I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka detyruar delegacionet e PS dhe PD të ishin bashkë në Uashington. Kështu u shpreh analisti Mentor Nazarko.
Ai komentoi për vizitën e Gazment Bardhit në SHBA dhe lëvizjet politike, të cilat mund të reflektohen prej tij pas kthimit në Shqipëri.
Sipas Nazarkos, kjo vizitë do ta ndihmojë Bardhin për të parë se ku synojnë Shtetet Bashkuara të Amerikës, në raport me konfliktin e brendshëm më Partinë Demokratike.
“Gabriel Escobar detyroi që delegacionet PS-PD në SHBA të ishin bashkë. Bardhi është I favorizuar edhe nga kredencialet që i japin paritë aleate, ata e shohin Bardhin si një figurë unifikuese, në një grupim të përkohshëm të së djathtës, që ato e quajnë federata. Ai duket se bashkon më shumë se Basha dhe shumë më shumë se Berisha. Nga këndvështrimi elektoral, a është Bardhi që ushtron tërheqje elektorale tek e djathta? Kjo është me pikëpyetje. Unë nuk e shoh kështu. Ai ka kultivuar një identitet, i cili është i ndryshëm nga ai i Berishës. Mesazhet që ai ka marrë nga SHBA, do ta ndihmojnë të qartësohet se ku rrahin dhe ku tentojnë SHBA. Pres që ai të demonstrojë vendosmëri, por nuk jam i sigurt se ai prodhon vota”, tha ai.