Ballina Bota Zgjedhjet në Pakistan, ekzekutohet kandidati i pavarur, makina bëhet shoshë nga plumbat

Zgjedhjet në Pakistan, ekzekutohet kandidati i pavarur, makina bëhet shoshë nga plumbat

38
0

Një kandidat i pavarur për zgjedhjet parlamentare në Pakistan është qëlluar për vdekje gjatë një aktiviteti për fushatën e tij elektorale. Vrasja e Rehan Zeb Khan, i lidhur me partinë Tehreek-e-Insaf (PTI) të ish-kryeministrit Imran Khan, ndodhi në një treg në Bajaur, ku drejt makinës së tij hapën zjarr persona të armatosur.

Tre persona të tjerë u plagosën në sulmin vdekjeprurës që ndodhi të mërkurën, një javë para hapjes së qendrave të votimeve.

Shteti Islamik Khorasan, ose ISIS-K, mori më vonë përgjegjësinë për sulmin ndaj Rehan Zeb Khan.

Kjo është vrasja e dytë e një kandidati në javët e fundit pasi Malik Kaleem Ullah, një kandidat i pavarur për Asamblenë Provinciale të Khyber Pakhtunkhwa, u qëllua për vdekje më 10 janar teksa po realizonte takime derë më derë.

Të shtënat e së mërkurës janë të fundit në një varg sulmesh në të gjithë vendin e Azisë Jugore, ku shënjestër janë kandidatët politikë dhe partitë.

Gjithashtu të mërkurën, rezidencat dhe zyrat e disa kandidatëve nga Partia Popullore e Pakistanit dhe zyra zgjedhore e Lidhjes Myslimane të Pakistanit u sulmuan në provincën Balochistan, duke lënë të plagosur të paktën 15 persona.

Të paktën një nga sulmet u mor përsipër nga Ushtria Çlirimtare Baloch, një grup separatist militant.

Në përgjigje të dhunës, Komisioni Zgjedhor i Pakistanit (ECP) thirri një takim urgjent të zyrtarëve të sigurisë të enjten për të diskutuar situatën e “përkeqësuar” të ligjit dhe rendit në dy provincat.

Të mërkurën, krerët e forcave të armatosura u takuan gjithashtu për një konferencë vjetore ku diskutuan vendosjen e mundshme të ushtrisë së vendit për të ndihmuar komisionin zgjedhor të sigurojë procesin.

Komisioni Zgjedhor e ka shpallur 8 shkurtin, ditën e zgjedhjeve, një festë publike për 240 milionë banorët e vendit.