dhe u kishte vënë pusi kalimtarëve me anekdota të xhandarëve të serbit, dhe Hoxhës “Allahut”, rrëzë maleve të “Çelvjollcës”, në Katundin Cërvicë të Kërçovës me Dy shtama verë të Zanave Malit…

TRI CUCAT ME DAJRE: (Hyjnë në skenë, dhe këndojnë këngën të përcjellur me dajre. Hojdodolja me pashterkë të kuqe, qëndisur me shqiponjën e zezë dykrenare, heq valle):

Oj Hojdodolja jonë, me limona

A më mirë te Njerka, a te Nona?

Din-kaka-kanka. Din- kaka-kanka.

 

Te Nona. Te Baba varfëria

Hajde te Njerka – pasuria!

Hajde Hojdodole, o te Robëria!

Din-kaka-kanka. Din-kaka-kanka.

 

Oj Hojdodolja jonë me limona

Hajde qitna çaj rusi se u lodh Nona!

Din-kaka-kanka. Din-kaka-kanka.

 

Hajde qitna çaj rusi me lezet

Ma mirë se te Nona ski me gjetë.

Din-kaka-kanka. Din-kaka-kanka.

 

Hajde te Njerka e knaqemi krejtë

Njerkën e kemi vjerrë për hasretë.

Din-kaka-kanka. Din-kaka-kanka.

 

Oj Hojdodolja jonë me limona

Kush na e ka inatin, ju thaftë koma!

Kush na e ka inatin, ju thaftë koma!..

 

Din-kaka-kanka.Din-kaka-kanka…

 

(Dritat shuhen në skenë. Ndizen…)

Dhe në fund: EPILOGU

SHKRIMTARI: Pasmesnate, me Hënë të plotë mbi malin, “Ҫelvjollca” përmbi fshatin Garanë të Kërçovës Historike, përmes telefonit më paraqitet Cuca Boheme:

CUCA BOHEME: Hë, si e ke Natën e Madhe në Qiellin e hapur me Hënë të plotë dhe me yje mbi kokë në Shkup? Edhe, me stuhi. Jemi, ende në Vjeshtë. Shkrepje rrufeje. Shi rrebesh me shtama. Breshër. Edhe, pse Ti ke fjetur me Vjeshtën, por ende nuk ke fjetur me Dimrin.  A, të mungon ndonjë Ibrik raki rrushi me dy, çepa? Nuk ka problem, mundet edhe dëllinje te “Jasakët e Tikeve” t’i sjellë Vjeshta në Bregliqe me dallgë. Apo, një veksh me dy vegë birrë “Rrapi”. Ose, Dy shtama me verë, nën Rrap? Lekë…

SHKRIMTARI: Jo. (I përgjigjet). I kam të gjitha, në dhomën e punës me llambën e tavolinës arrës mbi kokë. Sonte, do t’i rrokullis të gjitha bythekrye në shtrat mes librave para syve të maceve mia besnike – dinake: Xhadisë, Tigrit dhe Tomi Juniorit… Edhe, pse: përpiqet të m’i rrëmbejë Nëna Parti. Burri, mund të mbesë pa bukë. Raki rrushi, dëllinje. Dy shtama verë, birrë “Rrapi”. Dhe, Gra besnike azgane. Por, jo: edhe pa armë në brez. Penën, me Dy tyta…

(Errësira bie në skenë, në Shkupin Historik

pa drita e pa Badimër në Vitin e Ri 2024)…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu