Ballina Opinion Demokratët në kërkim të një demokracie ndryshe

Demokratët në kërkim të një demokracie ndryshe

116
0

Nga Skender Kapiti

Partia Demokratike tani po na rezulton me një politikë të tillë: “çdokush vetëm për vete dhe kundër të tjerëve”. Këtë po e tregon dhe vërteton sjellja e deputetëve aktual të PD-së, të cilët më shumë merren me njëri-tjetrin se sa kundër korrupsionit të qeverisë dhe për interesin publik dhe të demokratëve. Vërehet kjo te akrobacitë politike dhe te dukjet publike, vërehet synimi i tyre vetëm e vetëm që këta ta marrin e sigurojnë edhe një mandat tjetër deputeti. Dhe kjo po bëhet një kulturë e model i cili e mban PD-në, apo më saktë po i mban copat politike të saj të mbyllura brenda një rrethi vicioz me synim për të shfrytëzuar mundësi, përfitime e favore personale edhe po qe se ata mbeten përjetësisht në opozitë për ta kjo nuk përbën fare shqetësim. Demokratët duke e parë dhe duke e ndjerë se janë të braktisur dhe të tradhtuar nga lart dhe nga deputetët, dhe duke e humbur shpresën te ndryshimi, atëhere ata kalojnë në indifentizëm, pajtohen me realitetin dhe madje edhe largohen nga Shqipëria të cilat po i kushtojnë shumë shtrenjtë Partisë Demokratike.

Koha vërtetoi se elita politike drejtuese e Partisë Demokratike ka manipuluar dhe ka vepruar në marrëdhënie pabesie dhe të pasinqerta me demokratët dhe me anëtarësinë e PD-së, pra edhe me votuesit e saj sepse kjo elitë e ka trajtuar PD-në si organizatë jodemokratike dhe si pronë private. Tashmë besoj se demokratët janë bindur se duhet një demokraci ndryshe së pari në vetë Partinë Demokratike dhe për ta luftuar e për të dalë nga kjo gjendje në mënyrë efektive dhe reale duhen prishur marrëdhëniet me elitën e vjetër politike dështake dhe të falimentuar dhe duhet që demokratët të ndahen përfundimisht prej elitës së vjetër politike të PD-së, demokratët duhet të ndahen nga trashëgimia komuniste dhe nga korrupsioni. E them këtë sepse kjo kohë tranzicioni nxori në pah se Partia Demokratike paska qenë pa demokracitë të brendshëm dhe se ka funksionuar si një parti autokratike ku ligjin në PD e paska bërë kryetari dhe elita politike e hekurt e cila e paska parë dhe trajtuar PD-në si pronë dhe përdorur atë si mjet dhe anëtarësinë e saj e ka përdorur si material njerëzor për avokati politike dhe për interesa të Kryetarit dhe të grupeve të interesit. Dhe një keqfunksionalitet i tillë jo demokratik pashmangshmërisht e boi PD-në në derexhenë e sotme të korruptimit, fragmentarizimit, përlarjes, të humbjes së autoritetit dhe të humbjes edhe të besimit nga publiku.

Prandaj nëse demokratët nuk angazhohen në kërkim të një demokracie ndryshe, që do të thotë se nëse demokratët vazhdojnë e zhagiten në këtë gjendje të pandryshuar, PD-ja do konsumohet akoma më tej, do rrudhet e do pakësohet e ndoshta do shkojë deri në shpërbërje. Aktualisht dhe faktikisht Partia Demokratike është ndarë, në dukje në dy pjesë e ndoshta edhe më shumë akoma. PD-në është vështirë dhe krejtësisht e pamundur që ta bashkojë e vjetra, nuk mund ta bashkojnë atë as deputetët aktualë të saj dhe as ata të cilët kërkojnë që të ruajnë privilegjet, pra nuk mund ta bashkojnë ata prej të cilëve PD erdhi dhe mbërriti deri këtu e kështu si mos më keq. Prandaj që demokratët e vërtetë që të mund ta shpëtojnë PD-në nga shpërbërja duhet të kërkojnë alternativën politike ndryshe nga ajo se çfarë PD ka pasur dhe që ka deri më tani. PD duhet të ndahet përfundimisht nga tranzicioni, nga korrupsioni dhe nga e vjetra e ‘non-grata’.