Ballina Ekonomia Ndotja e ambjentit nga ujrat e zeza, hyn në fuqi ligji për...

Ndotja e ambjentit nga ujrat e zeza, hyn në fuqi ligji për bizneset e bregdetit

152
0

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përcaktuar tashmë standardet e trajtimit të ujërave të ndotura, për të gjitha subjektet e shërbimit apo akomodimit që operojnë pranë njësive të plazheve.

Ligji i botuar tashmë në fletoren zyrtare detyron të gjitha këto struktura ashtu sikundër edhe subjektet e reja të pajisura me leje ndërtimi që të instalojnë impiante të trajtimit të ujërave të ndotura. Sipas specifikimit të tij, bëhet fjalë për një lloj teknologjie trajtimi me llumit aktiv.

Lidhur me këtë impiant, ministria ka parashikuar edhe parametrat që instalimi nëntokësor duhet të përmbajë në mënyrë që të mos krijojë problematika mjedisore. Më pas, ujërat e trajtuara do të depozitohen në një pusetë kontrolli, e cila do të përdoret për marrjen e kampioneve për testet e cilësisë së ujit nga Task Forca.

Pas trajtimit, ujërat do të shkarkohen në rrjetin publik të ujërave të ndotura urbane për t’u dërguar më pas te kolektori ose rrjeti më i afërt. Për shkelësit, masa e gjobave varion sipas kategorisë që i përket subjekti. Vlera e tyre është parashikuar nga 1.5 milionë lekë, në 2.65 milionë lekë.