Berisha ka folur lidhur me kundërshtimin e tij për ndarjen e Kosovës, veprim që sipas tij është bërë shkak për lobim kundër tij.
“Miqtë e mi, në vitin 2013, unë dhe PD dhe ju së bashku dorëzuam pushtetin, dolëm në opozitë. T’u them ju të vërtetën, në opozitë ato vite kam qëndruar absolutisht thjesht si një avokat i interesit publik, i të vërtetave, të cilat i interesonin publikut. Nuk kam kërkuar asnjë funksion, jam përpjekur thjesht të ndjek jetën time private. Por ama, kam nxjerrë në dritë, kam denoncuar siç e dini, çdo ditë vjedhjet e tmerrshme të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Kam denoncuar, pa marrë parasysh asgjë, sarajet e Surrelit të ndërtuara në një kohë kur ai kishte të deklaruar 3800 euro. Pallatin e zonjës së tij në pajë, të ndërtuar pa asnjë faturë. Kam denoncuar pa u lëkundur lidhjet e vëllait të tij me grupin e Xibrakës, lidhjet e Olsi Ramës me uzinën më të madhe të miellit të bardhë në Ballkan.
Kam vazhduar me armën e të vërtetës të denoncoj çdo akt, çdo vjedhje, çdo lidhje të tij me krimin. Kam denoncuar aktet e tradhtisë së tij të madhe kombëtare ndaj Kosovës. I them këto për çdo qytetar, i përsëris dhe njëherë se arma më e fuqishme, arma e të gjitha armëve është e vërteta. Në kohën kur kundërshtova ndarjen e Kosovës, të dy qeveritë së bashku me Vuçiçin lobonin me dhjetëra e dhjetëra milionë euro kundër Sali Berishës. Por unë vazhdoja me besimin tim te e vërteta, se ajo që po bëhej në Kosovë ishte një nga padrejtësitë e dyta të mëdha ndaj kombit shqiptar. Ajo përbënte një nga aktet më madhore korruptive. Edi Rama përdori të gjithë institucionet e tij për të kontrolluar me lupë me qindra vendime të Sali Berisha. Me qindra urdhra të tij dhe mijëra. Dhe gjeti zero, gjeti zero, gjeti zero,” tha Berisha.