Vullnet Gjolla, drejtor i bujqësisë në Korçë tha në një emision televiziv, se mollët që prodhohen në Korçë mund të mbulojnë të gjithë konsumin që ka Shqipëria për këtë produkt.
Sipas Gjollës, fermerët korçarë hedhin në kanal prodhimet me cilësi të ulët.
“Fermerët korçarë nuk lënë asnjë pëllëmbë tokë pa punuar. Ka problematika në prodhimin e produkteve bujqësore dhe shitjes. Jemi sektor këshillimi, japim këshilla për të dalë me prodhim më cilësor që të jemi të konkurrueshëm. Jemi vend i hapur dhe duhet të jemi konkurrues jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë. Ne si sektor kemi detyrë t’i këshillojmë fermerët si të prodhojmë me cilësi të lartë dhe kosto të ulët.
Ajo që thatë më lart, shpeshherë ka çmime të larta të produkteve dhe produkte që nuk ka kërkesë në treg.
Korça prodhon 80-100 mijë tonë mollë në vit. Shqipëria konsumon rreth 113 mijë tonë mollë në vit.
Molla mund të mbulojë konsumin që tregu shqiptar ka. Me rritjen e numrit të turistëve ka nevojë më shumë. Sa i përket problematikave për çmimet, apo të një produkti që nuk shitet, u bëj me dije se kemi 52 frigoriferë, kemi kapacitete ruajtëse, pra produktet mund të dalin në treg jo vetëm në sezon.
Ne shohim që një pjesë e fermërëve pretendojnë se e hedhin prodhimin, e vërteta është se janë produkte me cilësi jo të lartë, produkte që nuk i kërkon tregu.
Edhe këtë vit kemi pasue skema të reja të subvencioneve, duke filluar nga skema për blegtorinë, bletarinë, bujqësinë në serra, vazhdojmë me pjesën e skemës që ka të bëjë me certifikimin e produkteve.
Kemi qenë pjesë subvencioneve, qoftë pjesë të skemave kombëtare, apo pjesë të skemave nga BE. Qeveria ka pasur dhe do të ketë skema subvencionuese që çojnë në uljen e kostove të produkteve.”, tha Gjolla.