Ballina Ekonomia “Inflacioni do të ulet”, BSH: Ecuria e rritjes ekonomike dhe e pagave,...

“Inflacioni do të ulet”, BSH: Ecuria e rritjes ekonomike dhe e pagave, do të vijojë të jetë pozitive, kursi i këmbimit pritet të jetë më i…

75
0

Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të kthehet gradualisht pranë objektivit prej 3% në gjysmën e dytë të vitit 2024, ndërsa ecuria e rritjes ekonomike, punësimit dhe pagave pritet të vijojë të jetë pozitive.

Në një intervistë për “Monitor”, Banka e Shqipërisë shprehet se ky parashikim mbështetet në projeksionet aktuale për një ambient të huaj të pafavorshëm, por gjithsesi të qëndrueshëm, si dhe pritjet për një qëndrueshmëri më të madhe të kursit të këmbimit gjatë vitit të ardhshëm dhe vijimin e kahut të konsolidimit fiskal.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë mbetet e vëmendshme ndaj qëndrueshmërisë së presioneve të brendshme inflacioniste, të ushqyera nga rritja e shpejtë e pagave dhe e kostove të prodhimit.

Nëse këto trende do të vijojnë të jenë të pranishme edhe gjatë vitit 2024, të nxitura edhe nga një kërkesë në ekspansion të shpejtë për mallra e shërbime, Banka e Shqipërisë shprehet se do të marrë në konsideratë reagime të mëtejshme të politikës monetare.

Bazuar në informacionet dhe projeksionet aktuale, Banka e Shqipërisë pret një ecuri më të qëndrueshme të kursit të këmbimit gjatë vitit të ardhshëm.

Sipas Bankës së Shqipërisë, nga njëra anë nuk duket të ketë parakushte për dobësim të ndjeshëm të Lekut në të ardhmen, por, nga ana tjetër, do të jetë e vështirë përsëritja e ritmit të përmirësimit të bilancit tregtar dhe të bilancit të pagesave që vumë re gjatë vitit 2023.

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2023 dhe çfarë ndikimi kanë pasur deri tani normat më të larta të interesit?

Ecuria e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2023 duhet konsideruar pozitive.

Thuajse të gjithë treguesit kryesorë, të cilët përafrojnë shëndetin ekonomik dhe mirëqenien sociale, kanë ardhur në përmirësim. Vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të shënojë një rritje rreth nivelit 3.5%, punësimi dhe pagat vijojnë të qëndrojnë në një trend të shpejtë në rritje, norma e papunësisë është në minimumet e veta historike, ndërsa inflacioni i çmimeve të konsumit ka ardhur në reduktim progresiv, duke shënuar vlerën 3.9% në muajin nëntor.

Të gjithë këta tregues ilustrojnë, në mënyrë të qartë, një performancë të mirë ekonomike, jo vetëm në kontekstin rajonal, por edhe në atë europian.

Kjo ecuri është edhe më e admirueshme, nëse i vendosim në kontekstin e sfidave me të cilat jemi përballur. Në veçanti, ambienti i huaj ekonomik ka qenë e mbetet i pafavorshëm.

Ekonomia e Eurozonës ka qenë pothuajse në stanjacion, si pasojë e rritjes së shpejtë të çmimeve të lëndëve bazë dhe të produkteve energjetike, dhe si pasojë e rritjes së shpejtë të normave të interesit dhe kostove të financimit.

Në të njëjtën kohë, edhe mjedisi i brendshëm financiar është karakterizuar nga tendenca e rritjes së normave të interesit, ndërsa mungesa e fuqisë punëtore, si në aspektin sasior dhe atë cilësor, po bëhet një pengesë gjithnjë e më e madhe për zgjerimin e mëtejshëm të aktivitetit ekonomik.

Në përgjigje të rritjes së shpejtë të presioneve inflacioniste, Banka e Shqipërisë vijoi të normalizojë qëndrimin e politikës monetare gjatë vitit 2023.

Në vitin 2023, ky normalizim mori formën e rritjes së mëtejshme të normës bazë të interesit, nga niveli 2.75% në nivelin 3.25%, si dhe u pasqyrua në një rikonfirmim të qartë e transparent të angazhimit tonë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për kthimin e inflacionit në objektiv në një kohë sa më të arsyeshme.

Ai është pasqyruar në funksionimin e qetë të tregjeve të parasë, por edhe në një tendencë rritjeje të normave të interesit të depozitave dhe të kredive gjatë vitit.

Analizat tona sugjerojnë se politika jonë monetare ka pasur ndikim pozitiv në zhvillimet makroekonomike.

Nga njëra anë, ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në trendin e rënies së inflacionit, duke ndihmuar në ankorimin e pritjeve inflacioniste dhe në vendosjen e një balance më të drejtë midis kërkesës dhe ofertës agregate në ekonomi.

Nga ana tjetër, reagimi i politikës sonë monetare ka qenë mjaftueshmërisht i kujdesshëm për të ruajtur një ambient ende stimulues financiar.

Shqipëria ka aktualisht një ndër nivelet më të ulëta të normës bazë të interesit dhe një ndër nivelet më të ulëta të kostove të financimit të sektorit privat, jo vetëm në kontekstin rajonal, por edhe në atë europian.

Ky kujdes që ne kemi ushtruar gjatë dy viteve të fundit materializohet në dy tregues të rëndësishëm.

Së pari, sektori bankar ka vijuar të furnizojë ekonominë me kredi, duke mbështetur financimin e konsumit dhe të investimeve në vend. Ritmi i rritjes së kredisë shënoi vlerën 8% në muajin nëntor, ndërkohë që kredia në Lek u rrit me 12% në terma vjetorë.

Ndër të tjera, rritja e shpejtë e kreditimit në Lek pasqyron edhe ngushtimin e diferencës – e madje në disa segmente, edhe barazimin – e normave të interesit të kredive në Lek me ato në valutë.

Së dyti, treguesi i kredive me probleme ka mbetur i qëndrueshëm dhe aktualisht gjendet pranë nivelit 5%, çka përbën edhe nivelin më të ulët të pas krizës financiare globale.

Në mbyllje, dëshiroj të ritheksoj edhe dy parime të rëndësishme që kanë udhëhequr e do të vijojnë të udhëheqin punën tonë.

Në aspektin strategjik, stabiliteti i çmimeve ka qenë dhe mbetet një parakusht i domosdoshëm për stabilitetin e përgjithshëm financiar të vendit, për ruajtjen e vlerës së kursimeve dhe të fuqisë blerëse të familjeve, si dhe për një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë.

Nisur nga sa më sipër, Banka e Shqipërisë nuk ka bërë e nuk do të bëjë kompromis me respektimin e mandatit të saj ligjor. Në çdo rast, reagimi i politikës sonë monetare do të ruajë një raport pozitiv midis përfitimeve afatgjata dhe kostove afatshkurtra të saj.

Po ashtu, në aspektin taktik, reagimi i politikës sonë monetare ka qenë dhe do të mbetet një reagim i kujdesshëm, konsistent me faktorët e tjerë që ndikojnë nivelin e çmimeve, ku gjejmë me vend të veçojmë kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit, si dhe i mbështetur nga një rifreskim periodik i analizave dhe parashikimeve, në dritën e informacionit të ri.

Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2023, e uli ndjeshëm ritmin e normalizimit të politikës monetare. Besoni se normat më të ulëta në raport me shumicën e bankave qendrore (përfshi ECB-në) krijojnë rreziqe që inflacioni të qëndrojë sipër objektivit për një kohë më të gjatë?

Reagimi i politikës sonë monetare gjatë vitit 2023 ka qenë proporcional me dinamikën e presioneve inflacioniste dhe konsistent me faktorët e tjerë që ndikojnë në të.

Ngadalësimi i ritmit të normalizimit të qëndrimit të politikës monetare gjatë vitit 2023 është diktuar nga forcimi i shpejtë i kursit të këmbimit, i cili ka ndihmuar në absorbimin e presioneve të huaja inflacioniste, si dhe nga kahu konsolidues i politikës fiskale, i cili ka ndihmuar në kontrollin e presioneve inflacioniste që vijnë nga ekonomia e brendshme.

Qëndrimi ynë i politikës monetare është gjithnjë konsistent me përmbushjen e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve – i kuptuar si një normë inflacioni e qëndrueshme rreth nivelit 3% – brenda një horizonti kohor afatmesëm. Në këtë kontekst, gjejmë me vend të theksojmë se përditësimi i parashikimeve tona ka sugjeruar në vazhdimësi kthimin e inflacionit në objektiv gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2024.

Ky parashikim ka faktorizuar dhe faktorizon, në mënyrë të natyrshme, edhe qëndrimin aktual e të pritur të politikës sonë monetare.

Cili pritet të jetë kursi i politikës monetare gjatë vitit 2024?

Kursi i politikës monetare do të mbetet i diktuar – nga njëra anë – nga nevoja e respektimit të objektivit tonë të inflacionit dhe – nga ana tjetër – nga balanca e presioneve inflacioniste.

Sikundër kemi theksuar në vazhdimësi, bazuar në informacionin aktual, ne presim që inflacioni të kthehet në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2024.

Ky parashikim faktorizon projeksionet aktuale për një ambient të huaj të pafavorshëm, por gjithsesi të qëndrueshëm, si dhe pritjet tona për një qëndrueshmëri më të madhe të kursit të këmbimit gjatë vitit të ardhshëm dhe vijimin e kahut të konsolidimit fiskal.

Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës mbetet i vëmendshëm ndaj qëndrueshmërisë së presioneve të brendshme inflacioniste, të ushqyera nga rritja e shpejtë e pagave dhe e kostove të prodhimit.

Nëse këto trende do të vazhdojnë të jenë të pranishme edhe gjatë vitit 2024, të nxitura edhe nga një kërkesë në ekspansion të shpejtë për mallra e shërbime, ne do të marrim në konsideratë reagime të mëtejshme të politikës monetare.

Megjithatë, sikundër e theksuam dhe më parë, çdo reagim i yni do të vlerësohet në kohë reale dhe do të faktorizojë analizat dhe parashikimet tona të përditësuara me informacionin më të ri.

Qeveria shqiptare po ndërmerr një politikë fiskale me tipare konsoliduese, me deficite më të ulëta dhe ulje të borxhit publik. Si prisni të ndikojë ky qëndrim në kursin e politikës monetare dhe në parametrat kryesorë makroekonomikë?

Banka e Shqipërisë ka kërkuar dhe mbështetur kahun aktual konsolidues të politikës fiskale.

Në një plan afatgjatë, konsolidimi fiskal është i nevojshëm për uljen e borxhit publik dhe rritjen e qëndrueshmërisë fiskale, duke forcuar ekuilibrat e përgjithshëm makroekonomikë, duke ulur primet e rrezikut dhe kostot e financimit në ekonomi, si dhe duke rritur hapësirat për zgjerimin e sektorit privat.

Në një plan afatmesëm, konsolidimi fiskal ndihmon kontrollin e presioneve inflacioniste dhe është konsistent me kahun e politikës fiskale.

Në këtë kontekst, nisur edhe nga pozicioni favorshëm ciklik në të cilën ndodhet ekonomia shqiptare, konsolidimi fiskal me fokus përmirësimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike është veprimi i duhur.

Reagimi ynë i politikës monetare ka mbajtur dhe do të vijojë të mbajë gjithnjë parasysh dhe pozicionin fiskal, si një aktor i rëndësishëm në dinamikat e kërkesës agregate.

Në vija të përgjithshme, duke abstraguar nga faktorët e tjerë, një kah konsolidues i politikës fiskale është pasqyruar dhe do të vijojë të pasqyrohet në një pozicion më akomodues të politikës monetare dhe norma më të ulëta interesi në tregun financiar.

Gjatë vitit 2023, Leku shënoi rekorde të reja historike mbiçmimi në kursin e këmbimit me Euron. Cilët ishin faktorët kryesorë që përcaktuan mbiçmimin e Lekut dhe si po ndikon mbiçmimi në ekonomi?

Kursi i këmbimit të Lekut ndaj Euros ka shënuar një mbiçmim të shpejtë vjetor gjatë vitit 2023, të vlerësuar mesatarisht rreth nivelit 8.5% deri në fillim të muajit dhjetor.

Në gjykimin tonë, bazuar në të dhënat e disponuara, kjo ecuri dëshmon përmirësimin e shpejtë strukturor të sektorit të jashtëm të ekonomisë shqiptare në dy vitet e fundit.

Bilanci i llogarisë korrente ka regjistruar përmirësim të paprecedentë gjatë vitit 2023. Ky bilanc shënoi një vlerë pozitive prej 28 milionë eurosh, nga një vlerë negative prej rreth 600 milionë eurosh për të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Kjo dinamikë sugjeron një përmirësim të hyrjeve valutore prej rreth 630 milionë eurosh në harkun kohor të një viti.

Përmirësimi i bilancit korrent ka pasur një bazë relativisht të gjerë.

Deficiti tregtar në mallra dhe shërbime është zvogëluar me rreth 50% në terma vjetorë, ku rolin kryesor e kanë luajtur eksportet e shërbimit, të nxitura nga rritja e të ardhurave nga turizmi.

Këtë vit, raporti i hyrje-daljeve të turistëve nga Shqipëria ka shënuar përmirësim prej rreth 3.2 milionë vizitorësh, një numër ky më i madh se popullsia e vendit.

Në të njëjtën kohë, remitancat janë rritur me 14% dhe Investimet e Huaja Direkte me rreth 11%. Këto zhvillime kanë nxitur edhe një rritje të shpejtë të ofertës valutore në vend, duke u pasqyruar më tej në forcimin e qëndrueshëm të kursit të këmbimit.

Në vija të përgjithshme, ecuria e kursit ka ndjekur ritmin e përmirësimit të bilancit të pagesave gjatë vitit. Ky përmirësim kulmoi në tremujorin e tretë, kur balanca e shkëmbimeve tregtare dhe atyre korrente regjistroi një vlerë pozitive, për herë të parë në historinë post-tranzicion të vendit.

Pozicioni i Bankës së Shqipërisë ndaj ecurisë së kursit të këmbimit buron nga dy premisa.

-Së pari, regjimi i kursit të këmbimit në Shqipëri është i lirë. Ky regjim nënkupton që vlera e Lekut kundrejt monedhave të tjera luhatet lirisht në treg, në përgjigje të ecurisë së raportit të kërkesës dhe ofertës për valutë.

Ai na mundëson të ndjekim një politikë monetare të pavarur, në funksion të objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve. Gjithashtu, regjimi i lirë i kursit të këmbimit i mundëson këtij të fundit të luajë rolin e një stabilizatori automatik në ekonomi.

Kjo do të thotë se luhatjet e kursit të këmbimit shërbejnë për të mbrojtur sektorët jo-eksportues të ekonomisë ndaj goditjeve pozitive apo negative të sektorit të huaj, të cilat përkthehen në rritje apo rënie të kërkesës për eksportet shqiptare të mallrave dhe shërbime shqiptare.

-Së dyti, në terma makroekonomikë, për sa kohë forcimi i kursit të këmbimit pasqyron një përmirësim të qëndrueshëm të bilancit të pagesave, si dhe për sa kohë ky përmirësim përfaqëson rritje të produktivitetit mesatar të fuqisë punëtore në vend, ashtu sikurse ka ndodhur në dy vitet e fundit, ai duhet kuptuar si një zhvillim natyral për ekonominë shqiptare në rrugën e saj të konvergjencës me nivelin e të ardhurave të partnerëve tanë tregtarë.

Në zbërthim të këtyre premisave, Banka e Shqipërisë e ka konsideruar forcimin e kursit të këmbimit të Lekut ndaj Euros – në tërësinë e tij – pozitiv. Nga kjo ecuri, ekonomia shqiptare ka përfituar:

-Një nivel më të ulët inflacioni dhe çmimesh, i cili ka ndihmuar ruajtjen e fuqisë blerëse të familjeve shqiptare;

-Një nivel më të ulët normash interesi, nga i cili kanë përfituar të gjithë kredimarrësit në monedhën kombëtare dhe i cili ka mbështetur zgjerimin e konsumit dhe të investimeve në vend;

-Një përmirësim të stabilitetit financiar, si pasojë e ndikimit pozitiv që forcimi i kursit të këmbimit ka dhënë në nivelin e kredive me probleme, si dhe si pasojë e mbështetjes që ambienti monetar me norma të ulëta interesi ka dhënë për rritjen e peshës së kredisë në lekë; si dhe,

-Një përmirësim të ekuilibrave të brendshëm dhe të jashtëm, në formën e rënies së borxhit të huaj dhe të borxhit publik, çka pasqyrohet më tej në reduktim të kostove të financimit në tregjet ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, ne mbetemi të vëmendshëm ndaj faktit se ecuria pozitive e eksporteve shqiptare nuk është uniformisht pozitive.

Segmente të caktuara të tyre, dhe në veçanti eksportet e mallrave në industri, të cilat punojnë me material porositësi, apo të cilat punojnë me marzhe të ulëta dhe janë subjekt i konkurrencës së fortë globale, kanë përjetuar vështirësi financiare gjatë vitit aktual.

Për këtë arsye, ne kemi instruktuar dhe mbështetur sektorin bankar të rrisë gamën e produkteve të mbrojtjes financiare nga luhatjet e kursit të këmbimit, si dhe të trajtojë me prioritet kërkesat për ristrukturim kredie të këtij sektori.

Po ashtu, ne kemi mbështetur dhe do të mbështesim nismat fiskale, të cilat ofrojnë lehtësi të përkohshme për industritë e prekura, duke synuar të lehtësojnë përshtatjen e tyre me realitetet e reja.

Cilat janë pritjet tuaja për ecurinë e kursit të këmbimit gjatë vitit 2024?

Ecuria e kursit të këmbimit është ndër variablat më të vështira për t’u parashikuar me saktësi.

Në përgjigje edhe të regjimit të lirë të kursit të këmbimit të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, do të frenohemi nga dhënia e parashikimeve precize mbi ecurinë e pritur të kursit.

Megjithatë, bazuar në informacionet dhe projeksionet aktuale, Banka e Shqipërisë pret një ecuri më të qëndrueshme të kursit të këmbimit gjatë vitit të ardhshëm.

Ndërsa nuk shohim arsye të qenësishme për dobësim të ndjeshëm të kursit në të ardhmen, po ashtu ne e gjykojmë të vështirë replikimin në të ardhmen të ritmit të përmirësimit të bilancit tregtar dhe të bilancit të pagesave që vumë re gjatë vitit 2023.

Në çdo rast, mesazhi kryesor që duam të japim është se regjimi i kursit ka qenë dhe do të mbetet e lirë dhe ecuria e tij do të pasqyrojë dinamikat e raportit të shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë.

Po ashtu, dëshirojmë të ftojmë aktorët ekonomikë të shmangin apo reduktojnë ekspozimet ndaj rrezikut të kursit të këmbimit dhe të reagojnë me largpamësi ndaj luhatjeve afatshkurtra.

Besoni se një mbiçmim i mëtejshëm i Lekut mund të rrezikojë konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare?

Ecuria e kursit të këmbimit dhe ajo e eksporteve shqiptare kanë një lidhje të ndërsjellë. Apriori, forcimi i kursit të këmbimit mund të jetë si premisë e rënies së konkurrueshmërisë së eksporteve tona, ashtu edhe dëshmi e suksesit të tyre.

Në praktikë, gjykimi mbi lidhjen shkak-pasojë duhet parë në kontekstin e zhvillimeve ekonomike të një vendi.

Në rastin tonë, në harkun kohor të dy viteve (2021-2023), kursi i këmbimit të Lekut ndaj Euros është forcuar me 10.2% në terma kumulativë, ndërsa vëllimi i eksporteve totale shqiptare është rritur me 80%.

Besoj se është e qartë për këdo se – në këto rrethana – ecuria e kursit është më tepër pasqyrë e suksesit që kemi pasur në rritjen e eksporteve se premisë e dështimit të tyre.

Megjithatë, ky konkluzion nuk duhet të na bëjë të humbim vigjilencën në të ardhmen. Nga ana jonë, ne do të mbetemi të vëmendshëm në analizën e dinamikave të kursit të këmbimit dhe lidhjen e tyre me fondamentet ekonomike.

Në përgjithësi, për sa kohë që vëllimi i aktivitetit në tregun valutor është në linjë me vëllimin e jashtëm të tregtisë së jashtme, si dhe për sa kohë ky treg funksionon i qetë, kjo lidhje ka qenë dhe do të mbetet e fortë dhe direkte.

Si e parashikoni ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2024? Besoni se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit dhe cilat besoni se do të jenë sfidat kryesore për ekonominë shqiptare?

Sikundër e kemi theksuar në vazhdimësi, perspektivat e zhvillimit të vendit mbeten pozitive, si në afatin e shkurtër edhe në afatin e mesëm e të gjatë.

Për vitin 2024, ne presim zgjerim të mëtejshëm të aktivitetit ekonomik, rritje të punësimit e të pagave, rënie graduale të inflacionit drejt objektivit, si dhe përmirësim të gjithanshëm të ekuilibrave të brendshëm dhe të jashtëm të vendit.

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të vijojë të përfitojë nga bilancet e shëndosha të familjeve dhe bizneseve shqiptare, nga pritjet pozitive që ata kanë për të ardhmen, nga një ambient i përgjithshëm monetar e financiar ende akomodues, si dhe nga rritja e mëtejshme e të ardhurave nga turizmi.

Paralelisht me të, balancimi më i mirë i kërkesës për mallra e shërbime, si dhe stabilizimi i inflacionit në partnerët tanë tregtarë, do të krijojnë premisa për një kthim gradual të inflacionit në objektiv.

Së fundi, bazuar në trendet aktuale, ne presim rënie të mëtejshme të borxhit publik, një përmirësim të mëtejshëm të balancave të huaja – në formën e reduktimit të deficitit të llogarisë korrente dhe të borxhit të huaj, si dhe nivele relativisht të qëndrueshme të kredive me probleme.

Ky kuadër parashikimesh përbën jo vetëm opinionin e Bankës së Shqipërisë, por edhe konsensusin e përgjithshëm të të gjithë institucioneve të tjera, të brendshme dhe të huaja, të tjera që merren me parashikime ekonomike.

Sa më sipër, mendojmë se detyra jonë si politikëbërës është të vazhdojmë të ruajmë fokusin e politikave tona në stabilitetin e çmimeve, reduktimin e borxhit publik dhe garantimin e stabilitetit financiar.

Nga ana e tij, biznesi shqiptar privat duhet të vijojë të ruajë një përqasje pozitive ndaj së ardhmes, duke u kujdesur në të njëjtën kohë të rrisë investimet e veta në kapital fizik, njohuri e procese pune, të cilat mundësojnë një rritje të produktivitetit dhe të konkurrueshmërisë.

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe financiar gjatë vitit 2023, veçanërisht në treguesit e kreditimit, cilësisë së aktiveve dhe përfitueshmërisë?

Të dhënat e fundit të vitit pritet të dalin së shpejti, por mbështetur mbi ecurinë e deritanishme, vlerësojmë se zhvillimet në veprimtarinë bankare gjatë vitit 2023 kanë qenë pozitive.

Bilanci i sektorit bankar është zgjeruar, ndonëse mbiçmimi i kursit të këmbimit të Lekut ka ulur ritmet e zgjerimit në krahasim me vitin e mëparshëm.

Në zgjerimin e bilancit, kanë kontribuar drejtimet kryesore të veprimtarisë bankare, ku përfshihen investimet në tituj, vendosjet e thesarit dhe ato ndërbankare, si dhe kreditimi.

Sektori bankar vazhdon të ruajë një pozicion të balancuar në përdorimin e valutës. Treguesit e performancës financiare kanë shfaqur një përmirësim të dukshëm, në sajë të performancës mjaft të mirë të të ardhurave neto nga interesi.

Sektori bankar realizoi që në shtator 2023, të gjithë fitimin që kishte arritur gjatë gjithë vitit 2022.

Treguesi i kthimit nga aktivet u ngjit në nivelin 1.6%, ndërsa ai i kthimit nga kapitali u ngjit në nivelin 16.2%. Kapitalizimi i sektorit bankar rezultoi 19.6% në fund të tremujorit të tretë të vitit.

Ky është një nivel i lartë nga këndvështrimi i të dhënave historike, por reflekton edhe rritjen e kërkesave rregullative për nivelet dhe përbërjen e kapitalit.

Sipas bilancit të bankave, norma e rritjes së kredisë totale ishte relativisht e ulët në krahasim me vitin e kaluar. Kjo ecuri është ndikuar tërësisht nga ndikimi pakësues i mbiçmimit të kursit të këmbimit, mbi vlerën e raportuar të kredisë në valutë.

Nga ana tjetër, kredia në Lek është rritur me mbi 9% në terma vjetore.

E korrigjuar për efektin e kursit të këmbimit, vlerësohet se norma vjetore e rritjes së kredisë totale është rreth 6%. Për shkak të ecurisë më të mirë të kreditimit në Lek, vlerësohet se pesha e kredisë në valutë ka zbritur në nivelin 47% të kredisë totale.

Shpërndarja e kredisë sipas sektorëve të ekonomisë tregon që në stokun e kredisë, peshën kryesore e zënë sektorët e tregtisë me shumicë dhe me pakicë, ndërtimi, industria përpunuese, akomodimi dhe shërbimi ushqimor, energjia, si dhe aktivitetet e tjera të shërbimit.

Në terma të rritjes së kredisë, rritja më e madhe gjatë vitit 2023 duket se është regjistruar te kredia për “aktivitete të tjera shërbimi” dhe tek ajo për “akomodim dhe shërbim ushqimor”.

Edhe depozitat janë rritur gjatë vitit 2023. Rritja ka qenë më e fortë për depozitat në valutë, ashtu siç mund të pritej nga zhvillimet pozitive në bilancin e pagesave të vendit me botën.

Si rezultat, pesha e depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave vlerësohet pranë nivelit 55%.

Cilat janë pritshmëritë tuaja kryesore për ecurinë e sektorit bankar në vitin 2024?

Pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë për vitin 2024, mbeten pozitive. Në kushtet e vijimit të rritjes ekonomike, do të kemi rritje të të ardhurave, dhe kjo pritet të mbështesë kërkesën për kredi që mund të shkojë drejt konsumit dhe investimeve.

Me gjithë rritjen aktuale të normave të interesit, vlerësojmë se rritja e kredisë do të mbetet në terma pozitivë. Megjithëse mund të shënojë një rritje, raporti i kredive me probleme pritet të mbetet pranë niveleve aktuale.

Pritjet për rritjen e të ardhurave gjatë vitit të ardhshëm, do të favorizojnë rritjen e kursimeve, në formën e depozitave bankare. Nivelet e qëndrueshme të marzhit të interesave do të kontribuojnë në realizimin e një veprimtarie bankare fitimprurëse.

Nivelet e kapitalizimit do të mbeten të mira, në kushtet kur bankat do të ruajnë vëmendjen për përmbushjen e kërkesave të kuadrit rregullator.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu