Chelsea ka nxjerrë në shitje Armando Brojën. Ky është lajmi që “The Athletic” në Angli ka publikuar këtë të mërkurë. Në shkrim thuhet se Blutë po presin oferta dhe ka interes nga tre klube, ndërsa çështja e sulmuesit të Kombëtares nuk varet nga një afrim në ekip gjatë janarit.
“Chelsea ka dëshirë të lejojë Armando Brojën të largohet në mënyrë të përhershme dhe një largim i tij i mundshëm nuk është në varësi të blerjes së një zëvendësuesi nga ekipi. Ka interes nga disa klube të ndryshme për sulmuesin 22-vjeçar, përfshirë Fulham, West Ham dhe Wolves. Çdo afrim i ri në janar ose në verë është i pavarur nga situata e Brojës, me Nkunku që pritet të kthehet nga lëndimi shpejt”, shkruhet nga ‘The Athletic’.
Edhe pse 22-vjeçari ka kontratë me ekipin deri në verën e 2028, te Chelsea janë joshur nga ofertat e shumta për shqiptarin dhe 30-35 milionë euro nuk janë pak për një futbollist që është produkt i Bluve. Dy gola ka shënuar Broja këtë sezon te Chelsea, teksa u rikthye nga një dëmtim i gjatë që e mbajti jashtë për gati një vit.