Nisma Socialdemokrate ka kritikuar presidenten e Kosovës për prezantimin e Jakup Krasniqit si i akuzuar për krime lufte dhe njerëzimit në web faqen e Presidencës.
Ndërsa Presidenca theksoi se po investigojnë rastin dhe nesër do të kërkohet një hetim nga ana e Njësisë për Krime Kibernetike, Nisma Socialdemokrate kërkon urgjentisht të fshihet nga biografia e Jakup Krasniqit prezantimi skandaloz që i bëhet ish-Presidentit.
Nisma Socialdemokrate theksoi se askujt nuk ia kishte marrë mendja se Jakup Krasniqi do të paraqitej si i “arrestuar për krime lufte kundër njerëzimit”.
“Figurën e ndritshme të Jakup Krasniqit nuk mund ta njollosin shkarravinat e “Presidencës së Kosovës”. Askujt nuk ia ka marrë mendja se ndërrimet në institucionet qendrore të Kosovës mund të shkojnë deri në atë shkallë sa në faqet zyrtare të institucioneve shtetëror të paraqesin urrejtjen patologjike që kanë ndaj atyre që ua shkatërruan ëndrrën e jugosllavizmit”. Por skandali që nuk mund të imagjinohej, doli në shesh nga mediat e vendit: “Presidenca e Kosovës” prezanton Jakup Krasniqin si “të arrestuar për krime lufte kundër njerëzimit të paraqitura para Dhomave Speciale të Kosovës””, thuhet në reagim.
Nisma Socialdemokrate thotë se vetë struktura e fjalisë “dëshmon se është gatesë e sajuar nga njerëzit e brumosur në frymën jugosllave!”
“Qytetarët e Kosovës e dinë mirë se Jakup Krasniqi është emblemë e ndershmërisë, humanizmit, veprimtarit të kauzës kombëtare dhe historianit që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë e vendit!”, shkruan Nisma Socialdemokrate.
Këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina ka sqaruar se presidentja Vjosa Osmani dhe stafi i saj politik nuk kanë qenë të njoftuar e as të konsultuar lidhur me ndërhyrjen në tekstin në ueb faqen e Presidencës sa i përket biografisë së ish-ushtrues detyre të presidentit dhe kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai ka treguar se tashmë po hetohet momenti kur është ndërhyrë në tekst dhe nga kush.
“Rrjedhimisht, presidentja Osmani ka kërkuar përgjegjësi të plotë për këtë rast dhe ndërmarrjen e menjëhershme të masave disiplinore për personat përgjegjës. Po ashtu, qysh nesër do të kërkohet hetim nga ana e Policisë së Kosovës, Njësia për Krime Kibernetike”, ka thënë Këshilltari për media i Presidentes.
Kupina ka kërkuar falje nga Jakup Krasniqi dhe familjes së tij për situatën e krijuar, duke thënë se një veprim i tillë është bërë pa dijeninë e presidentes dhe pa autorizim paraprak të askujt nga ekipi i saj. Ndërkohë, në faqen e Presidencës është rregulluar “gabimi” në pjesën e biografisë së Jakup Krasniqit.