Me 72 vota pro dhe dy abstenime, mes tyre edhe ish-numri 2 i qeverisë, Erion Braçe, mazhoranca ka kaluar këtë të enjte në Kuvend ligjin për ‘Bastet’.
Edhe kjo seancë zgjati rreth 15 minuta, pasi deputetë të opozitës zbarkuan para foltores duke i rënë bilbilave dhe duke mos lejuar zhvillimin normal të seancës.
Ndërkaq një reagim i ashpër për rikthimin e lojërave të fatit në Shqipëri vjen nga Partia e Lirisë, e cila përmes Endrit Braimllarit shprehet se ky rikthim i basteve në vend bëhet me qëllim nga kryeministri Rama, i cili sipas tij, synon blerjen e votave në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm.
“Lojërat e fatit kalojnë me votën e Rilindjes në Parlament. Kur Edi Rama mori vendimin për t’i ndaluar disa vite më parë e kemi denoncuar si një akt, i cili nuk ka qëllim ndalimin lojërave të fatit, që sipas Ramës në atë kohë po shkatërronin familjet e shqiptarëve, por strukturimin e tyre për ta kthyer në biznes monopol të Edi Ramës.
Biznes i cili do të përdoret gjerësisht në fushatë për të blerë zgjedhjet. Rama nuk ka merakun e qytetarëve por shqetësimi i tij ishte dhe është monopoli i lojërave të fatit si biznes personal i familjes së tij”, shprehet Braimllari.