Në Muzeun Historik Kombëtar u çel sot ekspozita unikale e koleksionit të jashtëzakonshëm të Paolo Rossit, djalit të artë të futbollit italian, që ngriti peshë edhe zemrat e tifozerisë shqiptare në vitet 70-80, e që ka shkëmbyer bluzat e tij me ato të legjendave të tjera botërore të atyre viteve.
Kryeministri Edi Rama i pranishëm në ceremoninë e çeljes së ekspozitës tha se “kush ka parë futboll në atë kohë nuk duhet ta lerë pa parë këtë ekspozitë të rrallë”.
Rama vlerësoi se Paolo Rossi shkoi përtej limiteve, por asnjëherë nuk humbi buzëqeshjen.
Sipas tij, Rossi “ka qenë një futbollist legjendar që ka lënë këtë botë me një kujtim të rëndësishëm”.
Për ne, vijoi kryeministri, futbolli ka qenë një imazh i një bote tjetër.
Rama theksoi po ashtu se ideja për çeljen e kësaj ekspozite në Tiranë ishte e legjendës së futbollit botëror, Arrigo Sacchi.
“U ndjeva i nderuar dhe krenar që Arrigo propozoi këtë ekspozitë. E di që Arrigo nuk është një person i lehtë dhe nuk bën ndere, por mendon atë që thotë dhe thotë atë që bën, që është një gjë shumë e rrallë”, tha Rama.
Në ceremoninë e çeljes së kësaj ekspozite ishin të pranishëm edhe legjenda e futbollit botëror Arrigo Sacchi, bashkëshortja e Paolo Rossi-t, Federica Cappelletti drejtuese e fondacionit “Paolo Rossi”, ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, kreu i FSHF-së Armando Duka etj.
Ekspozita në përkujtim të Paolo Rossit organizohet nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me ambasadën italiane në Tiranë.
Ekspozita tregon jetën e Paolo Rossit dhe legjendave të futbollit ndërkombëtar.
Midis sendeve personale, realitetit virtual, bluzave origjinale, intervistave, Topit të Artë dhe Këpucës së Artë 82, vizitori i ekspozitës do të mundë të hyjë në kontakt me një prej atletëve më të vlerësuar në historinë e futbollit kombëtar e atij ndërkombëtar.
Një kampion që ka bërë të ëndërrojë Italinë dhe Shqipërinë: “Paolo Rossi, djalë flori”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 24 shkurt.