Ballina Kulturë Edhe mali me malin “takohen”

Edhe mali me malin “takohen”

101
0

Nga Abdurrahim Ashiku 

Rrëfenjë

Santorini është një ishull i bukur, një ishull vullkanik me vullkan që zien. Grekët e venë në vend të parë si “magnet” turistik. Vijnë nga të gjitha vendet, por më i preferuar është nga nordikët, anglezët dhe banorët e vendeve të ulëta. Nuk mbeten pas edhe italianët, të cilët kanë nostalgji ndër të tjera edhe si pjesë e “perandorisë”. Madje thonë se edhe emri i tij është latin.

Disa plazhe me rërë paksa të trashë vullkanike, ngjyrë të zezë, madje edhe të kuqe, përbëjnë pasurinë e tij turistike. Ishulli i vogël vullkanik pak më tej, me ujin që zien dhe tokën që të djeg këmbët është një tjetër “magnet” turistësh. Nam ka perëndimi i diellit, aq nam i është dhënë sa nuk ka turist që nuk ulet në Ija, qytezën në perëndim të ishullit, për të kundruar humbjen e ditës dhe fillimin e natës. Mua nuk më bëri përshtypje. Jo për gjë tjetër por sepse atë lloj pamje e kisha parë me dhjetëra herë në brigjet e detit Adriatik dhe detit Jon. E kisha parë nga Llogaraja, Dhërmiu, Saranda, Vlora, Patoku, Shëngjini…E kisha parë shumë e shumë herë nga Kalaja e Krujës. Do të doja ta shikoja edhe nga Sari Salltëku mbi malin e Krujës apo nga Kalaja e Kaninës mbi malin e Vlorës. Perëndimet dhe lindjet e diellit mbi vendin tim janë kaq të bukura …sa nuk përshkruhen.

Vërtet, nuk përshkruhen nga kush dhe nga askush. Se po të përshkruheshin në guida turistike ashtu siç i përshkruan greku në Santorini e gjetkë atëherë njerëzit do të kërkonin mjete publike e private për tu ngjitur mbi Sari Salltëk, mbi Kalanë e Kaninës ose mbi Llogara për të ngrohur shpirtin nga rrezet e diellit kur perëndon mbi Adriatik e mbi Jon.

Fira është “kryeqytet” i Santorinit. Me shtëpi të varura mbi shkëmbinj ai është me të vërtetë një qytet i veçantë. Të “veçantës” së tij i rrëshqitëm një mbrëmjeje vere, zbritëm nëpër shkallë të gurta dhe u ngjitëm po në shkallë të gurta. Diku, atje ku zbritja nisi të dallgëzohet u ulëm për një kafe. Kaldera, Kato-Fira, e kishte emrin. Nuk u ulëm rastësisht. U ulëm sepse të gjithë ata që shërbenin atje ishin shqiptarë. Për njërën, për Vjollcën, hodhëm ca penelata  në rrugën e shtegtimit të saj nga Tirana në Reç dhe nga Reçi në Tiranë. Për të tjerët; Besnikun, Ramiun e Erionin do të hedhim më vonë. Bota e tyre është kaq e madhe sa nuk i nxë as një e as tri tablo…

Tek gjerbja kafenë e zierë nga Vjollca ( i kisha kërkuar të na e pjekë siç e pjekin në Reç të Dibrës ) dhe kundroja pamjen me shtëpitë një mbi një, teleferikun që të zbriste deri poshtë në breg të detit, ishullin vullkanik dhe diellin që zbriste për të bërë banjën e mbrëmjes Besniku iu drejtua gruas sime.

– Mos jeni mësuese Natasha ?

– Po, – i tha ajo dhe e vështroi me vëmendje.

– Keni qenë mësuese në ushtrimoren e shkollës së mesme pedagogjike të Peshkopisë?

– Po, i tha ajo. Kam qenë mësuese atje për tridhjetë e dy vjet.

– Nuk më mbani mend ?

– Jo. – i tha ajo duke e vështruar thellë. – Nxënës nuk besoj se ju kam pas, sepse, megjithëse ata ndryshojnë përsëri nuk i harroj. Megjithatë më dukeni fytyrë e parë dhe zë i dëgjuar…

– Kam qenë nxënës në shkollën e mesme pedagogjike dhe disa herë kam ndjekë orën e mësimit, metodën tuaj të mësimdhënies, metodë e cila më ka lënë mbresa. Kam dhënë edhe mësim në klasën tuaj, bile kam marrë edhe vlerësimin tuaj mjaft të lartë…

Nuk ndërhyra. I lashë të bisedojnë, të mbledhin kujtimet e shpërndara larg e larg.

Evangjelosit, pronarit të lokalit, i tërhoqi vëmendjen biseda. Po vinte mbrëmja dhe i duhej që çdo gjë të ishte gati. Ne ishim të vetmit klientë, të parët e asaj mbrëmje. Kur u afrua i tregova takimin e rastit.

– Mali me mal, tha, nuk takohen, themi ne grekët, por njeriu me njeriun takohen .

– Edhe ne shqiptarët kështu themi,- i thashë. – Por, vazhdova, ka edhe përjashtime…

Qeshi, dhe kur e pyeta se si punojnë shqiptarët, më tha:

– Janë njerëz shumë të mirë. Janë këtu prej 7 – 8 vjetësh. Janë njerëz shumë punëtorë. Unë personalisht nuk i ndaj nëse janë alvanos, turkos, galos, papagalos. Nuk më interesojnë këta. Mua më intereson ajo që punojnë. Ai që punon është më i miri. Edhe grek edhe shqiptar të jetë, në qoftë se është punëtor, punon mirë, është i mirë. Kjo më intereson.

…Kur nxora të paguaj Besniku ma kapi krahun me dorë “ janë të paguara, tha…”

Këtë pohim shprehnin edhe sytë e pronarit që atë natë kishte bërë një përjashtim, kishte pranuar që kamerieri të ulej në një tavolinë me klientin…