Ballina Kronika Pas divorcit në Tiranë shkon në Zvicër që të punonte si dado...

Pas divorcit në Tiranë shkon në Zvicër që të punonte si dado fëmijësh, ajo që i ndodh është horror…!

87
0

Një investigim i botuar në revistën e njohur zvicerane Beobachter zbulon fakte tronditëse nga jeta e vajzave dhe grave nga Tirana që shkojnë në Zvicër, pasi lexojnë njoftime në internet nga familje që kërkojnë kujdestare për fëmijët.

Hetimi përfshin shumë raste. Ajo që bie në sy është që bëhet fjalë për vajza dhe gra të shtresës së mesme, përfshirë nëpunëse në administratë.

Një nga historitë është ajo që revista e identifikon me emrin e rremë Edlira.

Pjesë nga shkrimi publikuar në DITA:

“…Nëpunësja e re po përpiqej të rregullonte jetën e saj pas një divorci të shëmtuar. Një i afërm e vuri në dijeni për një punë në Zvicër. Ajo tregon se fillimisht ishte dyshuese, por i afërmi i saj e siguroi se një ndërmjetës do të kujdesej për gjithçka. Ai do të organizonte të gjithë udhëtimin për të dhe do t’i rregullonte një kontratë pune të ligjshme pas mbërritjes.

Ardita e besoi këtë nisur nga imazhi që ka për Zvicrën, me siguri juridike edhe për punonjësit si ajo. Kështu ajo fluturoi për në Zyrih e gëzuar.

Fillimisht, ajo kaloi disa muaj gjatë verës me një familje në Schaffhausen (në veri të Zvicrës). Por shpejt u zhgënjye nga puna. Për 600 franga në muaj, Arditës i duhej të kujdesej për tre fëmijë të vegjël dhe shtëpinë. Ajo na thotë në një bisedë telefonike se kishte rënë dakord për diçka tjetër. “Mendova se do të më duhej të kujdesesha vetëm për një fëmijë dhe jo të gatuaj apo pastroj. Kam punuar si kalë”, thotë ajo.

E mërzitur, ajo kontaktoi Qemalin, sekserin e saj. Ai i premtoi se do t’i gjente një punë të re diku tjetër, por në këmbim i kërkoi të paguajë një “tarifë ndërmjetësimi”. Ardita është gati të punojë shumë dhe për këtë ajo nuk turpërohet kur ai më në fund i ofroi një punë si pastruese në një klub të Zyrihut.

Gjatë pesë javëve që pasuan, Ardita punoi për 4 burra të ndryshëm. Për pjesën më të madhe të kohës ajo pastroi në restorante dhe bare, por kishte edhe ditë pa punë, kur thjeshtë rrinte dhe priste. Në disa raste atë e kaluan përtej kufirit në një qytet në Gjermani, ku pastroi hotele. Një nga punëdhënësit i mori pasaportën.

Paratë për punën, kontratën apo lejen e punës që i premtuan, ajo nuk i pa kurrë.

Protestat e Arditës bien në vesh të shurdhët. “Mos u shqetëso, paratë do të t’i japim së shpejti”, i thonë pronarët e restoranteve ku pastron. “Vetëm ki durim”, i thotë Qemali, i cili kishte premtuar se do të kujdesej për të gjitha formalitetet.

Ardita mërzitet gjithmonë e më shumë, protestat e saj bëhen më kërkuese. “Ku janë paratë e mia? Do të shkoj në polici”, thotë ajo. “Do të të shkosh në burg për punë të paligjshme”, kërcënon një nga punëdhënësit.

Ardita edhe sot nuk mund ta besojë, siç na ka thënë në telefon, që nuk mori asnjë cent pagë për punën e saj.

“I shkrova edhe motrës së një pronari restoranti”, thotë ajo, por burrat ose nuk reaguan fare ose u bënë agresivë. “Kurvë budallaqe, çfarë mendon se po bën? Turp i familjes tënde”, dëgjohet të thuhet në një nga mesazhet zanore që Ardita na jep.

Ne kemi dhjetëra screenshot-e nga ekrani i telefonit të saj dhe po ashtu histori bisedash, që konfirmojnë atë që ajo tregon.

Një herë ajo i shkroi sekserit të saj: “Hej Qemal, kur do ta marr më në fund lejen e punës?” Ai e shmangu, i tha që kontrata do bëhej shpejti. Më pas e kërcënoi dhe e shau: “Kurvë”.

Pas disa javësh, Qemali e dërgoi në aeroport dhe e përcolli për në shtëpi. Premtimet, ato ishin dhe mbetën të zbrazëta.

Historia e Arditës i ngjan rasteve të tjera që ne hasëm gjatë këtij hulumtimi. Ajo konfirmon modelin e mashtrimit, taktikave të bllokimit dhe kanosjes. Vetëvlerësimi i viktimave thyhet në këtë mënyrë dhe zhduk çdo përpjekje për pavarësi.

Në një rast tjetër, gruaja nga Tirana e prezantuar si “Mariana” kishte kontaktuar me një sekser përmes WhatsApp-it:

“Mund të punosh si asistente në një kompani pastrimi”, thotë ai në mesazh. Kushti: “Duhet të flesh me mua një herë në javë”, tregon ajo gjatë emisionit televiziv. Mariana nuk e pranoi punën.

Mesazhi që tingëllon si një flirtim i trashë nga një burrë banal, është në fakt pjesë e skemës së mashtrimit të synuar. Trafikantët e qenieve njerëzore i përdorin këto biseda, në dukje banale, për të testuar se sa e dëshpëruar është një viktimë e mundshme. A ka nevojë për para dhe sa larg do të shkonte për t’i siguruar ato.

Babai i fëmijës për të cilin kujdesej, i sugjeroi një dadoje tjetër, me të cilën ne folëm, punën në një klub të paligjshëm nate ku, duke “shërbyer”, mund të fitonte deri në njëmijë franga në natë.

Ajo, siç kuptojmë nga biseda dhe detajet, ka pranuar, por neve na e mohon: “Nuk e kam bërë kurrë këtë punë. Nuk është për mua”, thotë.

Kjo na ndodh edhe në biseda të tjera me viktimat, që tregojnë diçka dhe më pas mohojnë ta kenë bërë. Të përfshirë në një situatë të turbullt, me frikë, turp e tabu, ne vendosim t’u përmbahemi fakteve, kryesisht dokumenteve gjyqësore dhe deklaratave zyrtare të viktimave. Megjithëse i kemi këto, nuk mund të përballemi me autorët e dyshuar – edhe pse i dimë emrat dhe kemi numrat e tyre të telefonit – pasi nëse e bëjmë këtë, mund t’i vëmë viktimat në rrezik.

Por, nga të dhënat dhe dëshmitë, na bëhet e qartë, se ajo që fillon si një punë si dado, mund të përfundojë në shfrytëzim prostitucioni…” – shkruan revista