Ballina Dossier Biseda e Enverit në Vlorë, më 2 prill 1976: “Abdyl Këllezi bashkë...

Biseda e Enverit në Vlorë, më 2 prill 1976: “Abdyl Këllezi bashkë me Koço Theodhosnin s’kishin lidhje me komunizmin

59
0

Ndërsa ndodhej me pushimet e zakonshme në vilën e tij të zonës rezidenciale në vendin e quajtur, Uji i Ftohtë në periferi të qytetit të Vlorës, (ku prej vitesh shkonte rregullisht me bashkëshorten Nexhmijen, nga muaji mars deri në fillimin e qershorit), i shoqëruar nga Hysni Kapo (sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së), si dhe sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit, Gaqo Nesho, Enver Hoxha ka zhvilluar një takim me kuadro të partisë dhe të pushtetit lokal të atij rrethi, si dhe të organizatave të masave, si; Fronti Demokratik, Bashkimet Profesionale, organizata e Gruas, e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, etj. Që në fillim të fjalës së tij, pasi iu krijoi “një atmosferë e ngrohtë” të pranishmëve në atë takim dhe u bëri me dije atyre, se si po i kalonte pushimet në Vlorë, duke filluar nga shëtitjet, vizitat, takimet e ndryshme me popullin e thjeshtë, etj., Enver Hoxha zhvilloi një bashkëbisedim të gjatë për problemet e industrisë së naftës, duke pyetur një prej specialistëve të asaj fushe, që ishte prezent aty dhe duke u dhënë udhëzime, në fund të takimit, Enveri bëri edhe një ekspoze të shkurtër për “grupet armiqësore” që ishin zbuluar në Ushtri dhe Ekonomi, me në krye Beqir Ballukun, Abdyl Këllezin, Koço Theodhosin, etj., duke i akuzuar ata si “armiq të popullit dhe Partisë, që merrnin direktiva nga Tito dhe jugosllavët”, etj., E gjitha kjo bëhet e ditur nga një dokument arkivor me proces-verbalin e këtij takimi që ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilin Memorie.al e publikon më poshtë.

-Nga biseda me kuadro të Partisë, të pushtetit dhe të organizatave të masave të rrethit të Vlorës-

Gjatë kohës që ishte me pushime në qytetin e Vlorës, shoku Enver Hoxha zhvilloi një takim me kuadro të rrethit. Që në fillim, ai u krijoi të pranishmëve një atmosferë të ngrohtë shoqërore dhe pastaj, si pa kuptuar, kaloi në çështjet që do të trajtonte e që preokuponin aktualisht Partinë e vendin.

SHOKU ENVER HOXHA: Sot jam shumë i gëzuar, shokë, që po takohem me ju. Shumicën tuaj, sidomos ata që janë më të moshuar, i njoh, por po shikoj këtu edhe shoqe e shokë të rinj. Kjo është një kënaqësi e madhe për ne, pse kjo do të thotë që organizata e Partisë, si kudo, edhe në rrethin e Vlorës, ka sjellë në udhëheqje elementë të rinj, që bëjnë përpjekje për të bashkuar forcat, energjitë dhe zotësitë e tyre me ne, më të moshuarit. Sigurisht, ju keni punuar dhe keni korrur suksese në detyrat e rëndësishme që ju kanë ngarkuar dhe besoj se sekretari i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit, do të na flasë për disa prej tyre.

SHOKU GAQO NESHO: Ju, shoku Enver, shprehët kënaqësinë e madhe që ndieni duke u takuar me ne, por ne ndiejmë, gjithashtu, një kënaqësi edhe më të madhe që takohemi sot me ju. Të gjithë vlonjatët, të qytetit dhe të fshatit, u gëzuan, porsa morën vesh që ju keni ardhur në këtë stinë të bukur të pushoni disa ditë në qytetin tonë.

SHOKU ENVER HOXHA: Këtu me të vërtetë pushohet mirë dhe të gjitha ditët e qëndrimit na kanë qëlluar shumë të bukura. Unë kam pasur rast të pushoj edhe herë tjetër në këtë stinë në Vlorë, por nganjëherë koha ka qenë jo e mirë, me erë të fortë. Sivjet ditët e qëndrimit qenë kaq të bukura, sa më nxitin jo vetëm t’u bëj shokëve propagandë të mirë për Vlorën, por edhe t’u them që të vijnë ta kalojnë vazhdimisht këtu kohën e lejes vjetore. Erdhi edhe shoku Hysni, për të pushuar ca ditë këtu, po, ama, me zor ia mbushëm mendjen, vështirë ta shkulësh atë të bëjë pushim.

E vërteta është se tash që jemi më të moshuar, ndiejmë më tepër nevojë për pushim. Besoj se edhe ju i zbatoni direktivat e Komitetit Qendror për të pushuar, siç parashikojnë ligjet. Kjo ka rëndësi dhe duhet të zbatohet, se Partia nuk kërkon nga ne që të punojmë pak vjet, po edhe shumë e shumë të tjerë akoma.

Mirëpo, që të punojmë, duhet të kemi shëndet dhe një nga kushtet për ta ruajtur atë është që, pas punës, të çlodhemi që të përtërijmë forcat. Ne e dimë se të gjithë kuadrot, anëtarë partie dhe të paorganizuar në Parti, shokët e terrenit në mënyrë të veçantë, kanë një punë shumë të zorshme e të lodhshme jo vetëm fizike, por edhe mendore.

Ju jeni në kontakt të vazhdueshëm me popullin, me problemet e mëdha që kanë përpara Partia dhe shteti, me hallet e përditshme të punonjësve, që duhet të zgjidhen me kujdes dhe drejt. Pikërisht për të ruajtur shëndetin dhe për të kryer mirë gjithë këtë punë të madhe që kemi, pushimi, që këshillon Partia të bëjë secili e që parashikon ligji, është, natyrisht, i nevojshëm.

Gjatë këtyre ditëve, në shëtitje, jam pjekur me njerëz të moshave të ndryshme si këtu, në qytet, edhe në disa fshatra. Një ditë dola nga Drashovica e Peshkëpia dhe bisedova me grupe kooperativistësh që punonin në fusha, kurse në kthim u takova edhe me pionierë të shkollës tetëvjeçare “Selam Musai” të Babicës.

Edhe në qytet kam takuar nxënës, si ata të shkollës së mesme të përgjithshme “Ali Demi”, që ishin duke bërë stërvitje ushtarake në kodrat pranë qytetit. Me fëmijët e shkollave e të kopshteve, në mënyrë të veçantë, kur kaloj rrugës, marr, gjithashtu, takime.

Kështu, bëj ç’bëj, zbres nga makina, i përshëndes dhe bisedoj me ta. Disa më japin lule që i kanë mbledhur për vete gjatë shëtitjeve të tyre të gëzueshme. Një fëmijë kopshti më pyeti, se çfarë do të bëja me to dhe unë iu përgjigja: “Do t’ia jap mbesës së vogël që kam në shtëpi”.

Pastaj shoku Gaqo Nesho informoi për punën e Partisë në rrethin e Vlorës.

Shoku Enver Hoxha u interesua veçanërisht rreth vendburimeve të naftës. Për këtë çështje iu drejtua Zihni Rrokajt, në atë kohë brigadier në një sektor të naftës.

SHOKU ENVER HOXHA: Sa puse ka në sektorin ku punon ti, shoku Zihni, sa naftë japin ato mesatarisht dhe në ç’thellësi janë? Në flish janë këto?

SHOKU ZIHNI RROKAJ: Jo, këto janë në gëlqerorë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po flishet a s’janë mbi gëlqerorë? Kur keni shpuar për gëlqerorët, keni konstatuar kanë apo s’kanë gjë flishe?

SHOKU ZIHNI RROKAJ: Është hapur vetëm një pus, që ka dhënë shenja të plota nafte.

SHOKU ENVER HOXHA: Po në puset e tjera, nuk ka pasur shfaqje nafte në flishe?

SHOKU ZIHNI RROKAJ: Ka pasur pjesa perëndimore, kurse në zonën tonë shpimi nuk dha asnjë rezultat.

SHOKU ENVER HOXHA: Nuk dha rezultate, se nuk ekzistonin shenja në flishe, apo për ndonjë arsye tjetër?!

SHOKU ZIHNI RROKAJ: Shenjat në flish, ekzistojnë.

SHOKU ENVER HOXHA: Domethënë në flish, kishte imprenjim nafte?!

SHOKU HYSNI KAPO: Morën specialistët kampione nga flishi në zonën tuaj kur shpuan për gëlqerorët?

SHOKU ZIHNI RROKAJ: Jo, nuk kanë marrë.

SHOKU ENVER HOXHA: Pikërisht këtu ta kam fjalën! Sa larg në vijë ajrore, është sektori yt, nga kjo zonë? E kam çështjen nga vjen kjo naftë në flish në zonën perëndimore? Janë shpuar puse këtu?!

SHOKU ZIHNI RROKAJ: Janë shpuar, po thellë, në gëlqerorë.

SHOKU ENVER HOXHA: Sa vjet keni ju që po shponi në gëlqerorët?

SHOKU ZIHNI RROKAJ: Qysh në vitin 1960.

SHOKU ENVER HOXHA: Domethënë që nga viti 1960 e deri në vitin 1975, gjithsej 15 vjet, janë bërë shpime dhe vetëm në gëlqerorë. Mos janë neglizhuar dy shtresat e tjera, ranorët dhe flishi?

SHOKU GAQO NESHO: Në sektorin ku punon Zihniu, doli naftë, e cila mbushi tubin, se erdhi me forcë, po pastaj pusin e bllokuan dhe vazhduan të shkojnë më poshtë.

SHOKU ENVER HOXHA: Pa na thuaj, shoku Zihni, kur ju doli kjo naftë?

SHOKU ZIHNI RROKAJ: Në vitin 1972. Qysh gjatë shpimit, një pus që kapi flishin, dha naftë. Ne nuk e bëmë përvetësimin e këtij pusi, se na thanë që është një punë pa leverdi. Kështu u vazhdua të shpohej më thellë, në gëlqerorët.

SHOKU ENVER HOXHA: Me një fjalë u mbyll ky pus. Nuk më thua, sipas mendimit tuaj, dua të them të punëtorëve, të gjeologëve e të mjeshtërve, në flishin e sektorit tuaj ka apo s’ka naftë?! T’i shikoni medoemos të tëra këto, të shikoni edhe qimen në vezë, bile. Kjo është detyrë partie dhe shtetërore. Po puset e tjera, pse rrinë?! Çfarë kanë ato që janë lënë mënjanë?!

SHOKU ZIHNI RROKAJ: Këto ishin puse, në të cilat bëheshin studime për avancimin e ujit.

SHOKU ENVER HOXHA: Bukur! Atëherë çfarë doli nga kjo? Tani uji vjen më shumë si sasi, apo mbetet konstant? Ju thoni që nxirrni naftë, po atje buron naftë, buron edhe ujë. Si është përpjesëtimi midis tyre, lëviz apo nuk lëviz ky?!

SHOKU ZIHNI RROKAJ: Përpjesëtimi është i drejtë, uji lëviz në bazë të marrjes së naftës.

SHOKU ENVER HOXHA: Domethënë naftë vjen më shumë dhe ujë vjen më pak. Apo mos vjen ujë në sasi konstante dhe naftë më shumë? Si ju rezulton juve kjo çështje dhe çfarë thonë gjeologët? Këtu ka dy gjëra: o naftë vjen më shumë dhe sasia e ujit qëndron konstant, ose nafta qendrën konstant dhe uji vjen më pak. Ju ka ardhur këtu ndonjë ekip, që të studiojë posaçërisht ujërat nëntokësore?!

SHOKU ZIHNI RROKAJ: Ka ardhur një herë vjet, kur u punua për projektin e vend-burimit. Më të shumtën punojnë gjeologët tanë për këtë çështje.

SHOKU ENVER HOXHA: Cilët sektorë, në gëlqerorë, janë më produktivë sipas mendimit tënd?

SHOKU ZIHNI RROKAJ: Më produktive paraqitet pjesa e sektorit tonë.

SHOKU ENVER HOXHA: Bukur shumë! Atëherë, sipas logjikës, se ne flasim këtu me logjikë, dhe jo në bazë të të dhënave të shkencës, flishi i sektorit tuaj nuk duhet të jetë i imprenjuar nga gëlqerorët me naftë, më shumë sesa zona në perëndim? Sepse nga gëlqerorët vjen nafta dhe imprenjon flishet. Atëherë këto shtresa, pse të mos kenë edhe në sektorin fqinj, ku debiti i gëlqerorëve është më i vogël nga juaji dhe ku në flish paska naftë, bile edhe me erupsion?! Po tash mungon atje ndonjë gjë?

Mendoni se do të përmirësohet gjendja te ju? Çfarë kërkoni që ta realizoni dhe ta tejkaloni planin?

SHOKU ZIHNI RROKAJ: Detyrat për vitin 1975, i plotësuam. Edhe planin e tremujorit të parë të vitit 1976, e realizuam, bile kemi dhënë disa qindra tonë naftë, plus.

SHOKU ENVER HOXHA: Ky plus që keni dhënë, nuk ju ka shqetësuar ndonjë çikë? Mos keni dhënë më pak?!

SHOKU ZIHNI RROKAJ: Këtë sasi shtesë ne e kemi realizuar nga puset jashtë fondit të mëparshëm. Janë vënë në shfrytëzim edhe disa puse, nga të cilat mendohej se nuk mund të merrej më prodhim.

SHOKU ENVER HOXHA: Unë e kam parë njërin nga këto puse për të cilat fole ti, shoku Zihni. Poshtë mbi rrugë. Pashë, gjithashtu, edhe monumentin e luftës së Drashovicës, që ishte lënë për të ardhur keq! Gjithë ajo luftë e madhe, që është bërë aty më 1920 dhe më 1943, atë lapidar meriton?! Ashtu duhet të lihet, siç e keni lënë ju, shokë të Vlorës?! Ai, as si lapidar, nuk vlen. Atje ka vetëm një metër masë betonarme. Kjo gjë duhet ndrequr! Në monument, në çdo gjë duhet të ketë proporcional.

Gjeologët dhe ju, shokë të sektorit, e keni stabilizuar, bile, e keni përmirësuar koeficientin e nxjerrjes së naftës nga vend-burimi që na përmendët. Gjeologët, që kanë njohuri nga nafta, edhe në gëlqerorët duhet ta stabilizojnë gjendjen. Në atë zonë ka një rezervë të mirë nafte, prandaj specialistët duhet të bëjnë pyetjen: Ç’duhet t’i bëjmë ne më tepër këtij pusi ose gjithë këtyre puseve që po na ngrenë debitin? Po me puset e tjera, që nuk janë në lartësinë e këtij debiti, çfarë duhet të bëjmë që ta shtojmë prodhimin?

Pastaj duhet të shohim edhe korrelacionet e tyre se distancat midis puseve nuk janë të largëta. Prandaj gjeologët të nxjerrin konkluzione, të reflektojnë dhe të gjejnë arsyet pse na del kështu këtu dhe pse na del ashtu atje, pastaj të verifikojnë edhe rëniet, nëse këto janë të mëdha apo të vogla. Në qoftë se diferenca është e vogël, do të thotë se shtresat në gëlqerorët komunikojnë fare lirisht etj., etj. Me këtë dua të them se për prodhimin e naftës, duhet të interesohemi edhe ne dhe, në fakt, po interesohemi shumë, vetëm se ne nuk i shohim dhe nuk i shpjegojmë gjërat teknikisht.

Logjikisht po, mund të japim ndonjë mendim, kurse ju i shpjegoni problemet edhe teorikisht, edhe praktikisht. Prandaj bëni kujdes dhe për çdo gjë të dilni kurdoherë me konkluzione. Çështja kryesore për ne është që të marrim naftë sa më shumë, pa prishur regjimet e puseve, por njëkohësisht të punojmë edhe për të zbuluar fusha nafte të reja në tri shtresa: në ranorë, në flish dhe në gëlqerorë.

Këtu qëndron gjithë rëndësia e çështjes. Prandaj, për t’i bërë këto, ju shokë, që punoni në sektorin e naftës, duhet të merreni edhe me punë studimore e shkencore. Mos u trembni nga termi «shkencore», pse puna që bëjnë shokët e naftës çdo ditë, po të jetë e organizuar mirë në bazë të kërkesave teknike, është punë shkencore.

Të marrim, për shembull, metodat e shpimit. Puna e mjeshtrit të naftës është një punë shkencore, punë shkencore bazë bile, që armiqtë e kanë neglizhuar dhe me këtë na kanë sabotuar. Kur një pus dilte i imprenjuar me naftë, teknikut shpues nuk i lejohej të mos mbante shënime e të mos regjistronte me kujdes e me saktësi të gjitha ato që ndodhnin, si, për shembull, në filan thellësi prej kaq metrash doli ky material i imprenjuar, të cilin e hoqa dhe mora shllamin etj.

Pa i shënuar këto të dhëna, nuk mund të ecet në sektorin e naftës, por, po t’i shënosh me saktësi dhe në kohën e duhur, ja, kjo nuk është tjetër veçse një punë shkencore. Merreni me mend, shokë, kanë kaluar 16 vjet dhe ne nuk dimë akoma, nëse ka apo nuk ka naftë në flish. Po të ishte bërë si duhet kjo punë, do ta mblidhnim mendjen dhe do të thoshim që s’ka. Atëherë do të largoheshim andej dhe do të vazhdonim të kërkonim më tutje. Me ato që raportoi shoku Gaqo Nesho, jemi dakord.

Organizata e Partisë e rrethit të Vlorës, tash duhet të mobilizojë të gjitha forcat mendore, fizike dhe organizative, që problemet, si në fushën e industrisë, ashtu edhe në atë të bujqësisë, të zgjidhen plotësisht. Kur flasim për bujqësinë, nënkuptojmë edhe blegtorinë, pet’i duken si të parëndësishme, por që kanë vlerë të madhe.

Po cilat degë mund të jenë të tilla në bujqësi, për shembull? Unë mund t’ju them se në Vlorë, si një nga vendet e luleve, mund të rritet një numër bletësh, shumë herë më i madh se tani. Pse, vallë, gjë e vogël ju duket shtimi i zgjojeve të bletëve?! Jo, mendoj unë. Po sa gjëra të tilla ka që duken të vogla, por, po t’u kushtohet kujdes, mund të zhvillohen dhe të ndihmojnë në rritjen e prodhimit dhe të të ardhurave të kooperativave bujqësore.

SHOKU HYSNI KAPO: Shokët e Vlorës, le të kenë parasysh, se sa shumë bletë ka pasur në këtë rreth para luftës. Shifrat do t’i nxitin ata që t’i shtrojnë detyrë vetes që të paktën në çdo kooperativë, të ketë aq zgjoje, sa ka pasur atëherë gjithë fshati, lëre pastaj sikur të bëjnë këtë që thoni ju, shoku Enver, fitimet për kooperativat vetëm nga ky zë, do të jenë të konsiderueshme.

Është me të vërtetë për të ardhur keq, mendoj unë, kur vete pyet në fshat, si janë me bletët dhe mëson se zgjoje kolektive, ka fare pak. Kur vajta në muajin gusht të vitit të kaluar, mësova se kooperativa e Tërbaçit, kishte gjithsej vetëm 50 zgjoje, prandaj e shoh shumë të drejtë, këtë çështje që ngritët ju, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Këto probleme duhet të jenë në qendër të vëmendjes së Partisë. Të ndalemi pak edhe te çështja e mbrojtjes. Kjo mbetet detyra kryesore, mbi të gjitha të tjerat, pse atdheun tonë socialist, duhet ta mbrojmë nga çdo armik. Partia na ka mësuar, se armiqtë e brendshëm, kurdoherë kanë qenë të lidhur me të jashtmit.

Gjyqi që iu bë bandës së tradhtarëve Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako, si dhe veprimtaria armiqësore e Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe sabotatorëve të naftës, vërtetojnë katërcipërisht ato që ka thënë Komiteti Qendror dhe që janë pasqyruar në të gjitha dokumentet e Partisë. Këta armiq, ishin agjentë të fuqive imperialisto-revizioniste.

Ata punonin me ndërgjegje, për të ndërruar pushtetin në vendin tonë, për ta kthyer Shqipërinë në një vend revizionisto-kapitalist, gjë që u interesonte gjithë armiqve, të hapët ose të kamufluar. Por zgjuarsia e Partisë dhe e Komitetit të saj Qendror, bëri që të diktohen e të zbulohen fijet e kësaj veprimtarie.

Armiqtë, sabotatorë të ushtrisë, që dolën në gjyq, ashtu edhe të tjerët, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi me shokë, pohuan vetë me plot gojën, se nuk kanë qenë për komunizmin, kanë qenë armiq të Partisë dhe të shtetit tonë socialist. Beqir Balluku pohoi, se ka qenë armik me kohë, që kur marrëdhënie të rregullta me jugosllavët.

Ai pranoi me gojën e tij, se kishte marrë udhëzime drejtpërdrejt aga Titoja, që të krijonte kushte për të okupuar Shqipërinë dhe, me gjithë pengesat që u vunë nga ana jonë, fshehurazi, ai kishte dhënë urdhër të liroheshin nga njësitë tona, Korça, Leskoviku etj., me qëllim që aty, të vinin forca të armatosura jugosllave. Edhe të tjerët, Abdyl Këllezi me Koço Theodhosin, pohuan se nuk kanë qenë asnjëherë për socializmin. “Gjitha veprimet i kemi bërë me qëllim, që të dobësonim pushtetin socialist dhe të rivendosnim këtu një pushtet të ri, pushtetin e vet-administrimit”, kanë pohuar ata.

Abdyl Këllezi, nuk ka pohuar si Beqir Balluku, se ka marrë direktiva nga Titoja, por thotë se ka qenë kurdoherë i pakënaqur dhe pakënaqësitë, i ka biseduar dhe i ka zhvilluar me Tuk Jakovën, me iksin, me ipsilonin, me gjithë deviatorët, pa përjashtuar Beqir Ballukun, me të cilin ka biseduar në Pogradec dhe në Tiranë.

Po del se ai, edhe me jugosllavët ka biseduar nëpërmjet djalit të… një revizionisti shqiptar në Jugosllavi. Më vonë ai ka biseduar, gjithashtu, me djalin e një revizionisti tjetër…! Kjo do të thotë se edhe Abdyl Këllezi andej, nga Jugosllavia titiste, i merrte direktivat. Tash këto janë të qarta për ne. Partia i zbuloi këta armiq dhe i qëroi nga mesi ynë.

Ky ishte një sukses i madh. Me këtë operacion, Partia shpëtoi edhe një sërë kuadrosh, të cilët, me dashje ose pa dashje, qenë molepsur nga armiku. Fryma jomarksiste, po e maskuar si marksiste, i sjell dëm të madh kauzës sonë. Armiku nuk del kurdoherë ballë për ballë nesh, sidomos kur ka përpara një forcë të çeliktë, siç janë Partia e populli ynë dhe uniteti i tyre, që e ka burimin tek ideologjia marksiste-leniniste.

Shpesh armiku vjen te ne tërthorazi, si këta që zbuluam, të cilët përfituan nga pozitat që kishin në Parti e në pushtet dhe, duke i shfrytëzuar këto me dinakëri, bënë që edhe disa shokë, që kanë dhënë prova, qoftë në ushtri, qoftë në sektorët e ndryshëm të ndërtimit të socializmit, të futen padashur në lojën e tyre.

Komiteti Qendror i Partisë dhe Qeveria, gjatë veprimtarisë së tyre për ndërtimin e socializmit, marrin të atilla masa, që çdo sektor në vendin tonë, të ecë kurdoherë përpara me sukses. Për ne, marksistë-leninistët, është e qartë se socializmin nuk e ndërtojnë dy apo pesë veta, atë e ndërtojnë masat dhe, si gjithë të tjerët, masë janë edhe kuadrot.

Këta kuadro janë inkuadruar dhe zhvillojnë veprimtarinë e tyre, në organe të ndryshme të Partisë dhe të shtetit, ku luftojnë dhe ecin përpara, në mënyrë dialektike. Komiteti Qendror mendon se, si kurdoherë, edhe në këtë situatë, kuadrove dhe gjithë organeve, ku punojnë ata, duhet t’u jepet mundësia, të kryejnë një punë më të madhe e më të ndërlikuar.

Partia nuk mund të ecë sot si në periudhën fillestare, kur zbritëm nga mali. Por edhe atëherë, kush e rindërtoi vendin, ekonominë e tij? Gjithë ato masa njerëzish që, vërtet, nuk kishin dijeni për drejtimin e shtetit, por kishin një vullnet të madh për punë dhe, në radhë të parë, i qëndronin besnikë çështjes së popullit dhe të Partisë.

Pas kaq vjet pune, lufte dhe eksperience të madhe për ndërtimin e socializmit, kuadrove që i mësoi Partia të drejtonin organet e ndryshme, që nga ato të Partisë, të shtetit, të ekonomisë etj., duhej t’u jepeshin më shumë iniciativa dhe kompetenca. Mirëpo, armiqtë e shtrembëruan këtë orientim të drejtë. Nga ana e shokëve të Partisë, qoftë në bazë, qoftë në qendër, nuk ka pasur shumë vigjilencë që të diktonin, nëse direktivat e Komitetit Qendror dhe të Qeverisë, zbatoheshin apo, nuk zbatoheshin drejt.

Pikërisht, nga kjo mungesë vigjilence, armiqtë përfituan për një kohë. Ju e keni të qartë, që grupi i armiqve synonte të realizonte qëllimet me puç. Për ta arritur këtë, armiqtë kishin shembullin e ardhjes së hrushovianve në fuqi, në Bashkimin Sovjetik, kishin, gjithashtu, shembullin çekosllovak, etj. Mirëpo, planet e tyre u zbuluan.

Tani është çështja që pësimin, Partia ta përdorë si një eksperiencë, për të mos u përsëritur më të tilla raste. Prandaj, shokë, duke ju falënderuar për vëmendjen ‘e treguar, ju uroj për sukseset që keni shënuar, por kini parasysh që këto, të mos ju dehin, as mos i konsideroni sikur janë maja më e lartë, që keni arritur.

Jo, ato s’janë kulmi, prandaj të punojmë, pa u lodhur, për të ecur gjithnjë më përpara. Edhe një herë, në emër të Komitetit Qendror, të Byrosë Politike dhe të Këshillit të Ministrave, ju përshëndes dhe ju ftoj t’i përvisheni punës, për të kryer me nder planet që do të vendosim dhe në nëntor të vini në Kongres, me sukseset e mëdha që do të keni arritur gjatë këtij viti të parë të planit të gjashtë pesëvjeçar. Të rrojë Partia! Memorie.al