Ballina Politika Gjykata Kushtetuese hedh poshtë Vangjel Dulen: Askush nuk ka kërkuar përshpejtim të...

Gjykata Kushtetuese hedh poshtë Vangjel Dulen: Askush nuk ka kërkuar përshpejtim të çështjes për Alfred Belerin

190
0

Gjykata Kushtetuese i është përgjigjur akuzave dhe lajmeve në media, se po vonon seancën për çështjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Alfred Beleri.

Në një reagim për mediat, Gjykata Kushtetuese thotë se asnjë prej palëve, deri në këto çaste, nuk ka depozituar asnjë kërkesë ku të kërkojë përshpejtim të procesit për Belerin.

Kjo deklaratë rrëzon pretendimet e Vangjel Dules dhe një grupi militantësh që protestuan përballë Gjykatës Kushtetuese, duke e akuzuar se po vonon shqyrtimin e çështjes.

Reagimi i Gjykatës Kushtetuese:

Ditën e sotme, më 05.02.2024, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, zonja Holta Zaçaj, organizoi një konferencë për shtyp me gazetarë dhe përfaqësues të medias, me qëllim prezantimin e raportit vjetor të veprimtarisë së Gjykatës për vitin 2023.

Në përfundim të fjalës së saj, Kryetarja iu përgjigj pyetjeve të disa gazetarëve të pranishëm, njëra prej të cilave kishte të bënte me çështjen me kërkues zotin Dhionisios Alfred Beleri. Në lidhje me këtë pyetje, Kryetarja informoi se çështja ka kaluar për shqyrtim në seancë plenare dhe se asnjëra nga palët e përfshira në këtë proces nuk ka paraqitur kërkesë për përshpejtimin e gjykimit.

Duke marrë shkas nga mënyra si është përcjellë ky informacion në disa media, sqarojmë edhe një herë se në këtë çështje asnjëra prej palëve në gjykimin kushtetues nuk ka paraqitur në Gjykatë kërkesë për përshpejtimin e këtij gjykimi.

Në lidhje me peticionin e disa banorëve të Bashkisë së Himarës, këta të fundit nuk kanë cilësinë e palës në këtë gjykim, në kuptim të nenit 39 të ligjit organik të Gjykatës, për rrjedhojë ky peticion nuk konsiderohet si kërkesë për përshpejtim për qëllime të gjykimit kushtetues.