Ballina Rajoni Përmes mediumit që kontrollohet nga Vuciq, Brnabiç fyen deputetët e Parlamentit Evropian...

Përmes mediumit që kontrollohet nga Vuciq, Brnabiç fyen deputetët e Parlamentit Evropian dhe opozitën në Serbi

64
0

“Mizat dhe subjektet”, këto epitete ia ka dhënë opozitës serbe, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq në Tv Happy, medium që kontrollohet dhe i shkon përshtati presidentit serb Aleksandar Vuciq dhe Qeverisë së Serbisë.

Brnabiq fillimisht ftoi qytetarët të imagjinojnë një situatë në të cilën parlamenti serb miraton një rezolutë për një hetim ndërkombëtar për zgjedhjet në Gjermani dhe që deputetët gjermanë të vijnë në kuvendin tonë dhe ta duartrokasin atë.

“Opozita nga parlamenti gjerman vjen për të marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Serbisë, për të marrë pjesë në atë akt madhështor kur të miratohet rezoluta për zgjedhjet në Gjermani – dhe ata duartrokasin. A mendoni se një gjerman do t’ia lejonte vetes ta bënte këtë, a mendoni se do ta bënte një britanik, italian, francez? Jo. Vetëm ne kemi atë lloj opozite, vetëm ne kemi ato mizat në b…, atë opozitën e nënshtruar që do të shkojë atje dhe të duartrokit se dikush kërkon një hetim ndërkombëtar. Dikush që nuk ka çfarë të bëjë, të guxojë të kërkojë diçka nga Serbia”, tha Brnabiq në programin e mëngjesit të televizionit Happy, duke theksuar se ato rezoluta nuk janë të detyrueshme për askënd, as për anëtarët e Bashkimit Evropian, e veçanërisht për Serbisë.

Më pas Brnabiq ka fyer deputetët e Parlamentit Evropian, duke thënë se ata, për të cilët sipas saj kanë votuar disa mijëra njerëz, kërkojnë hetim ndërkombëtar për zgjedhjet në një shtet sovran.

“Disa eurodeputet që ka marrë 7 mijë vota në ndonjë shtet, me të cilin nuk ka mundur të jetë as këshilltar në kuvendin e qytetit në njërën nga komunat tona, po kërkojnë hetim për Serbinë që do t’i raportohet Parlamentit Evropian. Po Serbia, populli ynë? Kujt i intereson? Ky qëndrim servil i opozitës sonë ndaj vendeve të huaja është aq i trishtueshëm sa është edhe e vështirë të flitet për të. “Opozita jonë po e pret me padurim, po pret diçka që e shfuqizon plotësisht sovranitetin e vendit të saj”, theksoi ajo.