Ballina Politika Hasani në Bruksel: Nevojë për qasjen e një procesi më të besueshëm...

Hasani në Bruksel: Nevojë për qasjen e një procesi më të besueshëm dhe më të parashikueshëm anëtarësimi

119
0

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, mori pjesë në takimin e 17-të të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri. Mësohet se gjatë fjalës së tij, Hasani u ndal tek zhvillimet e fundit në lidhje me implikimet që ka sjellë agresioni Rus ndaj Ukrainës për sigurinë në Evropë dhe natyrisht edhe për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas ministrit, përgjigja e vetme ndaj këtyre sfidave është forcimi i bashkëpunimit strategjik mes vendeve të rajonit dhe BE-së në të gjitha dimensionet, sidomos në çështjet e politikës së jashtme, forcimit të sundimit të ligjit, si edhe në çështjet e zhvillimit ekonomik. Ai nënvizoi faktin se realitetet gjeopolitike në Rajonin e Ballkanit Perëndimor kanë sjellë nevojën për vendimmarrje të guximshme, të pandikuara nga përpjekjet për politizim të procesit për interesa të momentit.

“Kemi nevojë për qasje që ndihmojnë në zhvilimin e një procesi më të besueshëm dhe më të parashikueshëm anëtarësimi, çka i shërben ruajtjes së ritmit të reformave, forcimit të mbështetjes qytetare ndaj procesit, por edhe përmbylljes në një kohë optimale të një procesi që vazhdon prej gati dy dekadash”, thotë Hasani.

Gjatë takimit u diskutua rreth Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të propozuar nga Komisioni Evropian, si mjeti më efikas me të cilin rajoni do të filloje të përfitojë gradualisht akses më të zgjeruar në tregun e vetëm të BE-së, si dhe do të zvogëlojë hendekun zhvillimor ekonomik mes tij dhe BE-së.