Ballina Rajoni Zbardhet dëshmia e plotë e 50-vjeçarit shqiptar që vrau kunatin

Zbardhet dëshmia e plotë e 50-vjeçarit shqiptar që vrau kunatin

78
0

Vrasja e Erjon Pelivanit nga kunati i tij, Fatmir Talellari në Greqi ka tronditur tërë opinionin publik në shtetin fqinj dhe në Shqipëri. Shkak u bë arsyeja e këtij krimi. Erjon Pelivani, 33 vjeç, kishte abuzuar seksualisht dhe përdhunuar për disa vite me vajzën e Talellarit, të cilën e kishte me gruan e parë. Përveç kësaj, ai e shantazhonte me një video intime se do ta nxirrte në internet duke i zhvatur në këtë mënyrë para.

Sebep për zbulimin e të gjithë ngjarjes u bë pagesa e qirasë së 18-vjeçares e cila kishte mbetur pa u paguar. Dinamikën e plotë të ngjarjes e ka treguar vetë Fatmir Talellari në gjykatë. Ai ka rrëfyer si u njoh me historinë dhe mesazhet që ka parë tek celulari i vajzës.

“Më 7 Janar u informova nga pronarja e shtëpisë së vajzës në Janinë se qiraja e apartamentit nuk ishte paguar. Ky fakt më shqetësoi pasi ia kisha dhënë paratë vajzës. E kontaktova në celular, por nuk më pëlqeu shpjegimi i saj. Vonë në mbrëmje shkova në Volos, në shtëpinë e vajzës tjetër për ta takuar dhe për të zbuluar çfarë po ndodhte. Pasi ia kërkova fort, sepse ajo ishte e frikësuar, hezituese dhe nuk donte të fliste, në fund më zbuloi se paratë ia ka marrë një person që e ka ngacmuar seksualisht dhe e ka përdhunuar në të shkuarën dhe tashmë e kërcënon se nëse nuk i jep para, do të më tregojë mua, por edhe njerëzve të tjerë nëpërmjet internetit, foto të tij dhe vajzës sime lakuriq. Ajo më tregoi disa mesazhe që e vërtetonin këtë, por nuk e zbuloi fillimisht identitetin e këtij personi. Për shkak të habisë kisha ndjenja zhgënjimi dhe më pas më pushtoi inati, por u përpoqa ta menaxhoja situatën. Shkova menjëherë pranë vajzës dhe i thashë se do ta dua gjithmonë dhe ta kuptojë se do të qëndroj gjithmonë krah saj. E nxita që të konsultohej menjëherë me një psikolog dhe një avokat për të na këshilluar mbi mbështetjen e nevojshme psikologjike dhe veprimet e nevojshme ligjore kundër autorit”, Shprehet ai.

Dramatike ka qenë momenti kur ka mësuar se përdhunuesi ka qenë vëllai i gruas së dytë. Talellari shpjegon se është ndjerë i goditur kur ka mësuar se është tradhtuar nga një person i besuar e që kishte akses të lirë në banesën e tij.

“Ajo më tregoi se ky person është vëllai i partneres sime, i cili si i afërm kishte akses të lirë në shtëpinë time, të cilin e kisha besuar në të shkuarën dhe e kam mbështetur e ndihmuar financiarisht. Ky zbulim ishte goditje përfundimtare për gjendjen time mendore që për momentin ishte e brishtë. Shtuar edhe gjendjes sime të mëparshme, ndihesha i tradhtuar nga një i afërm i besuar. M’u shemb toka, m’u errësuan sytë, dukshëm humbi edhe logjika, nuk mund ta menaxhoja më këtë situatë. Pasi qëndrova deri pasdite me fëmijët e mi, kohë gjatë së cilës na vizitoi edhe mësuesja e vajzës që e përgatiti për universitet nuk mund të qëndroja më në shtëpi dhe vendosa të kthehem në Argalasti”, shpjegoi ai.

Më pas tregon se ishte i fiksuar që të kërkonte një shpjegim nga kunati.

“M’u fiksua në kokë ideja për ta takuar kunatin dhe t’i kërkoja një shpjegim. Por sepse kunati im ka pasur një të shkuar të dhunshme (duke thyer gjëra në shtëpinë e prindërve të tij) dhe sepse ishte më i madh e fuqishëm si unë, kisha frikë se gjatë takimit pasi t’i zbuloja çfarë kisha mësuar, jeta ime mund të ishte në rrezik. Për këtë arsye mora çiften time të gjuetisë, të cilën e kam me leje dhe u nisa drejt Volosit. Para se të arrija në Volos, mendova se nëse e telefonoja vetë kunatin ai do të ishte dyshues dhe nuk do të më takonte pasi nuk kishim më kontakte të veçanta. Kështu që i kërkova partneres të telefonojë të vëllanë dhe t’i kërkojë të më ndihmojë me pretendimin se më kishte rënë goma e makinës”, thotë ai.

Në fund ai tregon detajet se si ndodhi vrasja. Sipas Talellarit, Pelivani ka qeshur me ironi kur i është kërkuar të japë shpjegime për këtë ngjarje. Këtu, Talellari pretendon se 33-vjeçari ka vrapuar në drejtim të tij dhe e ka sulmuar. 50-vjeçari shprehet se këmbëza është tërhequr pas një përleshje dhe ai nuk pati qëllim që ta vriste.

“Kunati erdhi drejt meje, parkoi makinën në krahun e kundër të rrugës, e kaloi atë dhe lëvizi drejt meje. Para se të më afrohej, i bërtita me zë të lartë “pse e përdhunove dhe shkatërrove vajzën time?”. Ai pavarësisht faktit se e pa qartë se kisha armën që e mbaja jo vetëm që nuk dha asnjë shpjegim, por buzëqeshi me ironi dhe vrapoi duke ndryshuar drejtimin herë pas here, duke u përpjekur të më sulmojë dhe të më marrë armën. Për të mbrojtur veten e godita me tytën e armës në kokë dhe gjoks dhe ai u rrëzua. Përsëri në vend që të tërhiqej ai u ngrit dhe më sulmoi përsëri. Më pas u përleshëm. Ai u përpoq të më largonte përsëri armën dhe më pas duket se gjatë përleshjes u tërhoq këmbëza, arma u shkrep dhe kunati im u godit për vdekje. Nisur nga sa më sipër, vdekja e kunatit erdhi si pasojë e goditjes me armë gjatë përleshjes sonë, pa pasur qëllim që ta vras nga ana ime”, thotë ai.

Talellari shprehet se ngjarja ka ndodhur teksa ai ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike pas rrëfimeve të vajzës dhe fotove që ka parë në celularin e saj.

Kujtojmë se 50-vjeçari Talellari u la në arrest shtëpie pas kësaj ngjarje. Media greke, Zougla shprehet se të premten kjo çështje do të shqyrtohet edhe nga Këshilli Gjyqësor që do të vendosë mbi fatin e shqiptarit. Talellari mbrohet nga Alexis Kougias, i cili është një nga avokatët më të njohur në Greqi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu