Ballina Rajoni Ndalimi i dinarit në Kosovë, Petkotivç: Do të kërkojmë seancë urgjente të...

Ndalimi i dinarit në Kosovë, Petkotivç: Do të kërkojmë seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

73
0

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, ka pretenduar se populli serb në Kosovë “është në një situatë shumë të vështirë” për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për largimin e dinarit serb, derisa ka theksuar se Serbia do të kërkojë mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Arsyet pse kërkojmë një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së është se Albin Kurti po bën spastrim etnik të popullit serb në Kosovë dhe ose siç thuhet ligjërisht në konventa, po krijon jetë të padurueshme duke i nënshtruar qëllimisht serbët në kushte të tilla që nuk mund të mbijetojnë në Kosovë”, tha ai.

Petkoviç po ashtu ka pretenduar se në vitin e fundit më shumë se 14 për qind e serbëve janë larguar nga Kosova dhe tani jetojnë në Serbi.

Ai vlerësoi se ShBA-ja për herë të pare “që nga fillimi i krizës” reagoi në mënyrë adekuate” dhe se njoftimi i ambasadorit amerikan në Kosovë, Geoffrey Hovenier ishte “inkurajues” pasi që ai dënoi sulmin ndaj institucioneve serbe në Kosovë.

“Sigurisht që Amerika nuk do të ndryshojë politikën e saj ndaj Kosovës, por në këtë rast kur është fjala për anulimin e dinarit i cili po krijon një fatkeqësi humanitare në Kosovë, shohim një tjetër reagim”, theksoi Petkoviç.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë shprehur të shqetësuara pas veprimeve të autoriteteve të Kosovës pas mbylljes së objekteve të “institucioneve të administruara nga Serbia” në Dragash, Pejë, Istog e Klinë dhe zyrën e një organizate joqeveritare në Prishtinë.

ShBA-ja dhe BE-ja i kanë bërë thirrje sërish Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e autoriteteve financiare për paratë e gatshme, me anë të të cilit ndalohet përdorimi i dinarit serb në Kosovë.