Ballina Dossier Maska mortore e Enver Hoxhës, si u realizua dhe ku “fshihet” ajo

Maska mortore e Enver Hoxhës, si u realizua dhe ku “fshihet” ajo

77
0

Për herë të parë një kamera televizioni xhiron nga afër Maskën e vdekjes së Enver Hoxhës. Të ftuarit e emisionit Esencë në Report tv, Ardit Rada dhe Ardian Isufi, folën mbi mënyrën e konceptimit të së shkuarës totalitariste dje dhe sot përmes një objekti shumë pak të njohur për shqiptarët: Maska e vdekjes së Enver Hoxhës. I pari që ka folur ne shtypin e shkruar për maskën e vdekjes së Enver Hoxhës, është Gazetari Ben Andoni. Në një shkrim të tijin për Revistën MAPO të vitit 2006, ndër të tjera ai shkruan:

 -Nuk flet më. Ka kohë që duhet të jetë diku, ku në tokën e tij nuk e deshifrojnë dot. Shumë e kanë dërguar në Ferr, ndërsa të tjerë, po me aq siguri në Parajsë. Sikur të flitet për një gjë krejt pa rëndësi, burokrati më lëshon një sërë justifikimesh pafund. Por, ajo është. Eshtë matrikulli 3786… në Muzeun Historik Kombëtar.

“-Unë u propozova që Maska duhej të përgatitej shpejt”. Kujton Mumtaz Dhrami në shkrimin e Ben Andonit, si skulptori para të cilit ai pozoi shpesh në të gjallë dhe njeriu që u ngarkua t’i merrte maskën mortore. Dhrami thotë më tej:

-Nuk ramë dakord sepse Nexhmija na tha se i prishej lëkura, ndërsa ne duhet të kishim kontakt me portretin e tij. U thamë që nuk prishet lëkura, ndërsa ata vazhdonin të këmbëngulnin që prishet dhe… Sulo (Gradeci) pastaj na komunikoi që ajo do merrej pasi të mbaronin homazhet. Kaloi një javë që u bënë homazhet. Ndërkaq trupi degradohej dhe fytyrës i iknin ato tiparet karakteristike. Në fund, ditën që do merreshim me maskën, pamë se ishte transformuar fizionomia e tij. Format kishin ndryshuar, ndërsa hunda e kishte humbur profilin e vet, çdo gjë ishte jashtë karakterit, por ne e morëm maskën”- përfundon skulptori 70 vjeçar që nuk di më nga ajo ditë të jetë folur për maskën e Enverit.