Ministria e Infrastrukturës ka reaguar për shembjen në rrugën Korçë – Ersekë, duke theksuar se aksi është ende në fazë punimesh.
“Rruga nuk ka përfunduar, është në fazë punimesh, praktikisht është kantier. Përsa kohë që nuk është marrë në dorëzim nga ARRSH, kompania ka të drejtën e saj të bëjë çdo ndërhyrje qe është e nevojshme. Ajo nuk është shembje, është ndërhyrje e kompanisë për të riparuar një problem që është shfaqur. Rruga përfundon dhe merret në dorëzim pasi të jetë bërë edhe kolaudimi i saj. Deri atëherë, kompania mund të bëjë të gjitha punimet që gjykon të nevojshme”, thuhet në reagim.
Sipas Ministrisë, nëse në këtë Lot të papërfunduar kanë kaluar mjete, është bërë një shkelje.
“Shpeshherë, automjetet lëvizin në rrugët e papërfunduara, për lehtësi dhe shkurtim rruge, por kjo është e paligjshme dhe e palejueshme. Ata që janë roje te kantiereve i tolerojnë, por aty nuk duhet të kalojnë automjete pasi ajo rrugë është e papërfunduar”.
Afati i përfundimit të rrugës është muaji maj i këtij viti.