Ballina Europë Ursula von der Leyen shpall kandidaturën për një tjetër mandat në Komisionin...

Ursula von der Leyen shpall kandidaturën për një tjetër mandat në Komisionin Europian

85
0

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka konfirmuar synimin e saj për të udhëhequr komisionin edhe për pesë vjet të tjera.

Njoftimi u bë gjatë një takimi të Unionit Kristian Demokrat (CDU) të Gjermanisë në Berlin, njoftoi agjencia e lajmeve DPA.

Vendimi i bërë publik i dha fund spekulimeve të shumta në Bruksel mbi të ardhmen e saj politike, e cila gjithashtu ka qenë e lidhur me NATO-n.

Emërimi i Von der Leyen do të konfirmohet në fillim të marsit gjatë kongresit vjetor të familjes së saj politike, Partisë Popullore Evropiane (EPP) e qendrës së djathtë.

PPE kishte caktuar 21 shkurtin si afat të fundit për dorëzimin e aplikimeve të brendshme.

Duke shpallur kandidaturën, von der Leyen bëhet menjëherë pretendentja kryesore, pasi EPP-ja pritet gjerësisht të marrë pjesën më të madhe të vendeve në zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian.

Presidenti i Komisionit emërohet në diskrecionin e liderëve të BE-së, pasi merr parasysh rezultatet e zgjedhjeve evropiane, që do të thotë se partia që vjen në krye gëzon privilegjin e pashkruar e kontrollit të ekzekutivit. Socialistët dhe liberalët zakonisht ndajnë punët kryesore të mbetura mes tyre.