Është zbardhur ngjarja e ndodhur më 8 shkurt në Shkodër ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbeti i plagosur Selami Brahimi. Autori i ngjarjes, Sulejman Kapllani është arrestuar në Gjermani dhe pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë
“Në kuadër të një operacioni të përbashkët, të koduar “Koordinimi”, të kryer në bashkëpunim me Interpolin dhe me homologët gjermanë, është kapur në qytetin e Berlinit, Gjermani, i shpalluri në kërkim ndërkombëtar shtetasi S. K., 68 vjeç, banues në lagjen “Guerile”, Shkodër.
Shtetasi S. K. dyshohet si autori kryesor i ngjarjes së datës 08.02.2024, në Shkodër, ku ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të markës “Citroen”, për të vrarë shtetasin S. B., banues në lagjen “Guerile”, Shkodër.
Ndaj shtetasit S. K., Prokuroria kishte lëshuar një urdhër ndalimi për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sqarojmë se strukturat kundër krimeve të rënda të DVP Shkodër kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën me të cilën është ekzekutuar vepra penale, një AK-47, së bashku me krehra me fishekë, si dhe automjeti i përdorur për transportimin e autorit”- thuhet në njoftimin e policisë.