Ballina Politika Berisha në “arrest shtëpie”, Veliaj: E ka reduktuar PD në një rrugicë,...

Berisha në “arrest shtëpie”, Veliaj: E ka reduktuar PD në një rrugicë, si Romeo dhe Zhuljeta

119
0

Duke komentuar masën “arrest shtëpie” për Sali Berishën, i cili akuzohet për korrupsion nga SPAK, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se Partia Demokratike është reduktuar në një parti që nuk i gjendet më as vula. Sipas tij, në këtë situatë, përgjegjësia e Partisë Socialiste kundrejt qytetarëve rritet edhe më shumë, ndaj është e udhës që këshilltarët socialistë të Këshillit Bashkiak të dalin në terren për të shpjeguar projektet. Në një takim me ta, Veliaj tha se fjalimet e Berishës nga dritarja e shtëpisë ngjasojnë si ato të Romeos me Zhiuljeten.

“Ata që janë reduktuar si ‘Romeo dhe Zhuljeta’ te një rrugicë e Tiranës, që janë rrahur në oborrin e partisë së tyre, që u ka humbur e s’u gjendet vula, nuk ftillojnë dot familjen e tyre politike, e jo më të mendojnë për Shqipërinë. Këtë e kam bindje të brendshme si njeri, pastaj edhe si socialist, ndaj besoj se është në dinjitetin tonë që, si Këshill Bashkiak dhe si grupimi socialist në parlamentin e qytetit më të madh të Shqipërisë – që do vazhdojë të rritet – të tregojmë më shumë përgjegjësi”, tha Veliaj.

Ai theksoi se degradimi i opozitës nuk duhet marrë si moment gëzimi, por përgjegjësi e shtuar kundrejt qytetarëve. Veliaj shtoi se përballë sjelljes vulgare të opozitës, duhet të triumfojnë edukata, inteligjenca dhe programi i punëve për qytetin. “Në 2013 ata kishin gjithë vendin në dorë, në 2015 kishin vetëm Tiranën. E humbën vendin dhe mbajtën Bashkinë e Tiranës në gjumë. Pasi humbën edhe Tiranën, u mbeti vetëm Bulevardi, me çadra e protesta. Pas Bulevardit u katandisën në një oborr partie. Te oborri i partisë së tyre u rrahën me njëri-tjetrin. Nga oborri kanë përfunduar në një rrugicë. Siç po shihet, nga një rrugicë përfunduan në një dritare. Pra, kokoshi një thelë! Por, nëse mendoni se degradimi i tyre është gëzimi ynë, e keni shumë gabim. Ky është një moment për ta marrë më seriozisht këtë punë. Pra, sa më karagjozë të bëhen ata, aq më seriozë duhet të bëhemi ne. Sepse do të thotë se në agorën e prishur të Këshillit Bashkiak nga karagjozët me sjellje vulgare, do duhet që në agora të tjera më të vogla të triumfojë edukata, inteligjenca dhe programi ynë. Agorat tona do të jenë lagjet, ku ne do të shpjegojmë çdo punë në komunitet”, sqaroi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se do të ketë edhe një plan për të ndihmuar bizneset në rrugën “Mustafa Matohiti”, të cilat kanë pësuar humbje këtë periudhë. “Ata i bashkon inati për zhvillimin, për të bukurën, urrejtja për qytetërimin. Ne na bashkon pasioni për t’i çuar përpara ato”, shtoi ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu