Deri në korrik, kur ky sesion mbyllet, parlamenti duhet të kalojë disa ligje, që kërkojnë një shumicë të cilësuar prej 84 votash, të cilat mazhoranca e vetme nuk i ka.
Reforma zgjedhore, paketa për disa ndryshime në drejtësi, amnistia penale, Avokati i Popullit janë disa çështje në pritje që miratohen me 84 vota dhe sipas nënkryetares socialiste të Parlamentit Ermonela Felaj, mazhoranca nuk do të kursehet për t’i gjetur këto vota.
“Nuk është mëkat që, kudo ku ka gatishmëri për të gjetur vota, ne të mos e marrim këtë lloj konsensusi. Vetë politika është arti i të bërit kompromis.
Aty ku kompromisi mund të bëhet dhe aty ku kompromisi garanton 84 vota për bërjen e ndryshimeve të caktuara në Kodin Zgjedhor, të gjitha hapësirat do të shfrytëzohen”- tha zonja Felaj për emisionin “Pa censurë”.
Ermonela Felaj ishte shumë e qartë kur dha një mesazh për opozitën dhe e përcaktoi po aq qartë adresën e këtij mesazhi.
“Në parlament jemi për të folur, për të diskutuar dhe për të argumentuar. Kushdo që do ta kuptojë këtë, ju them se ka për të dalë i fituar. Kur dy palë vendosim për të arritur konsensusin, sigurisht që nuk është njëri fitues dhe tjetri humbës, por secili humbet diçka dhe fiton diçka tjetër.
Kushdo që ta kuptojë këtë filozofi, do të arrijë të realizojë një pjesë të qëllimeve të veta. Kjo është një ftesë për të gjithë ata që janë në opozitë me ne, një ftesë ndaj të gjithëve”, u shpreh nënkryetarja e Parlamentit Ermonela Felaj.