Drejtuesja e “Open Data Albania”, Aranita Brahaj shprehu skepticizmin e saj në lidhje me mënyrën sesi po hartohen ndryshimet në Kodin e ri Penal të Republikës së Shqipërisë.
Ajo u shpreh në Debat me Alba Alishanin se për krijimin e këtij dokumenti kaq të rëndësishëm, po punohet në mënyrë të gabuar nga një grup i ngushtë personash, që nuk përfaqësojnë të gjitha fushat.
Brahaj shtoi se ka dyshime se krijimi i kësaj strukture të ngushtë, mund të ketë dhe qëllime të tjera, që mund të jetë për të krijuar lehtësira të ndryshme në ligj, për personat që aktualisht ndodhen përpara dyerve të drejtësisë.
“Po punohet në mënyrë të gabuar, grupi i punës përbëhet nga 10 persona. Ky grup po drejtohet nga persona të ndryshëm dhe grupi i oponentëve që kryesisht janë gjyqtarë të Apelit dhe Krimeve të Rënda. Ka dhe një grup për mendim, por që nuk është grup pune.
Kodi Penal është preambula e zhvillimit të një shoqërie. Si mund të krijohet një kod penal pa krijuar disa tryeza. Ky është një mentalitet i disave që mendojnë se i zgjidhin gjërat. Mendoj se ka dhe qëllim të tjera. Mendoj që mund të krijohen lehtësira për persona të ndryshëm që janë në dyert e SPAK sot. Po tentojnë të minimizojnë rëndësinë e Kodit Penal”, tha Brahaj.