Kryetari në detyrë i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro është paraqitur në SPAK ditën e sotme (23 janar). Kjo është hera e tretë që Goro merret në pyetje në Prokurorinë e Posaçme.
Më 17 janar pasi u mor në pyetje për rreth tre orë, Goro u tha gazetarëve se ishte paraqitur për të dhënë shpjegime por pa dhënë detaje të tjera. Mësohet se bëhet fjalë sërish për padinë që ka bërë ndaj tij, kryebashkiaku i zgjedhur Fredi Beleri i cili mbahet në paraburgim.
Kujtojmë se në kallëzimin penal të kryer nga Fredi Beleri, ai akuzon kryetarin Jorgo Goro, se ka trajtësuar një pronë në favor të të tretëve, pronë e cila pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka.
Më konkretisht, bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 5512 metra katrorë, të përfituar në mënyrë të parregullt nga Foto Pavllo Mëhilli.