Tatimi 15% në çdo shitblerje prone, sidomos për ato prona të parivlerësuara është një nga arsyet pse ky treg është në ngërç. Për këtë qëllim, metodologjia e re e taksimit, ku parashikohet 1% amortizim për ndërtesat, duket se do të shmangë presionin për të hapur fushata rivlerësuese.
Niko Lera, drejtor i politikave fiskale në ministrinë e Financave, gjatë një interviste për emisionin E-ZONE, thotë se nuk duhet të ketë më fushata rivlerësimi.
“Në 10-vjeçarin e fundit ka patur disa fushata rivlerësimi. Kush ka patur interes ka patur dhe mundësinë ta rivlerësojë pronën për ta sjellë atë në vlerën e tregut. Ndaj në mendimin tim, një fushatë e radhës do të denatyronte ligjin mbi të ardhurat personale, i cili sapo ka nisur të zbatohet”-tha Lera në E-ZONE
Sipas tij, metodologjia e re do të ulë presionin që vjen nga tregu për këtë proces. Amortizimi do të zbritet nga çmimi referencë i zonës, duke bërë që të ulet në këtë mënyrë dhe tatimi që paguhet në shtet.
“Duke njohur amortizim 1 % në vit për objektet ne ofrojmë një mënyrë taksimi më të drejtë. Në këtë kuptim sa më e vjetër të jetë mosha e objektit aq më pak ngarkesë tatimore do të ketë qytetari që e shet objektin. Flasim për të gjitha ato prona që kanë një certifikatë pronësie“-sqaroi Lera në Vizion Plus
Sipas Niko Lerës, nëse gjatë zbatimit në praktikë të udhëzimit për metodologjinë e re të taksimit do të hasen problematika, ministria ka mundësinë e rishikimit për të mos bllokuar tregun.