Ballina Opinion Retrospektivë: 4 liderë të PKSH/PPSH/PS vs. 1 lider i PD

Retrospektivë: 4 liderë të PKSH/PPSH/PS vs. 1 lider i PD

114
0

Nga Eduard Zaloshnja

Protesta e 20 shkurtit në bulevardin e Tiranës konfirmoi se lider real i PD-së, 34 vjet pas themelimit, mbetet Sali Berisha (pavarësisht se kryetar i vulës së saj figuron Lulzim Basha). Kryetarë de juro të PD-së ndër vite kanë qenë shumë (Azem Hajdari, Aleksandër Meksi, Eduard Selami, Tritan Shehu, Lulzim Basha), por lider de facto nga themelimi i saj ka qenë vetëm një – Sali Berisha, ish-komunist qysh nga 1968-ta.

Duke hedhur vështrimin në historinë 34-vjeçare të PD-së, vetvetiu të shkon mendja tek historia e rivales PS (që është vazhdim modern i PKSH-së dhe PPSH-së).

Më 8 nëntor 1941, kur u themelua Partia Komuniste Shqiptare (PKSH), kryetar i përkohshëm i saj u zgjodh 33-vjeçari Enver Hoxha. Por ai u bë lideri de facto i partisë (me përkrahjen e fuqishme të malazezit Miladin Popoviç dhe serbit Dushan Mugosha). Më 1944, lidershipi i tij u sfidua në Pleniumin e Dytë të Beratit, por ai mbijetoi falë Sejfulla Malishovës dhe maqedonasit Velimir Stojniç (lexo këtu: https://shqiptarja.com/lajm/Pleniumi-i-Beratit-Ja-si-Malshova-shptoi-Enverin- ).

Më 1948, lidershipi i Hoxhës u sfidua seriozisht në Pleniumin e Tetë nga Koçi Xoxe, por mbijetoi falë ndërhyrjes së fuqishme ndërkombëtare të Stalinit. Dhe pas mbijetesës si lider, ai e ndryshoi emrin e partisë nga PKSH në PPSH (si dhe eleminoi bashkëpuntorët më të ngushtë deri sa vdiq më 1985).

Pas vdekjes së Enver Hoxhës, lider de juro dhe de facto i PPSH-së u bë Ramiz Alia, shumë më i butë se paraardhësi. Dhe kur dallga demokratike përmbyti gjithë Europën Lindore (si edhe Shqipërinë më së fundi), Alia ia kaloi Fatos Nanos stafetën e partisë së vjetër (që më 1991 u quajt Partia Socialiste).

Nano mbeti lider de facto i PS-së deri më 2005, pavarsisht se de juro, Rexhep Mejdani dhe Pandeli Majko e patën nga një intermexo të vogël në krye të partisë. Nano u largua përfundimisht nga qeveria, partia dhe jeta politike, pasi humbi zgjedhjet më 2005. Vendin e tij e ka zënë (dhe s’ka ndërmend ta lëshojë) ish-anarkisti Edi Rama.

E kështu, vijmë në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Në garën për kryeministër, do të kemi nga njëra anë 80-vjeçarin ish-komunist (që ka qenë për 34 vjet lideri i vetëm de facto i PD-së), dhe nga ana tjetër, 60-vjeçarin ish-anarkist (që është pasues jotradicional i tre liderve komunistë të PKSH/PPSH/PS). Aktualisht, vetëm 15% e shqiptarëve brenda vendit e duan kryeministër 80-vjeçarin, dhe vetëm 37% duan 60-vjeçarin (raporti i përkrahjes për secilin duket përpjestimor me jetëgjatësinë e partive përkatëse të tyre). Fare pak shqiptarë të këtushëm duan kryeministër 50-vjeçarin Basha apo 55-vjeçarin Meta, ndërsa shumica duan dikë që ende nuk është shfaqur në skenën politike shqiptare… (lexo këtu: https://shqiptarja.com/lajm/sondazh-43-e-shqiptareve-sduan-kryeminister-as-ramen-as-berishen-as-bashen-e-as-meten-vetem-cereku-shpresojne-tek-opozita-e-bashkuar ).

Shënim biografik: Im atë ka qenë ndër anëtarët e parë të PKSH më 1941, më vonë i përjashtuar dhe i burgosur nga partia e tij. Unë kam qenë ndër firmëtarët e parë të PD më 1990, më vonë i vetëlarguar nga partia ime.