Nga Abdurrahim Ashiku, Janar 2024
Një shkrim nën “DIKTATURË” – “Matrapazët zhveshin pyllin”…Një shënim nën “DEMOKRACI” – Sot, më se tri dekada më vonë…Dhe një “kokë ulje” profesionale…
Në Lurë mëson se kooperativa ka në plan të prodhojë 100 mijë bishta kazmash, lopatash e kosash. Për këtë ka lidhur edhe kontrata. I ka paguar edhe detyrimin ndërmarrjes së pyjeve për damkën e caktuar. Kooperativa i paguan kooperativistit, nëpërmjet ditës së punës, 1.5 lekë për çdo bisht. Vetë, duke përballuar edhe shpenzimet e transportit etj., merr 6 lekë për çdo copë.
Po çfarë ndodh?
Disa matrapazë, duke dashur të përfitojnë në rrugë të padrejtë, kanë arritur t’u diktojnë kryesive të disa kooperativave bujqësore zbatimin e një vendimi që nxit grumbullimin e bimëve mjekësore, për të zbatuar atë edhe për grumbullimin e bishtave të veglave të punës. Sipas këtij vendimi, kooperativisti që mbledh bimë mjekësore merr 80 për qind të vlerës, kurse 20 për qind të saj i merr kooperativa ku ai i dorëzon. Matrapazët po i shesin pra bishtat për bimë mjekësore! Nga kjo ata sigurojnë të ardhura të mëdha në dëm të kooperativës.
Konkretisht, për 10 mijë bishta kooperativisti paguhet nga matrapazi 5000 lekë më shumë (nga 1.5 ai e shet 2 lekë copën). Matrapazi i merr këto bishta me “mjetet e veta” dhe ia shet ndonjë ndërmarrje në Tiranë, Shkodër etj. ku ka “lidhur kontratë në emër të kooperativës”, kuptohet jo të Lurës, por të Çidhnës, Fushë-Çidhnës, Reçit, të Kalisit të Kukësit etj.
Kështu kooperativa e Lurës dëmtohet, kurse nga mijëra bishtat matrapazi fiton dhjetëra mijëra lekë. Hollësitë e kësaj llogarie duhet t’i dinë të gjithë ata që marrin pjesë në këtë allishverish.
Po cilët janë ata?
Në Lurë na i treguan me emër e mbiemër, me targa makinash e adresa të plota.
Xhelal Marku faturoi makinën me targë TR.02745 për të marrë 16 mijë bishta në Lurë. Halil Buci me banim në Kodër Kamzë të Tiranës ka marrë për llogari të NB-Banesa në Tiranë 123.120 bishta. Ali Kaca, me banim në Tiranë, ka marrë 20 mijë bishta. Faik Hasanlama nga Kalisi i Kukësit erdhi në Lurë më 2 nëntor me makinën me rimorkio Sh.25648, për të marrë bishtat e veglave që Sali Bodini, po nga Kalisi, i kishte blerë në Lurë.
Këto të dhëna janë vetëm të datave 1-2 nëntor. Po ta ndjekësh, zinxhiri është më i gjatë dhe jo vetëm në Lurë.
Interesant është se makinat për marrjen e bishtave kanë ardhur në Lurë bosh, me firma e me vula, me dokumente të rregullta !
Interesant është se makinat e Dibrës me rimorkio, të vëna në dispozicion të kooperativës së Lurës për të dërguar bishta të veglave të kontraktuara me Elbasanin, agjencia e Rrëshenit i ktheu mbrapa. Madje kontrolli i shfrytëzimit të mjeteve, Alfred Prendi, i prishi dokumentet duke i thënë shoferit e furnitorit se “veglat duhet t’i çojë kooperativa me mjetet e veta”!
Pasoja: kooperativa e Lurës ka gjendje 30 mijë bishta. Agjencia e Rrëshenit nuk lejon t’ua çojë ato degëve të furnizimit të bujqësisë në Elbasan e Vlorë. Në të njëjtën kohë dhjetëra mijëra bishta të tjerë, me dokumente të rreme, kalojnë në këtë rrugë pasi firmosen e vulosen nga agjencia e Rrëshenit dhe ndonjë tjetër.
Një problem tjetër: në Lurë kanë ardhur një grup prej 5 vetash nga Shkodra dhe me mjetet e tyre po distilojnë gjethet e pishave për të bërë esencë “për kooperativën”. Dorëzimin e kanë marrë përsipër ta bëjnë vetë. Interesante është se vetë kooperativa e Lurës ka gjendje esencë e cila nuk i është marrë, sepse “nuk plotëson kushtet”. Distilatori i ndërmarrjes pyjore në Lurë nuk punon për të njëjtin motivacion, se nxjerrka “esencë jashtë cilësie”. Dhe na del që një shofer shkodran që ka braktisur zanatin, me 4 shokë, prodhon “esencë të mrekullueshme” që “mezi e presin në Durrës”! Vjet ata ishin në Zerqan, kurse sivjet kanë dalë në Lurë!
Mbi pyjet e bukura të Lurës, por edhe gjetkë, ngjajnë këto veprime të dënueshme. Autorëve të tyre duhet tu ndalet dora. Duhet parë për t’i ndryshuar me ngut edhe disa rregulla që u japin liri veprimi këtyre matrapazëve
Abdurahim Ashiku/ “Zëri i Popullit” 10 nëntor 1989
NJË SHKRIM QË MË VURI NË GIJOTINËN E REGJIMIT, GATI TË MË “PRESIN KOKËN”
Pas botimit (me disa shkurtime për mos “nxirë realitetin”) u dha alarmi. Në zyrat poshtë dhe në zyrat lart, në rreth dhe në Tiranë. Ndjeja shikim me sy tjetër, me arrogancë e me mëshirë. Kisha shkelë në interesa, vetjake dhe zyrtare. Një koleg, emri i të cilit figuronte midis aradhes së shkatërruesve të pyllit, nuk më linte të qetë tërë ditën, nga mëngjesi në mbrëmje. Më betohej me çfarë kishte se nuk ishte ai por një tjetër me emrin si të tij. E besova. I kërkova redaktorit që të bënte një rektifikim në gazetë. E bëri. U qetësua. Edhe unë u qetësova Nuk më mori më…
Nga Tirana vijnë tre vetë nga Kontrolli i Shtetit. Me të, dhe me kryetarin e kontrollit të shtetit të rrethit të Dibrës udhëtuam për në Lurë.
Udhëtim vjeshte, udhëtim kur vetëm ahu ndër drurët e pyllit zhvishet, hedh rreth kurorës së vet gjethe të verdha që dimri i nxin për t’i kthyer në humus, ushqimi i përjetshëm i pyllit.
U takuan me njerëz të ekonomisë, policisë e të pushtetit lokal.
U kërkova që të merrnim të përpjetën malit e të kundronim bukurinë e liqeneve të Lurës, bukurinë dhe begatinë e tyre. Diku, tek Liqeni i Zi, më i thelli por edhe më i bukuri, u bëra një fotografi. Nuk ma kërkuan dhe nuk mbaj mend ta kem stampuar asokohe.
Pas tri dekadash, tek zbardhja foto negativët e viteve të mia, i gjeta edhe ata, ekipin e plotë të ardhur nga Tirana dhe Peshkopia…
Kaq. Se çfarë shkruan e çfarë raportuan nuk e mora vesh kurrë.
Me mua autoritetet e larta të rrethit u mjaftuan veçse me ndonjë thumb në mbledhje të gjëra në sallën e komitetit të partisë, thumba që asokohe, për shkak të disa shkrimeve të “forta” ishin bërë breshër…
Erdhi “demokracia”. Lura, pishat e blerta të bukurisë së bukurisë shqiptare, që deri atëherë kishin provuar sëpatën, tash provuan sharrën motorike.
Jo një, por dhjetë, njëqind…
Lisat e mëdhenj binin njeri pas tjetrit si ushtarët në betejë kositur nga mitralozat.
Rruga rreth liqeneve, rrugë që në vitet ’60-të përshkoi tërë pyjet e Lurës duke u lidhë me Matin, rrugë që përshkohej nga ndonjë “ZIS” apo “IFA” me ngarkesë dru zjarri, shtylla miniere, lëndë ndërtimi… provoi se mund të mbante e përçonte makina nga më të rëndat, makina ngarkuar me trupa “arneni” fyell pushke të drejta…
Në më se tri dekada pyjet e Lurës u shkatërruan.
Cungjet e pishave shekullore, që dy krahë të hapur burrash nuk i mbërthenin ngjanin (dhe ngjajnë) si kunja të një varreze masive gjigande.
DHE NJË “KOKË ULJE” PROFESIONALE…
Ju përmenda një koleg, emri i të cilët ishte mes aradhes së matrapazëve të pyllit, koleg që “vura dorën në zjarr” dhe e shpëtova nga “flaka” e mundshme e kohës që të “mërdhinte” në Qafë-Bari.
Kolegu në një rrotullim gjysmë rrethi, u shndërrua në demokrat.
Një ditë, tek ndiqja një aktivitet të kohës me “miting e antimiting” në sheshin qendror të Burrelit, e shoh të qeshur e të gëzuar me aparat në dorë. Më sheh edhe ai dhe ndërsa i afrohem ta takoj, ai ngre dorën lart, si tra postblloku, dhe krenar më thotë:
“Ai personi në shkrimin tënd isha unë”…
Mu prenë gjunjët.
Nuk e prisja.
Mbase prisja të më përqafonte fort e me zë të ulët të më thoshte: “Faleminderit! Më shpëtove jetën”.
Zgjodhi të më bërtasë nga larg, në mes të njerëzve.
Me arrogancë.
Një arrogancë që nuk e duron as toka as qielli.
I ktheva krahët.
E lashë në madhështinë e vet.
Kërkova Migjenin…
U ndala te “HISTORIA E NJENËS NGA ATO” (vepra-faqe 311)…
“Kush nuk e kujton? Kush nuk e kujton, or shok atë? Cilën? Cilën? – Atë! – Njenën nga ato! Po cila asht njena nga ato? Ato janë shum! Cili i ri (ose plak) nuk njef së paku dhetë nga ato?! Pse ato janë shumë. Pse shumë ka meshkuj, shumë ka pare, pra prandej duhet në numër relativ të kenë dhe trupna që shiten… Pra, kush asht njajo njena nga ato?
– Lukja! Lukja! A s’e kujtoni Luken? S’e besoj…shtiheni… Apo ndoshta po mohoni dhe se e njihni?”
Në Lurë, atje ku çdo gjë shkoi në zero, po mbjellin fidanë pishash…
Mirë bëjnë por që të rriten (po qe se i “ushqejnë e ujisin), të bëhen bimë të fuqishme që “nuk e mbërthejnë trungun dy krahë të hapur burri” duhen…NJË, DY, TRE shekuj, aq sa ishin pishat që i mbolli natyra…