Ballina Politika Gazment Bardhi: Betejën me Berishën e humbëm, gabova dhe kërkoj ndjesë

Gazment Bardhi: Betejën me Berishën e humbëm, gabova dhe kërkoj ndjesë

93
0

Gazment Bardhi tha se ai  e ka humbur betejën ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai tha se të gjithë demokratët bënë një luftë të egër brenda Partisë Demokratike, e cila duke e parë tani ka qenë e gabuar, por ka qenë për shkak të besimit që kishin se duhet të ndiqnin një rrugë tjetër.

“U vu në pikëpyetje ekzistenca e Partisë Demokratike. Në politikë ka një kohë për të bërë betejë në gjërat që ti beson, ka një kohë për të reflektuar dhe për të parë rezultatin e kësaj beteje dhe ka një kohë për të marrë vendime. Ajo që ka ndodhur me mua dhe me kolegët e mi, është ekzaktësisht kjo. Ne kemi bërë betejë sepse mendonim se është një rrugë e drejtë.

Besoja se interesi më i mirë i demokratëve ishte një rrugë tjetër. Për këtë bëra betejë dy vite. Ka ndryshuar strategjia kur shikoj se nga beteja ime dhe nga beteja e grupeve të tjera, po tentohet të dobësohet Partia Demokratike.

Ti duhet të bësh një zgjedhje në varësi të rrethanave. Ne të gjithë kemi bërë gabim i hymë një rruge për shkak të besimit që kishim. Unë kam kërkuar ndjesë dhe nuk kam asnjë kompleks. Unë e kam humbur atë betejë. Të gjithë ne kemi gabuar nga lufta e egër brenda Partisë Demokratike”, tha ai.

Por kur pyetet për betejën e Berishës me SHBA dhe vizitën e sekretarit të Shtetit në Tiranë, Bardhi bishtnon.

“Vizita e sekretarit të Shtetit nuk varet nga qëndrimet e mia. Miqtë janë të mirëpritur në Shqipëri, aq më tepër që bëhet fjalë për një zyrtar kyç të SHBA-ve. Vizita është një mesazh që mes dy vendeve tona ka një miqësi që do të shtrihet edhe për vite e vite me radhë. Kjo është një çështje personale e Berishës me të.

Unë kam patur një deklaratë publike ku kam përcaktuar dy qëndrime të ndryshme me Berishën. Së pari kam folur që nuk kemi betejë me drejtësinë, por e kritikojmë drejtësinë. Dhe për ndërkombëtarët.

Për ekonominë, për përballjen me qeverisjen e Ramës, për këto biem dakord. Si shqiptarë i vetmi detyrim që kemi është t’i urojmë mirëseardhjen sekretarit të Shtetit. Edhe në 2012 sekretarja e shtetit zhvilloi vetëm një takim në këmbë 3-4 minuta me Ramën, që në atë kohë ishte kryetar opozite”, tha Bardhi.