Braktisja e shtëpive si pasojë e emigracionit po bën që bashkitë të grumbullojnë edhe më pak para nga taksa e pronës. Nga ky boshllëk vuajnë veçanërisht njësitë e vogla të pushtetit vendor. Një prej tyre është edhe Bashkia Dimal.
“Unë mendoj që në këtë aspekt ne mund të bëjmë më shumë, sepse dhe pse jetojnë jashtë ata duhet të paguajnë tarifën e taksës së pronës në komunitetin ku e kanë këtë pronë. Kjo taksë është ndryshe nga tarifa e pastrim-gjelbërimit që t’i ta paguash duhet të jetosh për të paguar shërbimin. Taksa e pronës është detyrim edhe për shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, thotë kryetarja e Bashkisë Dimal, Juliana Memaj per A2.
E mbështetur kryesisht te bujqësia, blegtoria dhe agro-përpunimi, me gjithë përpjekjet dhe mirë-administrimin, Dimali vijon të renditet te bashkitë me detyrime të prapambetura të konsiderueshme. Në fund të vitit të shkuar ato arritën në 164.5 milionë lekë nga 146.8 milionë në 2022-shin.
“Ministria e Financave përllogarit si detyrim vetëm se pse është prerë fatura sipas “Ligjit të tatimeve.” Por po t’i referohesh ligjit për “Financat Vendore” ai shndërrohet në detyrim ku kalon afati sipas kontratës. Nuk mendoj se është problem pasi kontrata është “ligj për palët”. Nëse ti ke respektuar kontratën nuk ke pse futesh te lista e debitorëve”, thekson Memaj.
Duke vlerësuar rritjen e fondeve në dispozicion nga qeveria veçanërisht vitet e fundit, kryetarja e Bashkisë Dimal, Juliana Memaj vlerëson se nevojiten edhe më shumë para, veçanërisht në drejtim të investimeve.
“Besoj shumë që vitet që vijnë do të jenë më të mira për pushtetin vendor dhe do të ketë një politikë fiskale më të mirë nga qeveria për t’i shpërndarë një fond të posaçëm për investime. Ne investojmë 30 për qind të të ardhurave dhe po të vinin nga qeveria këto para, do të kishim mundësi që këto fonde t’i shpërndanim në zëra të tjerë të nevojshëm”, shprehet kryebashkiakja e Dimalit.
Me një sipërfaqe prej 156 kilometër katrorë, Bashkia Dimal numëron në popullsi prej rreth 27 mijë banorësh. Me ndarjen e re administrative kjo njësi vendore mori një profil të rëndësishëm bujqësor, të orientuar sidomos në frutikulturë me prodhimin e ullirit, por nuk mbetet pas dhe blegtoria, drithërat dhe perimet.