Sot, Turqia kreu sulme ajrore kundër militantëve kurdë në Irak dhe Siri.
Këto sulme ndodhën pasi nëntë ushtarë turq u vranë në një sulm në një bazë ushtarake turke në Irak. Të premten në mbrëmje, sulmuesit kurdë u përpoqën të depërtojnë në një bazë ushtarake turke në rajonin gjysmë autonom kurd të Irakut verior, duke vrarë pesë ushtarë.
Katër të tjerë vdiqën më vonë nga plagët kritike ndërsa Ministria turke e Mbrojtjes turke njoftoi se janë vrarë 15 militantë kurdë.
Turqia shpesh kryen sulme ndaj objektivave në Siri dhe Irak, për të cilat beson se janë të lidhura me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), grup separatist kurd që ka zhvilluar kryengritje kundër Turqisë që nga vitet 1980.
Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi se aeroplani i Forcave Ajrore Turke goditi objektivat në qytetet Metina, Hakurk, Gara dhe Qandil në Irakun verior, por nuk specifikoi se cilat zona në Siri.
Ministria ka deklaruar se aeroplanët luftarakë shkatërruan shpella, bunkerë, strehimore dhe objekte nafte “për të eliminuar sulmet terroriste ndaj popullit tonë dhe forcave të sigurisë dhe për të garantuar sigurinë tonë kufitare”.
“Ne do të luftojmë deri në fund kundër organizatës terroriste PKK brenda dhe jashtë kufijve tanë”, ka shkruar Hakan Fidan, ministri i jashtëm i Turqisë në një mesazh në platformën X.
Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya njoftoi se policia arrestoi 113 persona të dyshuar për lidhje me PKK-në pas bastisjeve në 32 provinca turke.
Nuk pati asnjë koment nga PKK, qeveria në Bagdad apo administrata në rajonin gjysmë autonom kurd verior të Irakut në lidhje me sulmet e shtetit turk.