Ballina Ekonomia Për çfarë marrin kredi shqiptarët? – Huaja për blerje banesash, në rritje...

Për çfarë marrin kredi shqiptarët? – Huaja për blerje banesash, në rritje të fortë. Zgjerohet edhe për mallra konsumi

123
0

Pavarësisht sfidave që solli gjatë vitit 2023 inflacioni, rritja e normës bazë të interesit, apo pasiguritë ekonomike, bankat kanë treguar gatishmëri të lartë për të financuar nevojat per kredi të individëve. Por për çfarë qëllimesh i janë drejtuar më së shumti individët bankave gjatë vitit të shkuar, për të blerë banesa të reja, mallra të qëndrueshme apo konsumi, apo shpenzime afatshkurtëra.

Nga të dhënat zyrtare rezulton se kredia për individët është rritur me 9% në terma vjetorë, duke arritur vlerën e 271,7 miliardë lekëve në dhjetor 2023, nga 249,2 miliardë në të njëjtin muaj të një viti më parë.

Bie në sy se rritja i dedikohet në masë të madhe kredisë në lekë, e cila ka amortizuar tkurrjen e fortë të kredisë në euro. Ndërkohë që ka qenë kredia për blerje banesash ajo që dominon treguesit e huamarrjes, me me shumë interes për të dyja palët, si individët, ashtu edhe bankat. Totali i kredisë në lekë për blerje apartamentesh në dhjetor ka arritur në 110.2 miliardë lekë, me rritje prej 17% krahasuar me dhjetorin e një viti më parë, kuro totali ishte 94.1 miliardë.

Ndërkaq, rënie ka shënuar muajt e fundit të vitit, overdrafti në lekë, kredia për të mbuluar nevojat imediate. Totali i kësaj kredie afatshkurtër rezulton 7.2 miliardë lekë në fund të dhjetorit, nga mesatarja prej rreth 7.4 miliardë lekësh në të cilën është luhatur përgjatë gjithë vitit të shkuar.

Por zhvillimet kryesore në kredinë në lekë për individë shënohen te huaja për blerjen e mallrave jo të qëndrueshëm, për konsum të shpejtë dhe atyre të qëndueshme, siç janë makinat. Huamarrja në lekë për blerje mallrash jo të qëndrueshme është rritur me plot 38% me bazë vjetore. Nga 34,6 miliradë lekë në fund të dhjetorit 2022, kjo kredi rezulton në 47.1 miliardë në dhjetor 2023.

Ndërkohë që e dukshme është nga ana tjetër rënia e huave për mallra të qëndrueshme. Nga 19.3 miliardë lekë në fund të dhjetorit 2022, kredia për mallra të qëndrueshme ka rënë në 16.3 miliardë në dhjetor 2023, me një tkurrje prej -15%.

Sa i përket kredisë në euro për indivitët, ajo është në rënie në gjithë gamën e saj, për shkak të rritjeve të njëpasnjëshme të normës bazë të interesit nga ana e bankes Qendrore Evropiane, e cila ka shtrenjtuar ndjeshëm huatë për individët në vend.