Ballina Kosovë Dorëheqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve serb, reagon OSBE: Kthim prapa për sistemin...

Dorëheqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve serb, reagon OSBE: Kthim prapa për sistemin e drejtësisë

36
0

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka vlerësuar se dorëheqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në rajonin e Mitrovicës në vitin 2022, është kthim prapa për sistemin e drejtësisë atje.

Në raportin mbi ndikimin e dorëheqjes masive të vitit 2022 të gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit administrativ serb të Kosovës nga sistemi i drejtësisë në rajonin e Mitrovicës, OSBE-ja ka theksuar ndikimin negativ në procedimin e lëndëve pas dorëheqjes së tyre.

Raporti analizoi të dhënat statistikore për periudhën janar 2022 deri në qershor 2023 që kanë të bëjnë me kapacitetin e Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë Themelore të Mitrovicës për të administruar drejtësinë në kohë dhe me efikasitet para dhe pas nëntorit 2022, kur 20 gjyqtarë, 10 prokurorë dhe 132 zyrtarë të tjerë administrativë dhanë dorëheqje. Përveç kësaj, dorëheqje dhanë edhe katër gjyqtarë serbë të Kosovës nga Divizioni i Apelit në Gjykatën e Apelit në Mitrovicën Veriore.

“Pas integrimit të stafit gjyqësor serb të Kosovës më 2017, këto dorëheqje ishin kthim i madh prapa për sistemin e drejtësisë në Mitrovicë. Raporti i Misionit të OSBE-së në Kosovë thekson se kjo ka rezultuar në zvogëlim të kapacitetit të gjykatës dhe prokurorisë për ndarje të drejtësisë, gjë e cila ka minuar të drejtën në gjykim brenda një kohe të arsyeshme dhe ka dëmtuar qasjen në drejtësi”, ka thënë Michael Davenport, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Si pasojë e mungesës së papritur dhe të konsiderueshme të stafit, OSBE-ja ka thënë se Gjykata Themelore dhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë përjetuan një rënie të ndjeshme në shkallën e procedurave gjyqësore dhe zvogëlimit të ngarkesës së lëndëve nga 75% në 59% në gjykata dhe nga 75% në 57% në prokurori.

Tutje, raporti thekson domosdoshmërinë e masave për adresimin e këtyre çështjeve dhe rivendosjen e funksionimit efikas dhe të paanshëm të sistemit të drejtësisë në Mitrovicë.