Avokatja e Popullit Erinda Ballanca foli në një emision televiziv mbi rekomandimet për ndryshime ligjore në Kodin e Familjes dhe Kodin Penal, që mosha minimale për martesë të jetë 18 vjeç. Ballanca thekson se parashikimi ligjor që të ketë raste përjashtimore ku të lejohen martesat nën 18 vjeç nga gjykata ka sjellë në problematika. Megjithatë ajo thekson se numri i martesave ku përfshihen vajza nën 18 vjeç ka ardhur në rënie dhe në vitin 2022 janë regjistruar zero raste. Avokatja e Popullit vë po ashtu në dukje se ka një rritje të denoncimeve mbi dhunën në familje, dhe jo vetëm.
“Kodi i Familjes përcakton se cila është mosha e duhur për martesë, ku shprehet se martesa lidhet mes një burri dhe një gruaje që kanë mbushur 18 vjeç, por po aty, pas këtij parashikimi të përgjithshëm, ka edhe një përjashtim, dhe thuhet për raste përjashtimore gjykata mund të vendosë lidhjen e martesës edhe para kësaj moshe. Mundësia e lejimit ndonëse e kufizuar është një mundësi që ka çuar në trajtimin e këtyre problematikave. Ka raste në të cilat vajzat e reja mendojnë se duan dikë dhe mendojnë se përmes martesës do shpëtojnë nga qëndrimi i familjes, apo mosdakordësia e familjes për rastin e lidhjes së martesave.
Unë kam edhe statistikat, ku sipas INSTAT në vitin 2018 është lejuar martesa për 24 vajza të mitura, në 2019-ën 20 dhe më tej 16. Ka ardhur gjithmonë duke u ulur dhe në vitin 2022 s’ka pasur asnjë martesë të hershme të miratuar nga ana e gjykatës. Por nuk kemi statistikë për një numër shumë të madh rastesh bashkëjetesash që s’janë të regjistruar dhe s’kërkojnë miratimin përkatës. Problemi që ka lindur në rastin konkret është evident, sepse konsiderohet nga mbarë bota e qytetëruar që merret me të drejtat e fëmijëve, se martesa nën 18 vjeç cenon të drejtat e fëmijëve. Këtë s’e thotë vetëm BE, dhe konsiderohet avangardë në garantimin e të drejtave të njeriut, por organizata e OKB, që përfshin jo vetëm vende të BE por edhe më gjerë duke përfshirë edhe botën islame.”, tha Ballanca.
Ballanca shprehet se një martesë në xhami nuk nënkupton asesi një martesë reale dhe zyrtare.
“Feja në Shqipëri është e ndarë nga shteti dhe brenda për brenda parashikimeve ligjore secila prej kulteve, apo gjithë organizatës së fesë do duhet të zbatojë rregullat e saj pa rënë ndesh me rregullat e shtetit shqiptar. Në këtë vend, pavarësisht se ata mund të kenë pasur një konsensus, apo një aprovim në njërën prej xhamive të qytetit, asesi kjo s’do të thotë që është e barazvlefshme me një martesë reale, asesi s’do të thotë që personi ka lidhur një martesë zyrtare, por personi do të tregojë intencionet e tij pozitive ndaj kësaj të miture, por s’e bën as të lejushëm para ligjit, as të pranueshëm në nivel shoqëror, dhe aq më pak në nivel moral.
Policimi në komunitet e ka të pamundur të monitorojë çdo shtëpi. Ajo që ne bëjmë është krijimi i fushatave të mëdha ndërgjegjësuese dhe krijimi i mundësisë që njerëzit të denoncojnë. Kemi një rritje jo të vogël të numrit të denoncimeve, qoftë sa i përket dhunës në familje. Ka rritje të raportimeve në Shqipëri në lidhje me këtë çështje. Avokati i Popullit ka bërë rekomandime në mënyrë të vazhdueshme për të ndryshuar si Kodin e Familjes dhe Kodin Penal. Për të adresuar disa problematika si marrëdhëniet seksuale me të mitura nga persona të rritur ashtu edhe për të adresuar çështjen e martesave të hershme.
Unë mendoj se ka një avancim të madh të të drejtave të fëmijëve, e drejta për t’u dëgjuar, për t’u marrë mendimi i fëmijëve, për të nxënë, për të krijuar individualitet. Por ka edhe çështje që kemi bërë hapa mbrapa, që ka të bëjë me mbylljen e një numri shkollash, ku një pjesë studiojnë në klasa kolektive, dhe ka raste kur duhet të udhëtojnë gjatë për të shkuar në shkollë”.
E pyetur mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të lënë në fuqi paktin Rama-Meloni për emigrantët, Ballanca shprehet:
“Avokati i Popullit nuk mendon që parimisht marrëveshje të tilla janë anti-kushtetuese. Por për sa i përket kësaj marrëveshje ne kemi konsideruar që në disa aspekte cenonte të drejtat e emigrantëve, cenonte sigurinë juridike që kanë autoritetet për t’u ardhur në ndihmë, dhe për të trajtuar disa elementë që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të grave dhe fëmijëve”, përfundoi Ballanca.