Ballina Kosovë Hovenieri flet si rrallëherë, thotë se Kurti i ka dëgjuar “drejtpërdrejt” shqetësimet...

Hovenieri flet si rrallëherë, thotë se Kurti i ka dëgjuar “drejtpërdrejt” shqetësimet amerikane

58
0

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, mbrëmë dha një intervistë për RTV 21, ku foli si rrallë herë më parë dhe me një gjuhë të qartë. Në këtë intervistë, ambasadori amerikan tregoi për shqetësimin që SHBA-ja, por edhe vendet e tjera perëndimore, kanë për zbatimin e rregullores së re të BQK-së për ndalimin e dinarit.

Kryediplomati amerikan në Prishtiën tregoi se ambasadat e QUINT-it po kërkojnë “që qeveria tash për tash do të duhej të shtyjë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore.” Hovenier e përmendi edhe Zotin, për të treguar se ShBA-ja nuk e konteston autoritetin e shtetit të Kosovës, por mënyrën se si është ndaluar dinari serb.

“Ne nuk e kontestojmë Kushtetutën e Kosovës. Ne e pranojmë dhe e respektojmë atë. Për hir të Zotit, ne e mbështetëm procesin dhe zhvillimin e tij. Ne nuk i kontestojmë autoritetet e Bankës Qendrore të Kosovës për të rregulluar sektorin financiar. Në fakt, sërish, qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare për rolin që kemi luajtur në mbështetje të zhvillimit të Bankës Qendrore, Ministrisë së Financave dhe institucioneve të tjera. I mirëpresim përpjekjet e Kosovës, si çdo vend tjetër në botë, për të vënë në zbatim rregulloren, ligjin, procedurat që zvogëlojnë mundësitë për kryerjen e krimeve financiare, si pastrimi i parave, financimi i terrorizmit, gjëra të tilla. Pra, ne nuk kemi problem filozofik që Banka Qendrore të vendosë një rregullore që do t’i përmbushte këto synime. Jemi të shqetësuar se mënyra në të cilën kjo rregullore po zbatohet apo planifikohet të zbatohet nuk merr parasysh siç duhet disa realitete.” – deklaroi mbrëmë ambasadori Hovenier.

Ambasadori amerikan iu rikthye rasteve teorike për të shpjeguar për ndikimet negative që do të ketë ky ndalim i dinarit te komuniteti serb në Kosovë. Hovenier vlerësoi se nuk është bërë asnjë punë paraprake që identifikuar “mjetet alternative që të mundësohej vazhdimi i pagesës së përfitimeve sociale.”

“Dhe na habit fakti që paraprakisht nuk janë bërë përpjekje për të menduar mirë këtë dhe për të pasur strategji për të lehtësuar çështjen. Shqetësimi tjetër yni ka të bëjë me çështjet praktike. Nuk është sekret që Serbia e mbështet sistemin shëndetësor dhe arsimor në Kosovë. Dhe në fakt, ne kemi punuar tepër shumë dhe besojmë fuqishëm se me kalimin e kohës ato sisteme duhet të integrohen në sistemin e Kosovës, sipas ligjit të Kosovës. Por sigurisht, Serbia do të vazhdojë të ketë të drejtën të vazhdojë të financojë dhe t’i mbështesë ato. Ne besojmë se duhet bërë në një mënyrë në përputhje me ligjet, kornizën e Kosovës dhe në mënyrë transparente për autoritetet e Kosovës.” – ka vlerësuar ambasadori Hovenier.

Tutje, ambasadori theksoi në disa raste ndikimin që ky vendim i BQK-së, që mbështetet nga Qeveria Kurti, do të ndikojë në “cilësinë e raporteve” mes Kosovës dhe ShBA-së.

“Mendoj dhe siç tregon situata aktuale, kjo është mjaft urgjente dhe ne do të donim ta shihnim të ketë lëvizur përpara. Dhe nuk e di nëse kam diçka më shumë për të thënë për pasojat nga ajo që kam thënë. Në masën që qeveria është e përgjegjshme për gjërat që ne besojmë se janë të rëndësishme dhe të cilat besojmë se e avancojnë trajektoren evropiane dhe euro-atlantike të Kosovës, rrit partneritetin tone. Në masën që qeveria nuk përgjigjet kjo ndikon në cilësinë e partneritetit tonë.” – shtoi ambasadori.