Ballina Opinion Një opozitë e lumturuar nga Damiani

Një opozitë e lumturuar nga Damiani

97
0

Nga Mero Baze

Edi Paloka ka “zbuluar” se Damian Gjiknuri në SHBA, gjatë bisedës me Gabriel Escobar, paska thënë se Sali Berisha është forca kryesore opozitare në Shqipëri. Dhe kishte një gëzim në fytyrë kur e thoshte këtë.

Nuk di pse është lodhur të pyesë Mediun apo Bardhin se çfarë ka thënë Damiani në një takim të hapur në SHBA, pasi Damiani këtë e ka thënë dhe në Shqipëri. E ka thënë në intervista televizive, e ka thënë në dalje para gazetarëve, madje dhe në mbledhje komisionesh. Po dhe sikur të mos e thotë Damiani, ne kemi statistika elektorale që e nxjerrin Berishën forcë e parë opozitare.  Kemi zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit dhe ato të 14 majit.

Nuk ka ndonjë konspiracion në atë që ka dhënë Damian Gjiknuri në një takim që nuk ishte sekret, përkundrazi ishte bërë kujdes të mos ishte sekret, apo “of record’.

Madje për këtë gjë nuk ka debat as në Shqipëri.

Ka vetëm një debat brenda opozitës, se përse Sali Berisha nuk ndoqi rregullat e lojës të bëhej kryetar i PD, pasi Basha e përjashtoi nga Grupi Parlamentar, por organizoi një kuvend paralel dhe rithemeloi një parti që ja vuri emrin përsëri PD.

Kur dikush rithemelon një parti, ai ka bërë një parti të re, ndërsa letrat i kanë ngelur partisë së vjetër. Dhe ky nuk është më debat politik, por debat juridik. Një lider i fortë, nuk pyet për vula dhe letra, por për elektorat.

Problemi që ka Berisha është se ai kërkon të notojë në ilegjitimet, pasi partia e tij me atë kryetar, është një parti e papranueshme nga SHBA dhe Bashkimi Evropian, një organizatë kriminale.

Kaq i thjeshtë është problemi. Kjo është arsyeja përse ai nuk rregjistron një parti, dhe përse nuk shkëputet nga Ilir Meta që ta përdorë për vule dhe sigël.

Edi Paloka dhe të tjerë që janë me Berishën duhet të zgjidhin këtë hall. Dhe halli është si të jenë një parti që nuk është kryetar Sali Berisha, Argita Berisha, Shkëlzen Berisha, Liri Berisha, dhe gratë e burrat e tyre.

Kaq është e ndaluar, se janë hajdutë të certifikuar, minues të demokracisë dhe shantazhues të sistemit të drejtësisë.

Por nëse ata bënë një parti të re dhe kanë kryetar të ri, natyrisht duke mos pasur punë me familjen Berisha, nuk kanë pse të kërkojnë certifikim nga Damiani, që janë parti e parë. E tregojnë vet në zgjedhje.

Ju deri më sot e keni akuzuar Edi Ramën se ja ka dhënë vulën Lulit, tani po gëzoheni që Damiani është gati t’ua japë juve.

Damian Gjiknuri nuk ka fuqi të shfuqizojë “non graten” e Berishëve, dhe as të ndajë vula dhe logo. Ai thjesht nuk do t’i zaptoni zyrën kur bën mbledhje dhe t’i thoni, mos merr Enkelejdin në krah, por merr Gazin, se është më i mirë.

Damiani nuk është një dhëndër që mund të zgjedhë me kë do shkojë në shtrat nga opozita. Në këtë rast nuk është dhëndër fare, është krushk. Bëni partinë tuaj dhe çoni njeriun tuaj në krah të Damianit. Lulzim Basha e ka çuar të vetin.

Problemi është se ju nuk doni as vulë, as logo, as parti të re, as reformë zgjedhore, dhe as të vini në pushtet. Doni të zgjidhni vetëm hallin e radhës të Berishës. Por atij s’kanë për t’i mbaruar më hallet deri në varr. Kështu që nuk u ndihmon dot Damiani. Lëreni në hallet e tij.