Banorët e Postribës kanë dalë në protestë paraditen e sotme, para bashkisë Shkodër lidhur me ujin e ndotur që pretendojnë se shkon në çezmat e tyre për shkak të guroreve që ndodhen në fshatin Domen.
Banorët kërkojnë ndërprerjen totale të punës nga guroret ose paralajmërojnë se do të bëjnë vetëgjyqësi.
Një grup banorësh të shoqëruar nga administratori i Postribës, Bledar Brahimataj, u shprehën se i kërkuan kryetarit të bashkisë Benet Beci që guroret të largohen ose në të kundërt do ta zgjidhin sipas kanunit sepse kjo histori ka mbi pesë vite që vazhdon.
Ata janë pritur nga kryebashkiaku Beci i cili iu ka premtuar se do merren masa.
Njëri prej tyre thotë se në gjashtë vjet kanë bërë qindra ankesa.
“Kemi 6 vjet me këtë problem, uji vjen i ndotur. Për shkak të ujit të ndotur shkojmë në fshatrat e tjerë për të mbushur ujë.
Në gjashtë vjet kemi bërë 300 herë ankesa, si te gurorja dhe te institucionet.
Në takimin me kryebashkiakun na tha se do mundohemi të marrim masa. Por ne tek kjo qeveri nuk kemi besim.
Pa ujë janë 10 mijë banorë.”, tha një banor.