Policia britanike ka arrestuar një 30 vjeçar shqiptar i cili ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2019 për vrasjen e 24 vjeçarit maroken Soufin Mhara të cilin e goditi me thikë jashtë një lokali në Spanjë.
Pas arrestimit, pritet ekstradimi i tij drejt Spanjës. Por në njoftimin e policisë spanjolle theksohet se i riu shqiptar është i përfshirë edhe në një organizatë të trafikut të drogës në Angli.
Siç raportohet nga Gjykata e Lartë e Drejtësisë së Galicias, i arrestuari do të mbërrijë nesër në Spanjë, pas së cilës do të sillet para një gjykate për futjen e tij në burg.
Për identifikimin e të dyshuarit, kanë qenë thelbësore procedurat e kryera në kuadër të hetimeve të drejtuara nga gjyqtari i O Porriño, ndër të cilat bien në sy deklaratat e dëshmitarëve, të cilët kanë kontribuar edhe me video dhe fotografi nga dita e ngjarjes.
Fotografia e vrasësit, i cili u largua nga vendi i ngjarjes pasi kreu krimin, tregonte një profil të pjesshëm të një mashkulli dhe u publikua në media në fund të vitit 2020.