Tregtia detare globale po përballet me ndërprerje të mëdha për shkak të situatës në Detin e Kuq, ku janë përfshirë rebelët Huthi të Jemenit, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe.
Konflikti në Detin e Kuqe, që po shkaktohet kryesisht nga rebelet Huthi të Jemenit, dhe që protestojnë ndaj sulmeve izraelite në Gazë, po vazhdon, me disa sulme tjera mbi anijet komerciale nw vendet e ndryshme të botës.
Një numër i kompanive të transportit detar, si Maersk, MSC dhe Hapag-Lloyd, kanë pezulluar përkohësisht transportin e kontejnerëve të tyre të transportit përmes zonës së konfliktit, duke i detyruar anijet të shkojnë rreth Afrikës së Jugut, një rrugë më e gjatë dhe më e shtrenjtë.
Vincent Clerc, drejtor ekzekutiv i gjigantit danez të anijeve Maersk, i tha Financial Times se ndërprerjet mund të zgjasin me muaj dhe madje mund të nxisin më tej inflacionin global, raporton Euronews.
“Është e paqartë nëse po flasim për rivendosjen e kalimit të sigurt në Detin e Kuq në ditë, javë apo muaj…Kjo mund të ketë potencialisht pasoja mjaft të rëndësishme për rritjen globale”, tha Clerc.
Duhet të theksohet se kohët e fundit Britania e Madhe dhe SHBA nisën sulme ajrore kundër objektivave Huthi në Jemen, duke synuar më shumë se dhjetëra objektivash deri më tani, duke përfshirë objektet për raketa dhe dronë.
Ata thanë se durimi i tyre ka marrë fund, por Huthi-t jemenas janë të vendosur të kundërshtojnë gjithçka që mund të lidhet me Izraelin.
Çmimet e naftës reaguan ashpër ndaj këtyre goditjeve, me naftën e papërpunuar evropiane Brent që u shtrenjtua më shumë se 3 për qind të premten pasdite, duke arritur në 80 dollarë për fuçi në ICE Futures Europe.
Nafta e papërpunuar West Texas Intermediate gjithashtu u rrit me më shumë se 3 për qind në më shumë se 75 dollarë për fuçi.
Një raport i ri nga Instituti Kiel për Ekonominë Botërore thekson se tregtia globale në Detin e Kuq ra me pothuajse 1.3 për qind midis nëntorit dhe dhjetorit, për shkak të sulmeve të Huthi. Numri i kontejnerëve që qarkullojnë normalisht në zonë ka rënë me gati 70 për qind.