LIRIKË SHIU
Binte shiu, binte, ah një shi me gjyma!
Të gjithë vraponin shtëpi më shtëpi.
Ashtu përmbi taka, sa s’i merrej fryma,
Nën umbrellën time hyri një perri.
“Një perri” ju thashë, e ç’tu them më tutje!
Nga çudia mekur, fola “Ç’qe ky fat?!”
Zëri saj i brishtë, tringëllin një lutje,
“Nën umbrellën tënde, a të qëndroj pak?!”
Në çast sa s’bërtita, “Të rrish sa të duash!”
A thua nën çadër, vetë parajsa ish!
Desha që të flisja, po kur s’ke ç’të thuash,
Me fjalën e tepërt, ke frikë se; e prish.
Ç i përplas mbi mua, të dy syt’ e zinj,
Sikur të më thoshte “po shkoj tjetër kund.”
Një parfum i ëmbël, që çmendej mbi gjinj,
Më grishte të tërin, ta pija me fund.
Bekuar ky shi, mos pushoftë kurrë,
Që më solli pranë, të tillë krijesë!
Jo, asgjë më shumë, s’dashuron një burrë,
Se gruan, që vjen e dot s’mund të presë.
Tik-taku i shiut mbi çadër i ngutur,
La vendin dhe nisi një tjetër tik-tak,
Mbi takat e larta, një zonjëz e bukur,
Largohej pa ditur, se zgjoi një merak.
Një mall, që flladiste magjishëm mbi zemër,
Si frymëz e lehtë, me shiun u çmend.
Kjo hënëz e fatit stolisur, si femër,
Nën hark të ylberit, la pezull një peng.
ELEGJI PËR POETIN
(si sot dy vite me pare largohet nga kjo jete poeti Demir Gjergji)
Për ikjen tënde s’gjëmuan jo, këmbanat,
As psallme, as sure s’u thanë, poet!
Në Kep të Rodonit s’çelën lulethanat,
Mimozat s’shpërthyen në Kryeqytet!
Mbesës i tregove një përrallë me zanat,
I the se do të bëheshe delfin në det.
Fole për trishtilin, që çuket tek xhamat,
Dhe për qengjin bonjak, që nëna e pret!
Vajzës, testament ia le tërë vargjet,
Udhët e pashkelura ia le amanet.
Dyert e pahapura, që s’u shkele pragjet,
Dhe mallin n’amshim, që as varri s’e tret!
Gruas i premtove rikthim, si Odiseu,
Një takim të largët, në një tjetër Itakë.
Djalin befasove me një rrotullim dheu,
Kur me Diellin s’u çove më prapë.
QERTHULL DASHURIE
Ti të shuash mallin, xhan u djegsha mall!
Që të ndezësh zjarrin, le të shkrepem strall!
Moj të zgjidhësh hallin, vetë u kthefsha hall!
Nëse s’e mbaj fjalën, dherit ti më kall!
Në më do të gjallë, prapë ti më ngjall!
Rreth e rrotull gushës më tu bëfsha shall!
Të falem si robi, vetëm mos u tall!
Me magjinë e buzës, hidhmë ndonjë fall!
Si shalli u mbledhça asaj gushës tënde!
Ashtu si motivi, që tretet një kënge!
Qofsha melodia, që ti ndjen me ëndje!
Gjersa të më plakesh të mbeça në mëndje!
Në mendje të mbeça e më pafsh në ëndërr!
Ç’ke o syri bukur, që më vështron vëngër?
S’qënka me të lutur të rrëmbesh një zëmër,
Ndaj më kot vërtitem qark me ty në qëndër!
BALADË
Bajame ti çele, sa pa ardhur Shkurti,
Të kërkoi bandilli, ty të zuri turpi!
Kalin ergjele, ç e vuri në frerë,
Për të marrë nuse, të shfaqet në derë.
Folezë e babait, ky saraj i vjetër,
Si mund të këmbehet, me një strehë tjetër?
E vetmja në botë, që të do pa hile,
Ç të fali për prikë, një mushkë me zile.
Kjo mamaja jote, kish e ç’kish për vete,
Lloj e lloj stolira, fshehur ndë sepete.
I dhuroi të gjitha, për të vetmen çupë,
E bukur, si drita, për tu pirë në kupë.
Një fustan mëndafshi, qëndisur në ar
Farfurin i tëri, si margaritar.
Mëma seç ta veshi, për udhën e gjatë,
Ty të nisi nuse, vetë u bë uratë.
EPOPEJA E HORRAVE
O ju mëndjet e sëmura
Që “Vetingun” po e qani!
Domosdo u djeg lëkura,
Kur t’u rruj Amerikani.
Po Shqiptarit, që ia ngulët,
Plot e plot për tre dekada,
Një nga një qimet ia shkulët,
Si nga para e nga prapa.
Me këtë popull aventura,
Bëtë, bëtë e nuk u ngopët,
Qytetarët e mashtruar,
Ju i molët porsi lopët.
Bëtë saraje, ngritët vila,
Mbushët llogari bankare,
E ligjëroni, si bilbila,
Për të drejtat qytetare.
Akuzon të gjithë kjo kohë,
Si të riun dhe të vjetrin,
Bëtë, eh ç’bëtë kësaj toke,
Bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Të gjykoheni erdhi dita,
Se na sollët shumë dëme,
Do të shkuli, si e liga,
Dhe prej shpirti dhe prej rrënje.
E shikoj “qetësinë” tuaj,
Shmangur akuzash të rënda,
Sikur frika u gërryejnë,
Metastazat që përbrenda..
Do të kalbi, do të shterni,
Si të gjithë tradhëtarët,
Një grusht dhé, ju do të merrni
Aq saç morën gjithë të parët.
Do të shëmben piramida,
E çdo plan i çdo strukture,
Vetë partitë porsi shtriga,
Do t’ju fusin ndër qivure.
Po vjen dita t’ju varrosi,
Vetë e keqja, që ju ngritët,
As kalvari s’do tu sosi,
Ferr e tmerr do keni ditët.
Vetë krijesat, që ushqyet,
Do ju shesin për dhjamë qëni,
Veç kështu shpëtojnë kryet,
Ndryshe s’do tu falet dëmi.
Se Vetingu, ah Vetingu,
Votat tuaja, fati i zi,
Merrni jepni, si kleringu,
Nga partia në parti.
Po afrohet çasti juaj,
Domosdo, s’u zë më dhëmbi
Ndaj përpiqi, veç përpiqi,
Të vërtetën, si ta shëmbni.
Të shpëtoni bythën tuaj,
Luteni të prishet vëndi,
Me gogol të katrahurës,
Shqiptarin prapë ta trëmbni.
Më në fund u bë një ligj,
Që të jepni llogari,
Se gjithë jetën, ha e piq,
“Punambarë!” s’ju tha njeri.
Se gjyqtarët në gjykata
Nëpër radhët aq të gjata
Përmbi popullin fakir
Majtas-djathtas preu shpata.
Një e drejtë jo kurrë s’u dha
Për atë, që s’pati lekë
Dhe ndonjëri që u qa,
Mos o zot ngeli pa brekë.
Urra-burra me aksion
Gjoja keni bërë shtet,
Tridhjet vjet me korrupsion
Eh si ikën tridhjet vjet!
Ç’paska qënë fara juaj
Soj i keq prej sorollopi,
Merr e jep me njëri-tjetrin
Gjë e popullit s’u ngopi.
Merr e jep me njëri-tjetrin
Ju ushqyet nepotizëm,
Gjithë krijim i sërës suaj,
Sot përkthehet “Pluralizëm”
S’pati vallë burra të tjerë,
Toka që polli luanë?!
Veç çakej e ca hiena
Laj e thaj, po aq sa janë!
Ca hajdutë, që lanë skutat,
Ca mjeranë militantë,
Që ortakë u bënë me hutat,
Sot na shiten për gjigandë.
Me mandat të deputetit,
Shesin pordhë e shesin mënd,
Jo, o popull, halli i tyre,
S’ka qënë kurrë, ky halli tënd.
Ti ia jep votën partisë,
Kryetari zgjedh të tjerë,
I vunë ferrën Shqipërisë,
Ca nallbanë e ca berberë.
Për një ligj, që s’e bëtë ju,
Por e solli Amerika..
Sot po bridhni hu më hu,
Gjer në palcë ju hyri frika..
Më në fund ja ranë në gju,
Krimi bashkë dhe politika,
Në u bëftë ç’them këtu,
Dhe gjyqtarëve u ra pika.
Ligjin që votuat vetë,
Domosdo që s’u pëlqen,
E votuat, veç me dorë
Se me shpirt u bëtë legen..
Pa e çuat, ku s’e çuat,
Në Venecie, në Bruksel,
Por mjerisht n’ato duar,
Dopio gjashta prapë u ngel.
Në foltoret e Evropës,
Ulëritët e bërtitët,
Si mjerimit Shqipëtar,
Të pafund t’i zgjaten ditët!
Vetëm juve mos u preket,
Nami edhe prona juaj,
Dhe të bëni çfarë t’u teket,
Mbi këtë vend, si n’mall të huaj.
Po ku jeni ju o trima!
USA-s ju i rrojçi lesht!
Se nga vatha ku ju futi,
Do ju rjepi porsi desht.
“Or aman, aman!” do luti,
Gjithë të vënë në një rresht,
Gojës së madhe të ndëshkimit
S’keni forcë t’i thoni “hesht!”
Gjithçka vodhët do t’a ktheni,
Duke derdhur jargë e lot,
Ah veç vitet që na ikën,
Veç ata s’na kthehen dot.
Erdhi ora e ndëshkimit
Ja kambana gjëmoi “bamb”
Që të gjithë veprat e krimit,
Do t’ju kthehen bumerang.
Se karrierën, ju e nisët
Si çunakë të dalë nga veza,
Kakarisët, kakarisët,
Dhe u frytë porsi këndeza.
Vidh e rip u bëtë të pisët,
Të pa shpirt, zemra të zeza,
Kriminelë u katandisët,
Nëpër vite, nëpër breza.
Por harruat, ju harruat,
Se vjen ora, vjen një ditë,
Ligji, që lind si Feniksi
Të ndal dorën, të thotë “pritë!”
Dhe ai s’do njohë klane,
As pushtet, as opozitë,
Doni s’doni do të shkoni
Një më një të gjithë në sitë!
Abuzuat me besimin,
Q’u dha i gjori popull,
Tash, or tash prisni ndëshkimin,
Që ju vjen mbi koka rrotull.
Ëndrrat tuaja si sulltanë,
Veprat e lëna përgjysëm,
Si vegim do u rrinë pranë,
“Eh-do thoni “si u ngrysëm?!
Ku na vanë ditët e arta,
Që bëmë lojra dhe skenarë?”
Dhe pozitat, aq të larta,
Në pushtet si pashallarë”.
Do i luti pastaj Zotit,
“Zot, o Zot, o Zot na thuaj!
Çka s’na bëri dora jonë,
Po na tredh një dorë e huaj”
Ju tesera, ju tesera!
Dokumenta aq të dhjera,
Ju diplomat dje të blera,
Sot e mot u qelbet era..
Zutë gjykata, digastera,
Hiç pa patur fare vlera,
Bëtë ankande, bëtë tendera,
Sollët ditët më të mjera.
Gjithçka hodhët në kumare,
Ulëritët si tellalli,
Pare, pare, vetëm pare,
Konvertohej gjëma, halli.
Erdhi çasti, doli ligji,
E me të po bëni xing,
Para tij ju do përgjigji,
Dhe ky ligj quhet “VETING”