Qeveria ka miratuar kriteret e reja që duhet të plotësojnë investitorët, për të përfituar statusin special në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje. Referuar vendimit, për të marrë këtë status duhet që struktura akomoduese të ndodhet në zonat me përparësi për zhvillimin e turizmit, si dhe të ketë një vlerë investimit jo më pak se 8 mln euro për hotel me 4 yje dhe jo më të vogël se 15 mln euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje.
Po ashtu, duhet që hoteli të menaxhohet nga një operator i regjistruar si markë tregtare ose i njohur ndërkombëtarisht “brand name” me 4 dhe/ose 5 yje. Vendimi i ri ka hequr kritere që duhet të plotësoheshin deri më tani në lidhje me investime të ngjashme të kryera apo menaxhuara me herët, si dhe në lidhje me kapacitetet financiare që duhet të ketë investitori. Deri më tani, aplikuesi duhet të kishte pasur xhiro të paktën 40% të vlerës së investimit në 3 vitet financiare të fundit të marra së bashku. Ndërkaq, vendim I ir përcakton edhe listën e dokumenteve që duhet të dorëzohen.
Aplikimi bëhet përmes e-Albania, ndërsa shqyrtohet nga një komision të përbërë nga 7 anëtarë që do të ngrihet pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Ndërkaq, është ministri përgjegjës për turizmin që shqyrton raportin përmbledhës të komisionit dhe që vendos nëse statusi do të refuzohet apo do të dërgohet për miratim pranë Këshillit të Ministrave.
Pas hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për dhënien e statusit, aplikuesi njoftohet nga autoriteti kontraktues, që brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të nënshkruajë marrëveshjen e zhvillimit me autoritetin, që përfshin të gjitha detajet e projektit, përfshirë vlerën e investimit.