Ballina Ekonomia Konsumi i karburanteve në 2023 prek “majat” – U zhdoganuan më shumë...

Konsumi i karburanteve në 2023 prek “majat” – U zhdoganuan më shumë edhe cigare, birrë, kafe

126
0

2023-shi do të regjistrohet si një nga vitet ku zhdoganimi i mallrave të akcizës si karburantet, cigaret, birra dhe kafeja, kanë shënuar vlera të larta të paktën në 5 vitet e fundit. Referuar të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, konsumi i karburanteve shënoi rekordin prej 614,537 ton, më e larta e këtyre viteve, duke sjellë në buxhetin e shtetit të ardhura pak më të larta se 48 miliardë lekë.

Por, kjo shifër mund të kishte qenë edhe më e lartë nëse gjatë vitit që sapo u mbyll nuk do të mbizotëronte hegjemonia e lekut, ndaj valutave kryesore. Ndër 20 mallrat kryesore, karburantet kanë peshën më të madhe në buxhet, duke zënë 22,1% të të ardhurave. Rekordi i zhdoganimit për karburantet është regjistruar në pikun e sezonit turistik, gjatë muajit gusht me 65,569 ton.

Një rekord tjetër në 5 vitet e fundit ka regjistruar edhe importi i birrës, që gjithsesi me 3,276 miliardë në buxhet, zë një peshë modeste përsa I përket të ardhurave me vetëm 1,51% të totalit. Zhdoganimet për këtë produkt janë në nivelet më të larta të viteve të fundit dhe gushti ka shënuar rekordin e importit. Dyfishimi i akcizës së birrës në 710 lekë për hektolitër nga 1 janari 2023 ka favorizuar më shumë importin dhe ka filluar të japë efekte negative për fabrikat e birrës në vend, të cilat u detyruan të rrisnin çmimin e produktit final.

Në të njëjtën periudhë krahasimore, cigaret kanë shënuar një rritje të lartë të importeve, duke arritur në 3,186 ton në fund të vitit të kaluar, duke sjellë në buxhetin e shtetit të ardhura prej 28,878 miliardë lekë. Pas karburanteve, cigarette zënë vendin e dytë sa I përket të ardhurave me 13,31% të totalit. Muaji shtator ka shënuar rekordin e zhdoganimeve për cigaret me 435 ton. Ashtu siç ka nodhur gjithnjë përpara rritjes së akcizës, edhe vitin e kaluar kompanitë importuese nxituan gjatë shtatorit për të zhdoganuar cigaret me taksë më të ulët akcizë. Dhe ndonëse rritja e akcizës do të hynte në fuqi nga 1 janari 2024, ajo u krye në mesin e muajit nëntor, duke u reflektuar në çmimin final të shitjes me rreth 20-30 lekë.

Përsa i përket kafesë, importi i këtij malli u regjistrua në 8,612 ton gjatë vitit të kaluar, ku referuar të dhënave zyrtare, në 5 vitet e fundit zhdoganimet më të larta ishin në vitin 2021 me 8,941 ton. Për këtë produkt, muaji gusht ka shënuar rekordin e zhdoganimeve me pak më shumë se 1 mijë ton.

Si rrjedhojë e sasive të larta të zhdoganimit të katër mallrave të mësipërm, të ardhurat e akcizës në buxhet për vitin e kaluar ishin më të mirat e 5 viteve të fundit duke arritur në 58,627 miliardë lekë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu