Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka deklaruar se Kosova është shumë më mirë se që ka qenë ndonjëherë në historinë e saj, por se ka shtuar se mund të bëhet edhe më shumë.
“Në çdo parametër kjo mund të dëshmohet. A mund të bëhet më shumë, sigurisht që po, por këtë debat e kanë çdo shoqëri normale e mirë që kemi pritshmëri më të mëdha e që s’jemi të kënaqur me atë që kemi arrit, por progresi bëhet duke punuar e jo vetëm duke folur e kritikuar. Nuk kam pritur që të kalojnë tri vite e të mos ketë asnjë njohje, kam pritur që do të ketë sfida e ato gjithë kanë qenë, por Kosova së paku nuk është tërhequr nga ambicia e saj për më shumë njohje”, ka thënë Pacolli.
Sipas Pacollit, njohja e shtetësisë së Kosovës nuk është pjesë e fjalorit të Qeverisë.
Dhe, këtë e lidh me marrëveshjen me Serbinë.
“Unë e shoh që njohja e shtetësisë së Kosovës nuk është pjesë e fjalorit të Qeverisë, e kjo tani u dëshmua me pranimin e marrëveshjes me Serbinë që nuk e ka njohjen as në qendër as në fokus. Pra, nga njohja de jure kemi bërë hap prapa në heqje dorë nga njohja ndërkombëtare e këtë nuk e ka pritur që një elitë politike në Kosovë mund ta bëj”, ka thënë ndër të tjera Pacolli.