Dy zyrtarë evropianë kritikuan ish-Presidentin Donald Trump të dielën pas deklaratave se nuk do të mbronte aleatët e NATO-s që nuk po kontribuojnë mjaftueshëm financiarisht në aleancë, në rast se do të sulmoheshin nga Rusia.
Komisioneri i Tregtisë i Bashkimit Evropian, Thierry Breton, u pyet gjatë një interviste mbi këto komente të zotit Trump, i cili ka të ngjarë të jetë kandidati që do të emërojnë republikanët për zgjedhjet presidenciale të këtij viti.
“Nuk mund të vendosim për politikën e sigurisë çdo katër vjet bazuar në proceset zgjedhore, përkatësisht zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara”, tha zoti Breton, duke shtuar se udhëheqësit e Bashkimit Europian ishin të ndërgjegjësh mbi nevojën që blloku evropian të forcojë kapacitetet dhe shtojë shpenzimet ushtarake.
Ministri i Mbrojtjes së Polonisë shkroi në platformën X se “asnjë fushatë zgedhore nuk mund të shërbejë si justifikim për të luajtur me sigurinë e aleancës”.
“Lajmotivi i NATO-s një për të gjithë, të gjithë për në, është angazhim konkret. Të minosh besueshmërinë e vendeve aleate do të thotë të dobësosh të gjithë NATO-n”, shkroi ai.
Zyrtarët e NATO-s në Bruksel nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment nga agjencia e lajmeve Reuters. Traktati i NATO-s përmban një dispozitë që garanton mbrojtjen e ndërsjellë të shteteve anëtare nëse ata sulmohen.
Duke folur gjatë një takimi në kuadër të zgjedhjeve paraprake në Karolinën e Jugut, të shtunën, zoti Trump citoi presidentin e “një vendi të madh”, siç u shpreh ai, që e kishte pyetur nëse zoti Trump do ta mbronte, në rast të një sulmi nga Rusia, nëse nuk do të kishte kontribuar për shpenzimet ushtarake. Zoti Trump tha se i ishte përgjigjiur se “nuk do ta mbronte. Do t’i nxisja të bënin çfarë të donin”, tha zoti Trump. “Ju duhet të paguani”, shtoi ish Presidenti.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates, tha se “nxitja e sulmeve ndaj aleatëve tanë më të afërt nga regjimet vrasëse është tronditëse” dhe se kjo sipas tij “rrezikon sigurinë kombëtare amerikane, stabilitetin global dhe ekonominë amerikane.”/VOA