Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se Kosova po formon forca jashtëzakonisht të mëdha dhe se Amerika po e udhëheq atë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutën 1244 të OKB-së, duke theksuar se për këtë Serbia duhet të forcojë në mënyrë drastike ushtrinë e saj.
“Deri në vitin 2027, ata planifikojnë të kenë 5,500 ushtarë profesionistë në të ashtuquajturat Forca të Sigurisë së Kosovës dhe 20,000 në rezerva”, tha Vuçiq, gjatë një vizite në Qendrën Operative të Shërbimit të Agjencisë së Sigurisë Ushtarake (VBA).
Ai saktësoi se Kosova merr ndihmën më të madhe ushtarake nga SHBA, Turqia, Gjermania, Britania e Madhe, por edhe nga Kroacia fqinje.
Sipas tij, situata nuk është e lehtë sepse Serbia është e rrethuar nga aleanca e NATO-s, forcat e së cilës janë të dislokuara edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, e cila nuk është anëtare e NATO-s.
“Ne duhet të kemi një ushtri të fortë, sepse pa të nuk mund të ekzistojmë si shtet”, ka theksuar Vuçiq.
Ai ka thënë se armatimi i mëtutjeshëm i të ashtuquajturave forca të sigurisë së Kosovës po shkatërron rendin juridik ndërkombëtar dhe se qëllimi, në kundërshtim me Rezolutën 1244, nuk është vetëm heqja e plotë e gjurmës së ekzistencës së Serbisë nga territori i Kosovës, por edhe për të hequr prej saj gjithë popullin serb të mbetur. /vizionplus.tv