Laçi dhe Dinamo luajnë nesër në 13:30 për javën e 24-t në Superligë. Pas fitores në derbin kundër Partizanit, te Dinamo janë besimplotë se shkojnë drejt Kurbinit për të përsëritur suksesin e fundit.
Për mediet, trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti dhe se do e përshtasë ekipin sipas karakteristikave të rivalëve, ndërsa kërkojnë tri pikët e katërta radhazi. Nga ana tjetër Laçi ka tre barazime radhazi.
“Laçi është një kundërshtar që e ka treguar me rezultate se po kalon një formë shumë të mirë. Kemi pasur edhe ndeshjen e Kupës së Shqipërisë me të. E kemi vlerësuar Laçin dhe do të bëjmë maksimumin. Do të ndryshojmë filozofi, duke iu përshtatur kundërshtarit për të kërkuar pikë. Do të jetë e vështirë”, tha Mehmeti.
Trajneri tregon edhe problemet e mungesat nga dëmtimet.
“Skuadra ka një grup të mirë. Kemi mungesën e Vilës, që ka pasur një rritje progresive dhe më vjen mirë. Por kemi lojtarë në grup që mund ta zëvendësojnë, mentaliteti jonë është që të bëjmë grupin. Kemi edhe problemin e Andonit që ka pasur shqetësime, por edhe të Qefalisë. Stafi mjekësor po punon që këtij të fundit të mos i bëhet problem kronik, ndaj dhe do të jetë jashtë këtë ndeshje”, vijoi ai.
Dritan Mehmeti nuk hyn në fushë për barazim dhe kërkon tri pikë.
“Kemi pasur oshilacione gjatë dy fazave të para, sidomos kur kemi qenë në avantazh. Kemi rritur besimin te njëri-tjetri dhe kemi shkuar aty ku duhet për sa i përket lojës. Kemi pasur situata të mira edhe më parë, por jemi ndëshkuar, sepse nuk kemi menaxhuar mirë 90 minutat. Në ndeshjen e fundit reaguam mirë dhe kjo është meritë e lojtarëve.
Një barazim në Laç? Duhet të presim 90 minutat, të shohim si do të interpretohet nga skuadra kjo ndeshje. Do të hyjmë në fushë vetëm për fitore”, tha trajneri.