Në mediat shqiptare shpesh herë hasim përdorimin e fjalëve të huaja ose fjali jo të mirë strukturuara. Prandaj dhe nisma më e fundit e AMA-s (Autoriteti i Mediave Audiovizive) quhet “Fol shqip”.
E ftuar në studion e Klan News, kryetarja e këtij autoriteti Armela Krasniqi dha më shumë detaje sa i takon kësaj analize dhe monitorimi që po kryhet për të gjitha radiot dhe televizionet në Shqipëri. Sipas saj, është e rëndësishme të gjenden fjalët e huaja që përdoren dhe të shpalosen në tabela.
“Të gjithë sëbashku jemi duke kontribuar pak nga pak në keqpërdorimin e gjuhës shqipe. Duke pasur këtë lloj sensibiliteti, menduam që nga data 1 Janar të nisim monitorimin, krahas detyrave të tjera, të shtonim dhe këtë komponent të analizimit të kësaj dukurie. Fjalët e huaja përdoren shumë shpesh në radio e televizion dhe patjetër kush më mirë se AMA mund ta bënte një detyrë të tillë, për të ndërgjegjësuar të gjithë gazetarët. Nëse i referohemi ligjit, ka një detyrim. Është tek parimet themelore, neni 4 e përcakton që të gjitha mediat në Republikën e Shqipërisë duhet të përdorin standardin e gjuhës shqipe dhe jo vetëm kaq. Ne e kemi dhe tek kodi i transmetimit që u miratua së fundmi, në Korrik të 2023-it. Pjesa legjislative patjetër që ekziston. Ne kemi nisur këtë lloj nisme, kemi marrë përsipër të nxjerrim në pah të gjitha fjalët e huaja që përdoren shpesh nëpër ekrane dhe radio, javë pas jave duke nxjerrë ato tabelat e thjeshta. Monitorohen kryesisht të gjitha televizionet, ne nuk kemi struktura gjigante në mediat shqiptare, kemi dy sektorë me analistë që janë nga 5 vetë dhe drejtori i gjithë departamentit. Kanë një volum të shtuar pune me gjetjen e fjalëve të huaja që ndërhyjnë në gjuhën shqipe. Është një punë voluminoze. Ne e kemi dëtyrë funksionale të publikojmë të dhëna sa i takon volumit të reklamës, sa i takon edicioneve qendrore të lajmeve në televizionet kombëtare, sa zë politika, kronika, temat sociale. Gjejmë herë pas herë, është një dukuri e përgjithshme.”
Por a do të ketë masa ndëshkuese për rastet që pikasen, ose që përsëriten?
“Ka nisur si formë ndërgjegjësuese dhe ne kemi vendosur të vijojë si e tillë. Nuk kemi nevojë të vendosim atë “murin e turpit” duke thënë ky emision, ky prezantues. Nuk është fare në qëllimet tona. Për t’i ndihmuar gazetarët dhe gjithë ata që janë pjesë e saj, në ëebsite apo portale. Roli ynë është rregullator. Patjetër që në disa raste ne vëmë gjoba, por jo në këtë rast. Gjoba janë vënë në rastet e shkeljes flagrante të ligjit”, theksoi Krasniqi.
Kryetarja e AMA-s u shpreh se ky fenomen është aq i përhapur sa gjendet në kronika, transmetime të drejtpërdrejta e deri te debatet. Edhe struktura gjuhësore, shtoi ajo, ka një rëndësi të veçantë.